Sport

Derbi shqiptar në Spanjë, mbyllet në 'paqe'

Armando Sadiku dhe Myrto Uzuni nuk ia dalin dot të shënojnë përballë njëri-tjetrit...

31 Tetor 2022, 12:32 Nga DOSJA

Derbi shqiptar në Spanjë, mbyllet në 'paqe'

SPANJE - Dita e diel në ligën e dytë spanjolle, ishte e sfidës mes Cartagenës dhe Granadës, një ndeshje që kishte brenda saj edhe derbin e shqiptarëve, dy lojtarë të Kombëtares kuqezi përballë njëri-tjetrit: Armando Sadiku dhe Myrto Uzuni që në këtë sezon po bëjnë mjaft mirë me skuadrat e tyre respektive.

Pavarësisht se po kalojnë një formë shumë të mirë në këtë edicion, në këtë takim asnjëri prej sulmuesve shqiptarë nuk mundi të shënojë edhe pse i patën rastet, por që gjithsesi pa sukses dhe takimi u mbyll në barazim me rrjetat e paprekura, 0-0.

I pari nga lojtarët shqiptarë që iu afrua më tepër golit ishte pikërisht ish-sulmuesi i Kombëtares Armando Sadiku, i cili që në minutën e katërt pati një mundësi të artë për ta dërguar topin në rrjetë, por nuk mundi ta shfrytëzojë. Në minutën e 30-të me një rast shënimi kundërpërgjigjet Uzuni, që gjithashtu u tregua i pasaktë përballë portierit kundërshtar.

Në fillimin e pjesës së dytë sërish beratasi iu afrua golit, por topi i goditur prej tij ishte ngjitur me shtyllën. Ndërkohë që për Sadikun kjo ndeshje zgjati vetëm 71 minuta, pasi trajneri i Cartagenës vendosi ta zëvendësojë me Ortunon.

Derbi shqiptar në Spanjë, mbyllet në 'paqe'

Inercia e kësaj ndeshjeje vijoi edhe në minutat e mbetura, ku si Granada, ashtu edhe Cartagena, nuk mundën të gjenin dot rrugën e rrjetës edhe pse e kërkuan golin, duke dalë nga fusha e lojës me 1 pikë secila, që nuk e ndryshon gjendjen e tyre në klasifikim me Cartagenën që është në vendin e 5-të dhe Granadën në të 6-tin, të dyja me nga 21 pikë të grumbulluara në 13 ndeshje, duke qëndruar në zonën e ‘play-off”-it për ngjitjen në La Liga.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll