Politike

'Duhet të ishte më i fokusuar'/ Kritikoi buxhetin 2023! Xhafaj 'harron' çfarë tha në Kuvend, në fund voton PRO

Kritikat për buxhetin, ish-ministri Fatmir Xhafaj nuk i kurseu në foltoren e Kuvendit. Por, në fund, duket se i harroi të gjitha çfarë tha, pasi votoi pro miratimit të buxhetit 2023.

10 Nëntor 2022, 13:52 Nga A.B
'Duhet të ishte më i fokusuar'/ Kritikoi buxhetin 2023!
Fatmir Xhafaj

TIRANË- Vota e deputetit socialist, Fatmir Xhafaj nuk reflekton ato që ai deklaroi në seancën parlamentare. Sot, në seancën maratonë të Kuvendit për buxhetin e vitit 2023, Xhafaj, ishte i vetmi nga socialistët që shfaqi rezerva, madje dhe kritika për buxhetin. Ai u shpreh se në kushtet që ndodhet vendi, buxheti për vitin e ardhshëm duhet të ishte më i fokusuar në grupet e interesit dhe tek xhepat e qytetatëve apo pensionistëve që nuk kanë mbështetje.

'Buxheti edhe në këto kushte shtërngese mund e duhej të ishte shumë më i fokusuar te grupet e interesit apo xhepin e të pamundurit, veçanërisht për pensionistët pa mbështetje shtesë, dhe mbi të gjitha duhet të programojmë më mirë disa politika shumë më incentivuese për rininë'- tha Xhafaj.

Po ashtu, ai u shpreh se situata në të cilën është vendi duhet ta bëjë qeverinë akoma më të përulur dhe më komunikuese me grupet e interesit. Ai specifikoi se Qeveria duhet të jetë dhe transparente dhe më e angazhuar në luftën kundër korrupsionit.

'Situatat aktuale duhet ta bëjnë qeverinë shumë më të përulur, shumë më komunikuese me grupet e interesit dhe kryesorja edhe më transparente e të angazhuar realisht në luftën kundër korrupsionit në menaxhimin dhe mirëpërdorimin e fondeve buxhetore.'- shtoi më pas ish-ministri. 

Por, pak minuta më pas, kur erdhi koha e votimi, Xhafaj nuk rrezikoi të dilte jashtë 'linjës' së socialistëve dhe të kryeministrit Edi Rama. Ai votoi pro projektligjit 'për buxhetin 2023', së bashku me 75 parlamentarë të tjerë socialistë.

Kritikat të cilat i bën shpesh në komisione, Xhafaj nuk hezitoi t'i bënte dhe në Kuvend, mirëpo siç u pa, fjalët dhe deklaratat e tij nuk përkthehen në vepra...

fatmir xhafaj seance plenare 10 nentor 2022

Sondazh

Poll