Aktualitet

Zbulohet banda e vjedhjes së makinave, kërkohet shqiptari “Miço” në Greqi, e spiunoi greku

Pjesë e bandës të identifikuar deri më tani janë një grek, pronar i një servisi makinash në Athinë si edhe një shqiptar i quajtur “Miço”.

20 Gusht 2022, 12:05 Nga A.B
Zbulohet banda e vjedhjes së makinave, kërkohet shqiptari
Policia greke

GREQI- Policia greke ka rënë në gjurmët e një bande që merrej me vjedhjen e mjeteve. 'Protothema' raporton se ka zbërthyer një rrjet të mirëfilltë kriminal të përbërë nga shqiptarë dhe grekë, të cilët vidhnin makina, i çmontonin nëpër servise dhe më pas i shisnin për pjesë duke humbur kështu gjurmët e automjeteve brenda pak orësh.

Pjesë e bandës të identifikuar deri më tani janë një grek, pronar i një servisi makinash në Athinë si edhe një shqiptar i quajtur “Miço”.

Greku është arrestuar, ndërkohë që “Miço” është arratisur dhe nuk dihet ku gjendet. Ka qënë denoncimi i një gruaje nga Athina e cila vuri re se nuk e kishte më makinën në vendin ku e kishte parkuar. Gruaja kishte instaluar një GPS në makinën e saj tip “Hyundai” ngjyrë gri dhe menjëherë pasi konstatoi se nuk e kishte aty, filloi të gjurmonte sinjalin e GPS-it. Pronarja e makinës konstatoi se makina ndodhej disa dhjetra kilometra më tej dhe filloi ta ndjekë sinjalin deri sa u gjend para një servisi makinash.

Ajo tregon para policëve dhe është futur në servis dhe te makina e saj ka gjetur një burrë që po e çmontonte.

Kur e ka pyetur se kush e ka këtë makinë, gruaja thotë se ka marrë përgjigjen: “E ka sjellë këtu një shqiptar me emrin Miço për ta rregulluar”.

Gruaja njoftoi menjëherë policinë pas këtij konstatimi, të cilët me të arritur në vendin e ngjarjes kanë marrë në pyetje pronarin e servisit, ndërkohë që kanë gjetur edhe pjesë të tjera makinash. Greku, pronar i servisit është shprehur se nuk ka bërë asgjë të jashtëligjshme por policia dyshon se ai ka çmontuar edhe shumë makina të tjera, të cilat janë vjedhur nga “Miço” shqiptari me “çelsin e tij magjik”.

Policia dyshon se grupi ka përdorur një teknikë të njohur tani për vjedhjen e makinave siç është ajo e një çelsi universal, i cili pret sinjalin e dhënë nga çelsi origjinal dhe i jep idenë e rreme pronarit se e ka mbyllur makinën. 

arrestim ne greqi greqi

Sondazh

Poll