Politike

Tatimi i jashtëzakonshëm për prodhuesit e energjisë! Paralajmërimi i Ramës, Berisha: Ai nuk njeh konceptet

Kryeministri Edi Rama tha se prodhuesit kanë fitime marramendëse që sipas tij vijnë nga fati. Kryedemokrati Sali Berisha e quan absurd vendimin e Ramës.

18 Tetor 2022, 14:14 Nga A.B
Tatimi i jashtëzakonshëm për prodhuesit e energjisë!
Edi Rama dhe Sali Berisha

TIRANË- Taksa e jashtëzakonshme për prodhuesit e energjisë është debati i ditës së sotme. Ishte kryeministri Edi Rama ai i cili paralajmëroi se po diskutohet për vendosjen e një tatimi të jashtëzakonshëm. Kjo u komentua në Mbledhjen e Këshillt të PD-së, nga Sali Berisha. Kryedemokrati, e quan këtë ide të gabuar, duke shtuar se Rama nuk njeh konceptet e se kjo do sjellë humbje për investitorët. 

'Nuk shkohet më kështu. Sot lajmëronte se prodhuesit do ktheheshin tek taksa e jashtëzakonshme. Je injorant. Atavist. Prodhuesit e energjisë kanë investuar dhjetra milionë, kanë fat thotë. Ai nuk ka njohurinë më elementare. Duhet të nxjerrin investimin në radhë të parë. Njëri me koncepte rudimentare. Sot thoshte ata kanë fat, fitim kanë por duhet të nxjerrin investimin që kanë bërë në HEC. Çdo njeri që njeh alfën ose omegën e një investimti e di se ajo periudhë është jetike për të nxjerrë, përndryshme ka humbur. Duhet të përballet me qytetarët, nuk shkohet më kështu '- tha Berisha.

PO ÇFARË DEKLAROI RAMA?

Nga Përmeti, kreu i Qeverisë, tha se po disktohet për të vendosur tatim të jashtëzakonshëm për prodhuesit e energjisë. Ai shtoi se prodhuesit kanë fitime marramendëse që sipas tij vijnë nga fati. Rama tha se kjo kategori nuk mund të paguajë kaq pak në këtë moment që fati u solli shumëfishin e fitimeve. Nivelin nuk e përcaktoi.

'Sot që flasim ne po diskutojmë vendosjen e një tatimi të jashtëzakonshëm për prodhuesit e energjisë, në dialog me ta duke ndjekur direktivën europiane sepse prodhuesit e energjisë ata që e prodhojnë dhe e shesin, nuk është se i kemi të panumërt, por kemi disa, kanë fitime marramendëse. Fitime marramendëse të cilat vijnë nga fati. Fitime të fatit sepse faktikisht nuk kanë bërë asgjë për të pasur shumëfishin e fitimeve. Prandaj duhet të paguajnë një taksë, një tatim, shumë më të lartë. Pse ne po mendojmë për vendosjen e këtij tatimi të jashtëzakonshëm po e quaj sepse është një tatim i jashtëzakonshëm, është një tatim i një kohe të jashtëzakonshme ku nuk është e mundur që një grup njerëzish pavarësisht se kemi gjithë respektin për ta, kompani të mëdha që kanë investuar për strukturat e prodhimit të energjisë, të nxjerrin fitime marramendëse, ndërkohë që ne këtu diskutojmë që nuk mund të rrisim dot këto tre muaj aq sa duhet pagat e zjarrfikësve, se e kam peng që llogaria na pengoi ta bënim që tani dhe i rritëm vetëm 7% ndërkohë që ata janë njerëz që çdo vit e më shumë përballen me një botë që ka gjithmonë e më shumë zjarre dhe me një Shqipëri që ka gjithmonë e më shumë zjarre. Pra njerëz që hidhen në zjarr realisht. Prandaj taksa që ne duam të vendosim është jo një takse për të rritur të ardhurat në mënyrë abstrakte, por për t’u kaluar nga prodhuesit tek njerëzit drejtpërdrejtë.-tha Rama.

Çfarë është Tatimi i Jashtëzakonshëm?

Tatimi i Jashtëzakonshëm është një dekretligj i vitit 1946 që përcaktoi së të gjitha kompanitë tregtare shqiptare duhej të paguanin në tatim ekstra prej 30 % të fitimeve të realizuara në periudhën e pushtimit të vendit nga Italia dhe Gjermania 1939-1944.

Sipas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2000, ky dekretligj është ende në fuqi. Tatimi i jashtëzakonshëm u përdor për të mbushur arkën e shtetit të ri komunist nga njëra anë dhe për të ulur fuqinë financiare të klasës së pronareve dhe tregtareve të paraluftës në kuadër të përpjekjeve për vendosjen e monopolit politik të komunisteve. Më anë të Tatimit të Jashtëzakonshëm, qeveria e kohës sekuestroi pronat e qytetareve në një numër të madh rastesh kur kompanitë tregtare nuk qenë në gjendje të shlyenin faturat e reja.

edi rama sali berisha

Sondazh

Poll