Politike

Dakortësi me Berishën? Meta e 'vulos': Opozita me kandidatë të përbashkët në zgjedhje!

Opozita ende nuk ka konfirmuar kandidatura zyrtare për zgjedhjet lokale të 2023-it. Partia Socialiste zbuloi ditën e djeshme disa prej drejtuesve të qarqeve.

28 Shtator 2022, 13:57 Nga a.b, f.m
Dakortësi me Berishën? Meta e 'vulos': Opozita me
Ilir Meta

TIRANË- Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta e bëri fakt të kryer se në zgjedhjet lokale të 2023-it, PL dhe Partia Demokratike do të dalin me një kandidat të përbashkët. Gjatë konferencës së sotme me gazetarët, Meta u pyet se nëse propozimi që bëri një ditë më parë do të shkojë deri në fund dhe e bëri fakt të kryer. Ai tha se për të, mes fjalëve ‘duhet të’ dhe ‘do të’ nuk ka ndonjë ndryshim, duke lënë të kuptohet se mund të ketë ndonjë dakortësi me kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha.

Pyetja: Ju dje në konferencë deklaruat se opozita duhet të dalë bashkë në zgjedhje, ishte një ftesë për Berishën për t'u bashkuar apo ekziston një koalicion?

'Për mua nuk ekziston asnjë dallim mes duhet të dalë dhe do të dalë, është njësoj'- deklaroi shkurt Meta. 

Ditën e djeshme, Meta i bëri ftesë kryedemokratit Sali Berisha për bashkëpunim në zgjedhje. Kreu i Partisë së Lirisë, kërkoi që Partia e Lirisë dhe Partia Demokratike të dalë me një kandidat të përbashkët në zgjedhje. Nga ana e kryetarit të Partisë Demokratike, nuk ka pasur ende asnjë reagim për propozimin e bërë nga Meta.

Kryedemokrati Sali Berisha është shprehur se kandidatët e selisë blu do të zgjidhen përmes primareve, ndërkohë që mbetet për tu parë se si do të vijojë bashkëpunimi me Partinë e Lirisë.

Kryesia e Partisë Socialiste u mblodh ditën e djeshme përreth 1 orë për të zgjedhur skuadrën e re organizative zgjedhore. Në mbledhje u vendos që Arben Ahmetaj të mos ketë asnjë pozicion drejtues. Ai u zëvendësua nga Blendi Klosi në postin drejtues politik në Vlorë. Ministrja Elisa Spiropali do të jetë drejtuese në Shkodër, duke zëvendësuar Edona Bilalin. Pandeli Majko është vendosur drejtues i qarkut të Kukësit. Ndërsa për Tiranën pritet që të rikandidojë Erion Veliaj. Drejtuesit e tjerë ende nuk janë konfirmuar.

Zgjedhjet lokale të 2023-shit pritet të mbahen mes muajit prill e maj, por data nuk është caktuar ende. Vendi ynë është i ndarë në 61 bashki, 59 prej të cilave drejtohet nga kampi rozë, Shkodra ka në krye demokratin Bardh Spahia, ndërsa në Finiq drejton Kristo Kiço, i dalë nga MEGA.

ilir meta sali berisha zgjedhjet lokale 2023

Sondazh

Poll