Politike

'Nuk u informuam'/ Ministria i përgjigjet ambasadës: Nota erdhi më 23 gusht, nisëm menjëherë kërkesat

Ministria e Jashtme e Shqipërisë ka hedhur poshtë pretendimet e ambasadës së Rusisë në Tiranë se nuk i është dhënë informacion për rusët e ndaluar në uzinën e Gramshit.

25 Gusht 2022, 08:54 Nga A.B

'Nuk u informuam'/ Ministria i përgjigjet ambasadës: Nota

TIRANË- Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka reaguar ndaj prononcimit të ambasadës ruse për Dosja.al lidhur me mosvënien në dijeni të kësaj të fundit për dy shtetasit rusë të kapur pranë uzinës së Gramshit. Përmes një reagimi zyrtar, Ministria bën të ditur se të gjitha veprimet e kryera nga ministria janë në pajtim të plotë me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Konsullore të vitit 1963, si dhe me konventat për mbrojtjen e të dhënave personale, ku Shqipëria është palë. Po ashtu, Ministria thekson se kanë marrë një notë nga ambasada e Rusisë për më shumë informacion në lidhje me rusët e ndaluar. MPEJ vijon më tej, duke thënë se nota është hartuar më 22 gusht, ka hyrë në institucionin e tyre më 23 gusht pasdite. Më tej, ato tregojnë se kanë vijuar me kërkesën për informacion te autoritetet përkatëse, pasi vetë institucioni nuk ka asnjë kopetencë për çështjen në fjalë.

Ministria deklaron se është e gatshme të vërë në dispozicion të mediave dhe të opinionit publik kopjen e notës, ku duket qartë numri dhe data e dërgimit, 22 gusht 2022. Ato sqarojnë se e kishin të pamundur të njoftonin ambasadën e Rusisë për ndalimin e dy rusëve, pasi Konventa e Vjenës referuar më sipër, neni 36, pika 1.b e saj, përcakton se shteti pritës, në këtë rast Shqipëria, duhet të njoftojë për ndalimin e tyre përfaqësinë diplomatike të shtetit dërgues, në këtë rast Rusia, vetëm nëse të ndaluarit kërkojnë vetë të kontaktojnë ambasadën e tyre.

REAGIMI I MINISTRISË:

Lidhur me pretendimet e ambasadës ruse në Tiranë se Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme prej ditësh nuk i përgjigjet notës së kësaj ambasade, për informacion mbi ndalimin e shtetasve rusë për shkak të përpjekjeve për të hyrë me dhunë në zonë ushtarake, Sekretari i Përgjithshëm i MEPJ, z. Gazmend Turdiu deklaron me përgjegjësi se të gjitha veprimet e MEPJ lidhur me këtë çështje janë në pajtim të plotë me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Konsullore të vitit 1963, si dhe me konventat për mbrojtjen e të dhënave personale, ku Shqipëria është palë. MEPJ ka marrë notë verbale nga ambasada e Rusisë, në përpjekje për të marrë informacion mbi dy shtetasit rusë të ndaluar në hyrjen e një objekti ushtarak. Por është absolutisht e pavërtetë që kjo notë ka katër ditë që është dërguar. Nota është hartuar në datën 22 gusht dhe ka hyrë në MEPJ në datën 23 gusht pasdite. Në mënyrë të menjëhershme MEPJ i është drejtuar me kërkesë për informacion autoriteteve kompetente. Theksojmë se në këtë pikë MEPJ është pikë ndërlidhëse mes kërkuesit dhe strukturave të tjera dhe nuk ka asnjë kopetencë tjetër për çështjen në fjalë.

Në kuadër të transparencës dhe të refuzimit të dezinformimit, MEPJ, është e gatshme të verë në dispozicion të mediave dhe të opinionit publik kopjen e notës, ku duket qartë numri dhe data e dërgimit, 22 gusht 2022.
Autoritetet shqiptare e kishin të pamundur të njoftonin ambasadën e Rusisë për ndalimin e këtyre dy shtetasve, sepse Konventa e Vjenës referuar më sipër, neni 36, pika 1.b e saj, përcakton se shteti pritës, në këtë rast Shqipëria, duhet të njoftojë për ndalimin e tyre përfaqësinë diplomatike të shtetit dërgues, në këtë rast Rusia, vetëm nëse të ndaluarit kërkojnë vetë të kontaktojnë ambasadën e tyre. Dëshirojmë gjithashtu të theksojmë se ndalimi apo fillimi i një procesi penal ndaj një personi është e dhënë personale e mbrojtur nga konventa ndërkombëtare ku Shqipëria është palë. Edhe në këtë kuptim, dhënia ambasadës së Rusisë e informacionit të ndalimit të këtyre shtetasve, do të ishte shkelje e angazhimeve ndërkombëtare të Republikës së Shqipërisë

Ambasada Ruse në Shqipëri përgënjeshtroi më 22 gusht autoritetet shqiptare që pretendojnë se kanë njoftuar zyrtarisht palën ruse për incidentin e 20 gushtit në Gramsh. Në një komunikim via 'e-mail' me Dosja, dy ditë pas incidentit, Ambasada sqaroi se informacionin e kanë marrë nga mediat dhe se i kanë dërguar edhe një note Ministrisë sonë të Jashtme, ku i kërkojnë takim me të ndaluarit. 

Por çfarë ndodhi më 20 gusht? 

Incidenti që la të lënduar dy ushtarë shqiptarë ndodhi më 20 gusht. Ishte roja i Uzinës së armëve në Gramsh, ai që ka vënë re i pari lëvizjet e dyshimta rreth objektit. Ai ka njoftuar përgjegjësin e rojeve se një person ka hyrë drenda territorit dhe ka tentuar të bëjë foto. Si përgjegjësi ashtu edhe efektivi që ruan objektin kanë zbatuar rregulloren dhe i kanë bërë thirrje personit që po bëne foto që të ndalonte. Ata i kanë bërë thirrje, por, personi në fjalë është kundërpërgjigjur me spraj neoparalizues. Pavarësisht sulmit, ushtarakët Albi Bici dhe Ardian Xhaka kanë arritur që ta ndalojnë 24-vjeçarin Mikhail Zorin. Ushtarët shqiptarë nuk janë ndalur me kaq. Ata kanë parë mjetin “Chevrolet”, Brenda të cilit ndodhej rusja Svetlana Timofoeva 33 vjeçe dhe ukrainasi Fiodor Mihailoviç, 25 vjec. Dy ushtarakët janë në gjendje të mirë shëndetësore.

ministria e jashtme ruset sulmojne uzinen e gramshit ambasada ruse

Sondazh

Poll