Sport

Edi Reja pozitiv, por koha mbaroi! Miqësorja ndaj Armenisë, e fundit për trajnerin italian në krye të Kombëtares shqiptare…

“Akoma nuk kemi filluar bisedimet apo negociatat me dikë tjetër, pa përfunduar bisedimet me trajnerin aktual nuk kemi si të bëjmë negociata të tjera”,- deklaron presidenti Duka.

1 Nëntor 2022, 20:19 Nga DOSJA

Edi Reja pozitiv, por koha mbaroi! Miqësorja ndaj Armenisë, e fundit

TIRANE - Muaji nëntor është edhe periudha kur Shqipëria do të mësojë udhëheqësin e pankinës kuqezi të Kombëtares së futbollit, duke qenë se në përfundim të ndeshjes miqësore me Armeninë, më 19 nëntor, do të jetë edhe fundi i kontratës aktuale të trajneri Edi Reja.

Dhe në mes kësaj zhurme aludimesh dhe diskutimesh për të ardhmen e Kombëtares shqiptare të futbollit, presidenti i FSHF-së, Armand Duka, që ka edhe ekskluzivitetin e vendimmarrjes për këtë post, tregon diçka për ‘Top Channel’ nga situata aktuale e marrëdhënies së tij me trajnerin italian.

“Edi Reja është në një farë mënyre viktimë e standardit që ka arritur Kombëtarja shqiptare. Duke qenë se u kualifikuam në Euro 2016, vërtetë Reja doli i pari në Ligën C të Ligës së Kombeve, apo u rendit i treti në eliminatoret e Botërorit, por ne nuk e “falim” të renditet më poshtë. Por ja që në futboll nuk mund të jesh gjithmonë i pari, sa më shumë rritet niveli aq më e vështirë bëhet”,- tha Armand Duka.

Por çfarë note do të merrte Reja në këtë aventurë prej më shumë se 3 vitesh në krye të pankinës kuqezi dhe a mos do të ishte më mirë që këto miqësore t’i bënte trajneri i ri nëse do të ndryshojë?

“Puna e Rejës me Kombëtares shqiptare pa dyshim ka qenë pozitive dhe ai e ka ndihmuar shumë këtë skuadër dhe futbollin tonë. Por edhe nëse do të jetë një trajner tjetër, sot janë mekanizmat e ndryshëm për t’i ndjekur ndeshjet për të njohur lojtarët, apo edhe për të biseduar me ta”,- u shpreh presidenti i FSHF-së.

Mediet italiane përflasin emra italian për pankinën tonë, në Shqipëri kërkohet dhe përfliten kandidatura të trajnerëve shqiptarë. Në të vërtetë ku jemi me bisedimet me Rejan apo me kandidatët për këtë post?

“Akoma nuk kemi filluar bisedimet apo negociatat me dikë tjetër, pa përfunduar bisedimet me trajnerin aktual nuk kemi si të bëjmë negociata të tjera”,- tha Duka.

Si për të lënë përkohësisht të qetë situatën e trajnerit të Kombëtares, presidenti i FSHF-së, së bashku me drejtues të pushtetit vendor të Vorës kanë inauguruar stadiumin më të ri të qytetit të Vorës me një kapacitet prej rreth 5.000 vendesh, impiant i cili u inaugurua me ndeshjen e Kategorisë së Dytë, Vora-Valbona.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll