Sport

Prezantohet Xabi Alonso te Leverkusen, ‘provim’ para medias: “Po vij në një klub të madh dhe me synime, jam i motivuar”

Trajneri spanjoll shprehu ndjenjat e tij në një konferencë për shtyp si drejtuesi i ri i Bayer Leverkusen

6 Tetor 2022, 16:49 Nga DOSJA

Prezantohet Xabi Alonso te Leverkusen, ‘provim’ para medias:

GJERMANI - Xabi Alonso tha sot në prezantimin e tij si trajner i ri i Bayer Leverkusenit  se po merr një projekt të madh me synime të mëdha dhe se vjen me shumë motivim për të punuar për ta. Spanjoli, i cili e njeh mirë Bundesligën që nga koha e tij si lojtar me Bayern (2014-17), filloi duke u kërkuar gazetarëve që të mos bënin pyetje shumë shpejt, sepse në pesë vjet ai ka harruar diçka nga gjermanishtja e tij që shpreson ta rikuperojë sa më shpejt.

Gjatë gjithë konferencës për shtyp ai alternonte gjermanishten dhe anglishten. "Bayer Leverkusen është një klub i madh që ka një projekt të madh. Skuadra është e mirë dhe ne kemi synime të mëdha,- tha ai. - Për momentin mendoj për të shtunën dhe më pas do të mendojmë për të mërkurën.

Xabi Alonso merr drejtimin e Leverkusenit në krizë, i parafundit në renditje, gjë që çoi në shkarkimin e paraardhësit të tij Gerardo Seoane. Për këtë arsye ai u pyet, nëse mendon se puna e tij do të fokusohet në luftën kundër rënies nga Bundesliga.

Në njërën prej pyetjeve atij iu kujtua, se kur nënshkroi për Bayernin, ai debutoi kundër Schalkes, praktikisht ditën kur mbërriti në Gjermani dhe u pyet nëse situata nuk është e ngjashme. "Janë situata të ndryshme, por ka ngjashmëri. Në futboll, të kesh kohë është një luks. Tani, si atëherë, kam pak kohë,- tha ai. - Së pari, do të më duhet të njoh lojtarët, të shoh se cilat janë ndjenjat tyre. Por e di që ne mund të luajmë futboll të mirë dhe të jemi dominues,"- shpjegoi ai.

Drejtori sportiv i Leverkusenit, Simon Rolfes, u pyet nëse, në situatën aktuale të skuadrës, a nuk është rrezik të nënshkruash me dikë që ishte një lojtar i madh, por që si trajner nuk ka përvojë në kategorinë e parë.

"Nuk ka të bëjë me përvojën, ka të bëjë me cilësinë. Unë mendoj se kur Julian Nagelsmann mori Hoffenheim ishte 28 vjeç. Natyrisht në çdo vendim ka rreziqe dhe mundësi. Ne besojmë në këtë rast mundësitë janë më të mëdha,"- u përgjigj ai.

B.T (Dosja.al)

 

Sondazh

Poll