Politike

KLP e pakënaqur me buxhetin e Qeverisë: Fondi s'mjafton as për të paguar dritat. Financat: E keni të mjaftueshëm

Alfred Balla i KLP-së tha se numri i punonjësve duhet të rritet nga 65 në 78, ndërsa sipas sekretarit të përgjithshëm të këtij institucioni fondet e akorduara nuk mbulojnë dot as pagimin e faturës së energjisë elektrike.

2 Nëntor 2022, 11:07 Nga k.m.
KLP e pakënaqur me buxhetin e Qeverisë: Fondi s'mjafton as
Komisioni

TIRANË- Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka kundërshtuar sot në Komisionin e Ligjeve projektbuxhetin e vitit të ardhshëm, sa i përket numrit të punonjësve dhe fondeve të akorduara nga buxheti i shtetit për arkën e institucionit të tyre. Në fjalën e tij në Komisionin e Ligjeve, Alfred Balla tha në fjalën e tij se numri i punonjësve duhet të rritet nga 65 në 78, por duket të ketë edhe rritje fondesh, pasi aq sa kanë marrë deri më tani, nuk u mjafton as për të paguar faturën e energjisë elektrike.

90 milionë lekë na i ka marrë Ministria e Financave duke na prekur nevoja bazike”- tha ai, duke u pasuar nga sekretari i përgjithshëm  Emis Çërava, i cili shtoi se: Kjo bëri që sot të mos kemi para as për utilitete si ujë, energji elektrike.

Edhe pse përfaqësuesja e Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave këmbënguli se qeveria i ka rritur fondin, sërish ai tha se KLP nga 119 milionë, buxheti ka shkuar në 127 milionë që do të përdorej vetëm për rritje dhe indeksim pagash e asgjë tjetër. 

DEBATI I PLOTË:

Alfred Balla (KLP): Ne jemi organ i pavarur, jemi pjesë e sistemit të drejtësisë. E përcaktojmë vetë strukturën tonë. Kur jemi krijuar, struktura jone përcaktohej nga Kuvendi, por tani puna jonë realizohet më mirë duke u shtuar. Buxheti ynë është modest, ne kemi vetëm 4% të buxhetit, Prokuroria e përgjithshme merr 66% dhe SPAK 30%. Kërkesat tona nuk janë të ekzagjeruara, por të nevojshme. Sekretari i përgjithshëm i KLP: Kemi bërë kërkesë për blerjen e një serveri qëndror, një vlerë 2.5 milionë lekë për dixhitalizimin e arkivës, si dhe kemi kërkuar edhe 5 milionë për pjesën e Sigurisë. Në mars na u ulën shpenzimet dhe pagat në një një vlerë të konsiderueshme gjë që bëri që sot të mos kemi fonde për dritat dhe ujin. 70% e fondit të shpenzimeve korrente shkojnë për dritat, pastrimin dhe mirëmbajtjen. Kërkesa jonë për 10 milionë lekë është minimumi që ne kërkojmë për të plotësuar detyrat tona për të qenë në rregull me shtetin.

Çausholli (Ministria e Financave): Për disa kërkesa të institucionit nuk mund të jap një vlerësim, pasi nuk i kanë sjellë më herët. Në numrin e punonjësve nuk kemi parashikime të rritjes së numrit. Buxheti i KLP njeh rritje në % dhe shifra absolute, duke mbuluar të gjithë veprimtarinë bazë të institucionit.

Balla: Ju thoni që ka rritje në 2023, mos e keni fjalën për indeksimin e pagave se gjë tjetër nuk ka. Për shtesën e punonjësve që kemi kërkuar, nuk kanë paga të larta, janë nga shoferi te shefi i sektorit.

Stojani (KLP): Si do ti bëjmë ne trajnimet me 65 punonjës? Ne kërkojmë një minimum që kërkon ligjvënësi. Në ligjin tonë nuk parashikohet që numrin e punonjësve e përcakton Kuvendi, siç është te ILD-ja. Ligji na ngarkon ne të bëjmë strukturën, të cilin duhet ta përcaktojë Këshilli. Kërkesat tona nuk janë të ekzagjeruara.

komisioni i ligjeve

Sondazh

Poll