Politike

Meloni kryeministre, Rama: Nuk besoj se do kemi probleme. Berluskoni shkonte mirë me Nanon

Duke folur për zgjedhjet italiane, Rama ka bërë shaka me kryetarin e bashkisë së Bergamos, Giorgio Gori.

9 Tetor 2022, 18:47 Nga F.M
Meloni kryeministre, Rama: Nuk besoj se do kemi probleme. Berluskoni shkonte
Kryeministri Edi Rama

ITALI- Kryeministri Edi Rama e konsideron Shqipërinë një Itali, veçse pak më të ngatërruar. Në fjalën e tij në samitin e mbajtur në Bergamo me temë ‘Kultura do të ndryshojë botën’, Rama komentoi edhe fitoren e Girogia Meloni dhe tha se nuk beson që me të do të ketë probleme.

"Shqipëria është një Itali, veçse pak me e ngatërruar dhe nuk mendoj se do të kemi probleme me qeverinë e ardhshme italiane. Nuk kemi pasur kurrë probleme në të kaluarën me asnjë lloj qeverie, si me të majtën ashtu edhe me të djathtën. Sepse ne i përkasim të njëjtës histori. Nuk varet nga kahja politike. Unë mendoj për Berluskonin që është përfaqësuesi i së djathtës. Berluskoni ka pasur një marrëdhënie shumë të mirë me Fatos Nanon. Ka pasur periudha kur në Itali kanë qenë qeveri të djathta ndërsa në Shqipëri kanë qenë të majta. Kemi lidhje të hershme historike, nuk ka ndarje kahesh politike. Çdo gjë që shihni në Tiranë si monument kulture, janë bërë nga arkitektët italianë. Nuk ka receta për të djathtën dhe të majtën. Në Itali ka diçka të mirë për Shqipërinë, sepse cila do të jetë në krye, si e majta dhe e djathta, për ne nuk është problem,"- tha Rama më tej.

Duke folur për zgjedhjet italiane, Rama ka bërë shaka me kryetarin e bashkisë së Bergamos, Giorgio Gori.

“Ai është një nga humbësit më të pabesueshëm në historinë e tridhjetë viteve të fundit: Nuk e di se si keni arritur të humbni, por keni arritur të shkaktoni një humbje siç nuk do ta kishte bërë asnjë kundërshtar,"- tha kryeministri.

Rama u shpreh optimist për hyrjen e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

“Jemi përpjekur shumë herë, por është si të organizojmë një dasmë dhe nusja nuk vjen. Shumë vite diktaturë na kanë bërë vendin më të largët nga Rusia (nuk kemi pse të sanksionojmë, e bëjmë që nga viti 1990) dhe më të afërt me Evropën e Shtetet e Bashkuara, ne jemi më proamerikanë se Teksas. Për BE-në tani jemi më të qetë sepse tashmë ka pasur zgjedhje në vende si Franca dhe Holanda,"- e mbylli fjalën e tij Rama. 

Giorgia Meloni pritet të bëhet kryeministre në fund të këtij muaji në krye të një koalicioni të krahut të djathtë që është zotuar të godasë emigracionin dhe të shtrëngojë kufijtë e Italisë. Ajo ka premtuar riatdhesime të përshpejtuara dhe rregulla më të rrepta për azilin. Meloni ka bërë thirrje gjithashtu për një bllokadë detare për të parandaluar emigrantët.

edi rama giorgia meloni

Sondazh

Poll