Politike

Firmoset akti i parë i dorëzimit te shteti i 4646 metrave katrorë, Rama: Përdoren për interes publik

Rama deklaron se këto metra katrore do të përdoren sipas ligjit për interes publik.

29 Shtator 2022, 13:45 Nga A.B
Firmoset akti i parë i dorëzimit te shteti i 4646 metrave
Edi Rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur se sot është firmosur akti i parë i dorëzimit tek shteti i 4 mijë e 646 metrave katrorë, ndërtuar pa leje në qendër të Tiranës. Përmes një videomesazhi të postuar në 'Facebook', Rama thotë se këto metra katrore do të përdoren sipas ligjit për interes publik. Ai sulmoi opozitën, por dhe mediat për këtë çështje.

“Askush, as opozitat që nuk lënë akuzë pa bërë, as mediat që nuk lënë gjë pa thënë, as drejtësia jo e jo, që nuk lë avlli apo papafingo nëpër periferi pa ndëshkuar, nuk i pa, nuk i tha, nuk i dëgjoi, nuk i kërkoi katet dhe metrat e ndërtuara pa leje për qëllim fitimi deri dhe në mes të Tiranës. Sepse të tërë, ose e kanë të ngjyer gishtin, kush më shumë e kush më pak, kush direkt e kush indirekt, në mjaltin e tullave e të betonit, ose i kanë sytë kaq të verbuara e veshët kaq tapë nga urrejtja që i mbush gojën me shpifje, me gënjeshtra, me akuza që janë shumë të fortë me të dobëtit, por shumë të dobët me të fortit. Ama kush ka kujtesë e di që luftën me ndërtimet pa leje dhe betejën për shijen urbanizuese dhe modernizimin civilizues e kam nisur bashkë me politikën, pa e reshtur kurrë, me shumë arritje, por dhe me disa dështime.

E kemi ulur dhjetë fish numrin e metrave katrorë pa leje  që ndërtuesit e pallateve i kishin dikur bukë e djathë mu këtu në kryeqytetin e Shqipërisë, por ende nuk i kemi ndalur dot për fare, sepse gjithsesi e kanë  gjetur gjithnjë rrugën për ta blerë të drejtën që nuk e kanë, duke paguar inspektorë, ndonjë polic, ndonjë shef komisariati, por sigurisht  duke marrë peng gjykatës e prokurorë të cilët kanë patur  gjithnjë kollaj ta tregojnë zellin e tyre me më të dobëtit, për një avlli apo dhe një çati pa leje siç thashë.

Ama tani kemi ardhur tek kapitulli i fundit i kësaj përpjekje të gjatë dhe pasi e kemi parë që drejtësia  e shitur për lekët e metrave pa leje u ka hapur vazhdimisht një shteg shpëtimi,  kemi marrë një vendim të ri qeverie dhe e kemi mbyllur çdo shteg, sepse mua dhe këtë qeveri, ta harrojnë, nuk na blejnë dot, askush! Unë e kjo qeveri  jemi të vendosur ta çojmë deri në fund çdo përpjekje pa u lodhur as nga  kthesat shpesh herë të forta, as nga të përpjetat, as nga  tatëpjetat të panumërta, të përditshme, në këto  kohë kaq të vështira.

Ja ku është edhe akti  i parë i dorëzimit! 4646 metra katrorë pa leje në mes të Tiranës, i kalojnë shtetit me kontratë noteriale. E ky është vetëm akti i parë i marrjes për interes publik  të pasurive në metra katrorë të paligjshme, që do të pasohet nga të tjerët deri në metrin e fundit katror. Prandaj, kush merret me mua e me ne duke na treguar si ata që fshihen pas kullave e pas pallateve, le ta shohë mirë të vërtetën ose le të vazhdojë të lehë, por unë i siguroj të gjithë ata që duan një Shqipëri të drejtë e që duan një Shqipëri ku ligji të jetë njësoj për të gjithë e të mos ketë të fortë para ligjit, se nuk do t’i tradhtoj kurrë”, ka thënë Rama.

Pak ditë më parë qeveria, miratoi një vendim që tentonte të amnistonte ndërtimet pa leje të ndërtuesve të fuqishëm kundrejt konfiskimit ose duke iu ofruar të drejtën e blerjes me çmimin e tregut. Por vendimi anashkalon Kodin Penal, i cili i klasifikon ndërtimet e paligjshme si vepër penale, që dënohet deri në 8 vite burg. Me gjithë tentativën e qeverisë për amnisti, zyrtarët përgjegjës për mbrojtjen e territorit me sa duket kanë ngurruar të mbajnë përsipër riskun për të mos bërë kallëzim penal, pasi kjo i ngarkon me përgjegjësinë e moskallëzimit të krimit. Deri më tani janë konfiskuar dy ndërtime, ndërsa Pëllumb Salillari u bë biznesmeni i parë që kallëzohej penalisht pas aksionit të qeverisë ndaj ndërtimeve pa leje.

edi rama konfiskimi i kullave

Sondazh

Poll