Politike

Rezoluta e PE/ PD: 'Shuplakë' Ballkanit të Hapur! Dritë jeshile për protestën e opozitës më 6 dhjetor

Ndërkohë sipas PD ajo rezolutë i jep dritë jeshile protestës së thirrur nga Partia Demokratike dhe opozita e bashkuar më datë 6 dhjetor ditë kur në Tiranë do të mblidhen liderët e BE-së në kuadër të samitit BE-Ballkani Perëndimor.

25 Nëntor 2022, 11:28 Nga e.k
Rezoluta e PE/ PD: 'Shuplakë' Ballkanit të Hapur! Dritë
Ilda Zhulali

TIRANË- Partia Demokratike ka reaguar pas prezantimit të rezolutës së Parlamentit Europian për Shqipërinë. Në një deklaratë për mediat nga selia blu, Sekretarja e Departamentit për Politikën e Jashtme në PD Ilda Zulali tha se ajo rezolutë është një goditje e fortë për projektin e Ballkanit të Hapur të inciuar nga kryeministri Edi Rama dhe presidenti serb Alkesandër Vuçiç. Ndërkohë sipas PD ajo rezolutë i jep dritë jeshile protestës së thirrur nga Partia Demokratike dhe opozita e bashkuar më datë 6 dhjetor ditë kur në Tiranë do të mblidhen liderët e BE-së në kuadër të samitit BE-Ballkani Perëndimor. PD thotë se arsyet se pse po protestën PD janë në një linjë me kritikat që Bashkimi Europian ka për qeverisjen në vend.

DEKLARATA E PLOTË:

Parlamenti Europian me rezolutën e miratuar i është bashkuar Partisë Demokratike dhe Frontit opozitar në protestën kundër qeverisë shqiptare. Pa pritur datën 6 dhjetor, kur opozita do të dalë për të theksuar pikërisht ato që shpalos Rezoluta, Parlamenti Europian i ka caktuar vijat e kuqe qeverisë dhe i ka hapur dritën e nderit dhe legjitimitetit manifestimit të Partisë Demokratike, ditën e Samitit BE-Ballkani Perëndimor që do mbahet në Tiranë. Goditjen kryesore rezoluta ia ka dhënë ‘fëmijës së dashur’ të Edi Ramës dhe protektorëve të tij rajonalë e globalë, idesë së Ballkanit të Hapur. PE e thotë qartë: shprehim rezerva të forta për cdo nismë rajonale ekonomike, që nuk përfshin të 6 vendet e Ballkanit Perëndimor dhe nuk bazohet në rregullat e BE, siç është Ballkani i hapur”. Rezoluta njeh, mbështet dhe inkurajon vazhdimin e vendeve të rajonit me Procesin e Berlinit. Edi Rama si target anti-europian shfaqet edhe në një paragraf tjetër të Rezolutës, ku bëhet fjalë për zgjerimin, dhe shtjellohet vendimi i Serbisë për të mos i vendosur sanksione Rusisë, ashtu si BE. Parlamenti Europian siguron se BE duhet të përparojë me negociatat e pranimit me Beogradin, vetëm nëse Serbia pajtohet me sanksionet kundër Moskës. Kryeministri i Shqipërisë, ndryshe nga PE, ka deklaruar se e kupton vendimin e Vucic për të mos i vendosur sanksione Putinit. Partia Demokratike e përshendet rezolutën dhe përfundimet e saj, dhe i bën me dije partnerëve europianë se do të vazhdojë të jetë forca që, me bindje dhe koherencë, u përket dhe angazhohet për vlerat europiane të lirisë, demokracisë, sundimit të ligjit, të drejtave të njeriut. Partia Demokratike u bën thirrje vendeve anëtare të BE që të mos e lejojnë Edi Ramën të përdorë Samitin BE-Ballkani Perëndimor si mjet propagande për tu thënë shqiptarëve se Europa e mbështet atë dhe qeverinë e tij. Gjuha e rezolutës së PE dhe rekordi i Edi Ramës përputhet plotësisht, dhe në në këtë kuptim Partia Demokratike e përshëndet Rezolutën dhe kërkon që mjetet demokratike të trysnisë mbi qeverinë shqiptare të vijojnë. Partia Demokratike dëshiron të përshëndesë edhe vendimin e parlamentit europian për të shpallur Rusinë “shtet terrorist”. Në një rajon me shumë rreziqe, Putini është një prej tyre, dhe integrimi europian është e vetmja rrugë e arsyeshme për shqiptarët brenda dhe jashtë kufijve.

partia demokratike ilda zhulali

Sondazh

Poll