Politike

Marrëveshja mes Ministrisë së Kulturës Shqiptare dhe Maqedonase, Margariti: Shembuj të luftës pa kompromis

Ministrja e Kulturës Elva Margariti u shpreh se marrëveshja e Shkupit nuk do të ishte bërë e mundur pa bashkëpunimin e kahershëm e tre institucioneve, çka u zyrtarizua edhe përmes dokumentit të firmosur.

15 Nëntor 2022, 14:50 Nga a.l
Marrëveshja mes Ministrisë së Kulturës Shqiptare dhe
foto ilustruese

TIRANË- Një ditë pas nënshkrimit të marrëveshjes “Për rikthimin e ikonave të trafikuara në vendin e tyre të origjinës” mes Ministrisë së Kulturës së Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Kulturës së Maqedonisë së Veriut, Ministria e Kulturës, Ministria e Brendshme dhe Prokuroria e Përgjithshme firmosën marrëveshjen e bashkëpunimit “Për ruajtjen e përkohshme të objekteve të sekuestruara pjesë e trashëgimisë kulturore”.

Kjo marrëveshje garanton ndërveprimin mes institucioneve, duke siguruar ruajtjen e specializuar të veprave të dyshuara si objekte të trashëgimisë kulturore dhe shmangien e çdo lloj dëmtimi të tyre përgjatë të gjitha proceseve, nga momenti i sekuestrimit e deri në përfundim të hetimeve paraprake dhe/ose gjykimit me vendim të formës së prerë sipas ligjit.

Palët angazhohen të ofrojnë mbështetje dhe ndihmë të ndërsjelltë, në interes të rritjes së efektivitetit në parandalimin, zbulimin dhe hetimin e plotë të veprimtarisë kriminale në mbrojtje të objekteve pasuri trashëgimi kulturore të vjedhura dhe/ose të trafikuara, si dhe mënyrën e administrimit të tyre.

Së bashku me gjurmimin, kapjen dhe sekuestrimin, ruajtja dhe magazinimi janë elemente kyçe në mbarëvajtjen e procesit si hetimor ashtu edhe identifikues, çka kërkon jo vetëm infrastrukturën e duhur, por edhe një staf të specializuar, ndaj edhe kjo marrëveshje i paraprin organizimit të programeve të kualifikimit dhe shpërndarjen e praktikave të mira për forcimin e kapaciteteve profesionale të punonjësve.

Ministrja e Kulturës Elva Margariti u shpreh se marrëveshja e Shkupit nuk do të ishte bërë e mundur pa bashkëpunimin e kahershëm e tre institucioneve, çka u zyrtarizua edhe përmes dokumentit të firmosur.

Ndaj edhe gjej rastin që t’i falenderoj Ministrin, Çuçi dhe Prokurorin e Përgjithshëm Çela për gjithë angazhimin e tyre dhe të institucioneve që ata drejtojnë në ndërmarrjen e aksioneve të suksesshme, si ai që konkluduam në marrëveshje dje në Shkup. Pa harruar Institutin Kombëtar të Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore dhe stafin e Ministrisë së Kulturës, për punën në vazhdim për identifikimin e objekteve. Janë shembuj të luftës pa kompromis kundër trafikimit të objekteve të trashëgimisë, që vendi ynë është angazhuar të vazhdojë në krahë të vendeve partnere, që nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, marrëveshjen me të cilën e ratifikuam në Parlamentin Shqiptar, për të vijuar me vendet fqinje e më gjerë. Është një luftë që na vendos në krahun e të drejtëve”, tha Ministrja Margariti.

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi nënvizoi vlerën e një marrëveshjeje të tillë për ruajtjen e objekteve “trashëgimi kulturore”, të cilat kërkojnë një trajtim të veçantë nga ana e punonjësve të kualifikuar. “Një objekt i trashëguar prej 300 apo 400 vjetësh, mund të shkatërrohet brenda gjysmë ore, nëse nuk trajtohet sipas standardeve që kërkohet për vepra të tilla”, tha Çuçi.

Ndërsa Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela u shpreh se ky është një nga ato rastet që jo vetëm duhet vlerësuar, por edhe promovuar, pasi lidhet me trashëgiminë kulturore, e cila kërkon një vëmendje të veçantë jo vetëm nga strukturat shtetërore e ligjvënëse, por edhe nga vetë komuniteti, të cilit ajo i përket.

Marrëveshja u nënshkrua në ambientet e Ministrisë së Kulturës, ku u ekspozuan disa objekte të sekuestruara në mars 2022 si të dyshuara “trashëgimi kulturore”.

“Edhe objektet e ekspozuara janë rezultat i bashkëpunimit të suksesshëm ndërinstitucional. Një pjesë e tyre janë identifikuar, ndërkohë që procesi i identifikimit vazhdon. Ka mes tyre edhe nga kishat greke, edhe maqedone, por edhe shqiptare, si nga kisha e Labovës së kryqit, Karavastasë, Fierit..”, tha Ministrja Margariti.

Janë ikona, pjesë ikonostasesh, porta manastiresh, shandanë, temjanica, veshje peshkopale e objekte të tjera, një pjesë e të cilave janë denatyruar, duke u përdorur si element zbukurues të orendive shtëpiake, si dollapë, skrivani etj.

marreveshja per objektet e sekuestruara

Sondazh

Poll