Politike

Mungesa e Endri Fugës shkakton debate në Komisionin e Medias. Zhupa: Të vijë se e presim. Ajazi: Komisionin s'e ktheni dot në Foltore, e as në Nevojtore

Në seancën dëgjimore për projekt-buxhetin 2023, Agjencia për Media dhe Informim nuk u përfaqësua nga titullari i saj, çka u konsiderua fyerje për Kuvendin nga deputetë të opozitës.

1 Nëntor 2022, 16:34 Nga k.m.
Mungesa e Endri Fugës shkakton debate në Komisionin e Medias. Zhupa:
Besmir Gjokutaj në Komisionin e Medias

TIRANË -Komisioni parlamentar për Edukimin dhe Median u përfshi nga debatet të martën gjatë seancave dëgjimore me institucionet për projekt-buxhetin 2023, e gjitha pasi nuk mori pjesë në mbledhje, Endri Fuga. Kjo pasi ishte radha e Agjencisë për Mediat dhe Informimin për të folur lidhur me buxhetin e vitit të ardhshëm. Opozita e cilësoi fyerje për Kuvendin dhe shkelje të rregullores mungesën pa arsye bjektive të Fugës në komision dhe kërkoi që seanca të shtyhej duke u shprehur se nuk ishte zv/drejtori i agjencisë, Besmir Gjokutaj, personi që duhet të përgjigjej.

DEBATI I PLOTË NË KOMISIONIN E MEDIAS:

Ina Zhupa: Buxheti është pika më e rëndësishme që diskutohet në Komisionet parlamentare. është e pakuptimtë sesi në seancën më të rëndësishme, i vetmi institucion që nuk përfaqësohet të jetë agjensia e medias. Ajo që duhet të jepte më shumë llogari. Asnjë tjetër, duke nisur nga ministrat kanë qenë këtu, nuk kanë guxuar të sjellë zv.ministra. Të vijë dhe të paraqitet. Mos të ketë asnjë frikë, por nuk mund t'ju sjellë ju këtu sepse nuk jeni titullari i institucionit. Zoti Fuga të lërë orarin dhe të paraqitet në Komision.

Besion Ajazi: Të mos e prishim bashkëpunimin me një debat pa vlerë. Ka vetëm paga dhe kontribute. Nuk është e drejtë që ta krahasojmë me ministritë. Të mos ngecim në një debat pa kuptim. Po do politikë ik poshtë, Komisionin nuk e ktheni dot në Foltore, e as në Nevojtore. Nëse iu ka marrë malli për Fugën, ua jap unë numrin dhe ftojeni për kafe. Ose ndiqeni në Instagram.

Flutura Açka: është detyrim dhe respekt ndaj këtij Komisioni. Në këtë vend, propaganda është oligarka.

Ina Zhupa: Fjalorin mbaje për PS, nuk më ka marrë malli fare për zotin Fuga se e shoh kronikat që përdoren për taksat e mia. Nëse po flisnim për buxhet, këtu kishim ministren e Rinisë që ka më pak buxhet dhe më pak kompetenca se zoti Fuga. E po ashtu edhe shumë më pak staf. Zonja ka 7 punonjës, zotëria ka 70. Të gjithë kanë sjellë titullarët këtu. Tregoni integritetin tuaj dhe do të përgjigjemi në çdo orar.

Petro Koçi: Për një gjë kaq të thjeshtë nuk ia vlen që të harxhosh kaq energji. Titullari mund të mundojë për arsye nga më të ndryshmet. Mendoj që justifikimi që po ngrini është i pamjaftueshëm. S'kemi të bëjmë me një ministri. Po të jetë ministri jam dakord, por ai është drejtori i një drejtorie.

Flutura Açka: E dimë që buxheti është i vogël. Keni ndonjë shpjegim sepse Fuga nuk begenis të vijë në Komision?

Gjokuta: Kemi ardhur në respekt. Ne jemi në këtë mbledhje sepse ne jemi përgjegjësit për buxhetin.

Flutura Açka: Sot po e tolerojmë, mund të vazhdoni.

Megjithatë, gjatë prezantimit të buxhetit të caktuar nga qeveria për punën e kësaj agjencie, zv.drejtori Gjokutaj tha se shuma e akorduar prej 117 milionë lekësh ishte e mjaftueshme për pagat dhe siguracionet e 69 punonjësve të saj dhe shpenzimeve operative. 

Personi për të cilin u zhvillua debati, Endri Fuga ka shërbyer si këshilltar për mediat i kryeministrit Edi Rama për shumë vite dhe u emërua prej tij drejtor i agjencisë, e krahasuar nga organizatat e lirisë së shprehjes me një “ministri propagande”. Agjencia ka rol centralizues për marrëdhëniet me publikun të qeverisë, pasi në organikën e saj përfshihen të gjithë zëdhënësit e ministrive dhe të gjitha institucionet e qeverisë qendrore dhe punonjës të zyrës së Marrëdhënie me Publikun në kryeministri, e pikërisht termi "drejtori" është përdorur sot për justifikimin nga maxhoranca. 

endri fuga komisioni i medias

Sondazh

Poll