Politike

Deklarata e Kim, Blushi: Inkurajojmë SPAK, veproni pa vonesë ndaj abuzuesve me taksat e shqiptarëve

Blushi shton se i mbështet thirrjet e Kim dhe pret me durim që SPAK të veprojë pa vonesë ndaj kallëzimeve penale dhe që abuzuesit me taksat e shqiptarëve të marrin menjëherë ndëshkimin e merituar.

24 Gusht 2022, 16:04 Nga F.M
Deklarata e Kim, Blushi: Inkurajojmë SPAK, veproni pa vonesë ndaj
Tedi Blushi

TIRANË- Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi ka mbështetur thirrjen e ambasadores së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim për të dënuar të gjitha sulmet dhe presionet banale ndaj drejtësisë. Referuar sulmeve të bëra nga kryeministri Edi Rama (për të cilat ka bashkëngjitur dhe disa foto), Blushi shton se i mbështet thirrjet e Kim dhe pret me durim që SPAK të veprojë pa vonesë ndaj kallëzimeve penale dhe që abuzuesit me taksat e shqiptarëve të marrin menjëherë ndëshkimin e merituar.

“Mbështetim të gjitha thirrjet që dënojnë sulmet dhe presionet banale politike të Edi Ramës ndaj SPAK dhe Drejtësisë. Partia e Lirisë është e vendosur për të ndihmuar dhe inkurajuar çdo ditë SPAK, siç po vepron, duke e furnizuar me prova të pakundërshtueshme dhe dokumenta origjinalë që provojnë botërisht vjedhjet e tmerrshme të Edi Ramës dhe bandës së tij, kryesisht nëpërmjet aferës së inceneratorëve. Partia e Lirisë pret me durim që SPAK të veprojë pa vonesë ndaj kallëzimeve penale dhe që abuzuesit me taksat e shqiptarëve të marrin menjëherë ndëshkimin e merituar dhe të shumëpritur nga populli shqiptar. I bëjmë thirrje Edi Ramës të heqë dorë nga cilësimet e SPAK, si krijesë të PS, siç bëri në Kongresin e Partisë së 9 majit kur tha ndër të tjera se: "SPAK-u nuk do ekzistonte po të mos ekzistonte kjo parti", sepse të tilla kërcënime dhe shantazhe nga partia-shtet kompromentojnë rëndë funksionimin e drejtësisë së pavarur dhe të bazuar vetëm në ligj,”- shkruan Blushi në reagimin e tij.

Çfarë tha ambasadorja Kim?

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Yuri Kim është rreshtuar krah drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, Arben Kraja, i cili u sulmua më herët nga kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta, që e quajti "një spurdhjak partie që i shërben mafies". Kim thotë se kërcënimet për të prishur reformën nuk duhet të pranohen, ndërsa flet për të "paprekshëm që sot janë të shqetësuar", duke nënkuptuar Metën që u mor nën hetim.

Çfarë ndodhi sot?

Prokuroria e Posaçme SPAK njoftoi se ka nisur hetimin për ish-presidentin e Republikës, Ilir Meta, sot kryetar i ish-LSI, e ndryshuar në emrin Partia e Lirisë pas kallëzimit të disa muajve më parë që iu bë nga Valteri. SPAK kërkon informacion nga disa institucione përfshirë edhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, të cilit i kërkoi formularin e dekriminalizimit. Disa javë më parë, Meta u akuzua nga Autoriteti i Dosjeve si bashkëpunëtor i Ish-Sigurimit të Shtetit, por hetimi i sotëm lidhet me një tjetër çështje. Kallëzimi i Valterit lidhet me një artikull të gazetës austriake, "Kronen Zeitung", e cila e akuzonte Metën se kishte paguar 700,000 mijë dollarë për lobim në SHBA, përmes një kompanie offshore qipriote. Lobimi lidhej me një foto që Meta bëri në ceremoninë e inagurimit të presidentit Donald Trump. 

tedi blushi ilir meta spak nis hetimet per meten

Sondazh

Poll