Politike

Amnistia fiskale, BE kundër Ramës: Drafti ka shqetësime serioze, vijojmë konsultimet me Qeverinë

Gjithsesi në reagimin e bërë pas daljes nga Vila30 në kryeqytet, BE shton se do të vijojë konsultimet me autoritetet përkatëse të qeverisë për të rishikuar këtë legjislacion.

29 Shtator 2022, 11:55 Nga A.B
Amnistia fiskale, BE kundër Ramës: Drafti ka shqetësime serioze,
Edi Rama dhe BE

TIRANË- Bashkimi Evropian ka dalë kundër nismës së kryeministrit Edi Rama për amnisitinë fiskale që legalizon paratë e emigrantëve shqiptarë. Në një reagim zyrtar pas takimit që zhvilluan këtë paradite me kreun e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla dhe ministren e Financave Delina Ibrahimaj, BE shprehet se ka shqetësime serioze për draftin aktual të ligjit për amnisti fiskale. Gjithsesi në reagimin e bërë pas daljes nga Vila30 në kryeqytet, BE shton se do të vijojë konsultimet me autoritetet përkatëse të qeverisë për të rishikuar këtë legjislacion.

“Bashkimi Evropian ka shqetësime serioze për draftin aktual të ligjit për amnisti fiskale. Ne do të vazhdojmë konsultimet me autoritetet përkatëse të qeverisë për të rishikuar këtë legjislacion,”- tha Delegacioni i BE-ne Shqipëri.

Në takimin e sotëm ishte lajmaëruar se do të ishte vetë prezent edhe vetë kryeministri Edi Rama, por ky i fundit nuk shkoi në takim. Për arsye që nuk dihen, Rama dërgoi Ballën e Ibrahimajn. Nga ana e socialistëve nuk është dhënë asnjë prononcim në lidhje me atë që u diskutua në takim.

Një ditë më parë, Rama u shpreh i vendosur për të vijuar me nismën e qeverisë për amnistinë fiskale. Ai tha se nuk do të lejonte asnjë ndërkombëtar që të fyente emigrantët shqiptarë duke vënë në dyshim burimin e të ardhurave të tyre nga puna jashtë Shqipërisë.

Qeveria shqiptare i është rikthyer projektligjit për aministi fiskale dhe penale pas thuajse dy vitesh. Institucionet ndërkombëtare financiare e kritikuan draftin e vitit 2020, por autoritetet thonë se këtë herë ai vjen i përmirësuar. Para dy vitesh ajo u tërhoq nga nisma pas kritikave të institucioneve financiare ndërkombëtare. Edhe pse zyrtarët thonë se vërejtjet janë reflektuar në projektin e ri, ekspertët, Opozita dhe disa dhoma biznesi si ajo amerikane, gjermane dhe dhoma e tregtisë dhe industrisë Tiranë, e kundërshtojnë aministinë, duke thënë se ajo nxit informalitetin dhe i hap rrugë depërtimit në ekonomi të parave të siguruara nga aktivitete kriminale. 

Qeverisë do t’i duhet edhe konsensusi i opozitës, pasi për miratimin në Kuvend të aministisë kërkohen 84 vota, të cilat shumica e vetme nuk i ka.

amnistia fiskale delegacioni i be

Sondazh

Poll