Sport

Kupa e Botës në rrezik! Paulo Dybala do të mungojë 40 ditë, Scaloni merr vendimin…

Stafi i kombëtares së Argjentinës ka vendosur të presë sulmuesin deri në momentin e fundit. ‘Xhoja’ do të bëjë pjesë në listën me 35 futbollistë, e cila do të dorëzohet më 21 tetor. Ndërkohë Paulo do të mungojë në nëntë ndeshje të Romës…

12 Tetor 2022, 19:03 Nga DOSJA
Kupa e Botës në rrezik! Paulo Dybala do të mungojë 40
Paulo Dybala mund të humbasë Kupën e Botës në Katar 2022

ARGJENTINE - Alarmet janë ndezur me Paulo Dybala. “Xhoja” e di tashmë shkallën e dëmtimit të tij dhe është në dyshime serioze për të qenë i pranishëm në Botërorin e ‘Katarit 2022’ me kombëtaren e Argjentinës. Gjithsesi, stafi i trajnerit të kombëtares ‘albiceleste’, Lionel Scaloni, e ka marrë tashmë një vendim për futbollistin e Romës.

Stafi mjekësor i Romës i bëri një MRI sulmuesit Paulo Dybala, nga e cila mësohet se ai ka pësuar një dëmtim të rëndë në këmbën e tij të majtë, e cila do ta lërë jashtë fushës për të paktën 40 ditë, e njëjta kohëzgjatje thuajse deri në Kupën e Botës në Katar.

28-vjeçari pësoi një dëmtim të menjëhershëm, duke ekzekutuar një penallti në fitoren e Romës ndaj Leçes. Dybala duhej të priste deri sot për t'iu nënshtruar analizave, sepse kishte një inflamacion të konsiderueshëm që e pengoi atë ta bënte këtë.

Sulmuesi Paulo Dybala ishte një pjesë shumë e rëndësishme për José Mourinhon në fillim të sezonit. Argjentinasi ishte i përfshirë në 9 nga 15 golat e fundit të Romës, mes Serie A dhe Europa League, me 7 gola dhe 2 asistime të dhëna. Përveç kësaj, në pesë ndeshjet e fundit ai kishte realizuar nga një gol.

Roma që po kërkon të luftojë për Serinë A dhe Europa League, humbet një lojtar kyç. Dybala do të mungojë të paktën nëntë ndeshje: kundër Betis, Sampdoria, Napoli, HJK Helsinki, Hellas Verona, Ludogorets, Lazio dhe Sassuolo.

Çfarë planifikon të bëjë Scaloni? Sipas detajeve të TyC Sports, stafi i kombëtares së Argjentinës ka vendosur të presë Paulo Dybala deri në momentin e fundit. ‘Xhoja’ do të bëjë pjesë në listën me 35 futbollistë, e cila do të dorëzohet më 21 tetor, por do të presin për të parë se si do të jetë rikuperimi i tij.

Lista përfundimtare jepet më 14 nëntor, pak ditë para fillimit të Botërorit (Argjentina debuton më 22 nëntor kundër Arabisë Saudite) dhe deri në atë ditë do të shihet se si është fizikisht. Ai do të duhet të jetë në maksimumin e tij, pasi ka shumë konkurrencë dhe madje edhe në Copa América 2021, ai u la jashtë sepse nuk ishte në të njëjtin ritëm si shokët e tij.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll