Politike

Primaret e Berishës për zgjedhjet vendore, Fisnik Qosja shpall kandidaturën për Kavajën

Madje dhe arsyetimin për garimin e tij, ka bërë një sqarim të gjatë se përse dëshiron të garojë, duke u përballur me demokratin tjetër, Isa Sakja. 

2 Nëntor 2022, 10:00 Nga k.m.
Primaret e Berishës për zgjedhjet vendore, Fisnik Qosja shpall
Fisnik Qosja

KAVAJË- Ish-kandidati për deputet i Partisë Demokratike, Fisnik Qosja ka shpallur kandidaturën për të marrë pjesë në procesin e Primarevepër Bashkinë e Kavajës. Përmes një postimi në "Facebook", Qosja shkruan se ka vendosur që të kandidojë sepse ka ardhur koha për ndryshim dhe se ai dëshiron që të kontribuojë për zhvillimin e qytetit të tij. Madje dhe arsyetimin për garimin e tij, ka bërë një sqarim të gjatë se përse dëshiron të garojë, duke u përballur me demokratin tjetër, Isa Sakja. 

"Të dashur miq! Banorë të Bashkisë së Kavajës. Dua të ndaj me ju vendimin që kam marrë për t’u futur në garën për Bashkinë e Kavajës, përmes primareve që do të zhvillohen në Partinë Demokratike. Situata ku ndodhet sot gjithë vendi, por sidomos Bashkia jonë, është dramatike. Ndryshimi mund të vijë vetëm me angazhim, vetëm duke u bërë pjesë e përpjekjes për të mos i lënë gjërat në këtë rrokullisje çdo ditë e më keq. Në këto kushte, unë vendosa të bëhem pjesë e këtij procesi, të jap kontributin tim, duke hyrë në këtë garë, ku jam i sigurt se do te dalim të gjithë të fituar. Asgjë nuk do të ndryshojë nëse secili qëndron duke bërë sehir. E ndjej se mund të shërbej, mund të ndihmoj qytetin tim, ku kam lindur, ku kam familjen, e ku po rris dhe djalin tim. Kam bindjen se mund t'i shërbej me përulësi banorëve të mrekullueshëm të Njësive Administrative Golem, Synej, Luz i vogël dhe Helmas. Dua të jemi zëri i qindra mijëra emigrantëve Kavajas, kudo që ndodhen jashtë vendit, duke krijuar ura të sinqerta bashkëpunimi në interes të zhvillimit dhe prosperitetit të Bashkise sonë. Përgjegjësive nuk i kam ikur asnjëherë, edhe kur kam qënë më i ri. Të marrësh sot përgjegjësi për të hyrë në një garë, me synimin për të përmirësuar gjendjen, e për t’i shërbyer qytetarëve, është angazhim fisnik. Unë vetë do ta vlerësoj këtë nisëm tek çdokush. Ju e dini shumë mirë se çfarë ka ndodhur këto vite me Kavajën. Është bërë eksperimenti më i keq i rilindjes. U premtua se do të shndërrohej në Venecia me lundrim e me varka, sot kemi një Bashki të falimentuar. Të falimentuar zyrtarisht. Sepse, një model i dështuar, nuk sjell tjetër përveçse dështimin e radhës," shkroi ai.

Partia Demokratike dhe Partia e Lirisë shkojnë bashkë në zgjedhjet vendore të 14 majit 2023. Marrëveshja e kthyer në një "kontratë" bashkëpunimi elektoral mes dy partive u firmos nga dy kryetarët Sali Berisha dhe Ilir Meta. Belind Këlliçi dhe Gert Bogdani janë dy kandidaturat e para nga Partia Demokratike që kanë finalizuar kandidimin për primaret. Deri më tani janë lakuar edhe emra të tjerë për Tiranën si aktori Julian Deda që është njëkohësisht anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike.

fisnik qosja primaret ne pd kavaje

Sondazh

Poll