Politike

Misioni i OSBE/ODHIR 'zbarkon' në PL, Meta: Të forcohet kuadri ligjor, krimi të mos përfshihet në zgjedhje

Në një postim në Facebook kreu i PL-së ka zbardhur dhe detaje nga takimi me ta ku shprehet se ka kërkuar me ngulm, që Komisioni Parlamentar për Reformën Zgjedhore të adresojë me prioritet rekomandimet e OSBE/ODIHR për të përmirësuar të gjitha problemet që u panë në zgjedhjet e 25 Prillit. Ndërkohë Meta shprehet i gatshëm për dialog politik.

10 Nëntor 2022, 11:51 Nga e.k
Misioni i OSBE/ODHIR 'zbarkon' në PL, Meta: Të forcohet
Ilir Meta në takim me përfaqësuesit e OSBE/ODHIR

TIRANË- Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka pritur sot në një takim në selinë e PL-së Misionin e Vlerësimit të Nevojave nga OSBE/ODIHR. Në një postim në Facebook kreu i PL-së ka zbardhur dhe detaje nga takimi me ta ku shprehet se ka kërkuar me ngulm, që Komisioni Parlamentar për Reformën Zgjedhore të adresojë me prioritet rekomandimet e OSBE/ODIHR për të përmirësuar të gjitha problemet që u panë në zgjedhjet e 25 Prillit. Ndërkohë Meta shprehet i gatshëm për dialog politik ndërsa shprehet se duhet forcuar kuadri ligjor dhe mos të përfshihet administratat publike në zgjedhje.

"Prita në një takim me kërkesën e tyre Misionin e Vlerësimit të Nevojave nga OSBE/ODIHR-i, në lidhje me zgjedhjet vendore të 14 Majit 2023. Partia e Lirisë ka kërkuar me ngulm, që Komisioni Parlamentar për Reformën Zgjedhore të adresojë me prioritet rekomandimet e OSBE/ODIHR për të përmirësuar të gjitha problemet madhore që u panë në zgjedhjet e 25 Prillit, ndaj ne e dënojmë zvarritjen e qëllimshme që mazhoranca i bën punës së Komisionit dhe të trajtimit të problemeve periferike që nuk i japin përgjigje problemeve kritike të zgjedhjeve, duke goditur besimin e qytetarëve tek standardet e zgjedhjeve. U ritheksova përfaqësuesve të ODIHR nevojën alarmante për të forcuar zbatimin e ligjit për një klimë zgjedhore të qetë, pa ndikimin e krimit dhe administratës publike në zgjedhje, në mënyrë që të kemi një pjesmarrje sa më të lartë dhe rezultat të gjithëpranuar. Partia e Lirisë mbetet në çdo kohë e angazhuar për dialog politik dhe ekspertizë teknike të nivelit të lartë, në mënyrë që qytetarëve t'u ofrohen standartet më të larta të zgjedhjeve dhe çdo shqiptar të votojë i lirë, siç i takon një populli europian", shkruan Meta.

Ditën e djeshme misioni i OSBE/ODHIR ka zhvilluar dhe një takim në selinë Blu ku u takuan me nënkryetarin e Partisë Demokratike Oerd Bylykbashi dhe Sekretarin për Çështjet Ligjore Ivi Kason. Në fokus të bisedës raportohet të kenë qenë zgjedhjet vendore të 14 majit dhe Reforma Zgjedhore.

Presidenti i Republikës Bajram Begaj ka dekretuar datën 14 maj si datën e zgjedhjeve vendore të vitit 2023. Partia Demokratike e drejtuar nga Sali Berisha, e cila ka nënshkruar një marrëveshje parazgjedhore me Partinë e Lirisë ka deklaruar se do të marrë pjesë në zgjedhje ku ka hapur dhe procesin e primareve, proces nga ku do të dalin dhe emrat e kandidatëve që do të përfaqësojnë opozitën në zgjedhje. Sipas marrëveshjes me PL-në e drejtuar nga Ilir Meta, emrat e kandidatëve të opozitës për bashkitë e vendit do të jenë të selisë Blu ndërsa PL do të marrë vetëm anëtarët e Këshillave Bashkiakë. Nga ana tjetër Partia Socialiste, e cila ka ndezur 'motorët' e fushatës deri më tani ka zyrtarizuar disa nga kryebashkiakët aktualë, të cilët do të garojnë për një mandat tjetër.

partia e lirisë ilir meta osbe/odhir

Sondazh

Poll