Politike

Veliaj merr "Çelësin e Prishtinës", kryebashkiaku: Erioni ka vizion, më pëlqen

Rama tha se Veliaj ka vizion dhe se ka transformuar Tiranën. 

22 Korrik 2022, 13:52 Nga f.g
Veliaj merr "Çelësin e Prishtinës", kryebashkiaku:
Erion Veliaj dhe Perparim Rama

PRISHTINE- Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj ka marrë "çelësin e qytetit" nga kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama. Veliaj dhe Rama diskutuan gjatë dorëzimit të "çelësit", simbol, edhe për bashkëpunimin mes dy kryeqyteteve. Rama tha se Veliaj ka vizion dhe se ka transformuar Tiranën. 

“Tirana është transformuar në një qytet për qytetarët përmes vizionit që ka Erioni si kryebashkiak bashkëkohor. Ai ka prurë një frymë të re me transformimin e sheshit “Skënderbej”, i cili më pëlqen pa masë, dhe ka fituar çmimin Europian për hapësirat publike. Përveç kësaj, ka bërë projekte të tjera të ndryshme si shtimi i korsive të biçikletave, për të treguar se qytetet tona e stimulojnë edhe transportin alternativ, sikurse qytetet e tjera europiane. Po ashtu, ka realizuar një numër të madh të projekteve infrastrukturore, që mundësuar lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve. Të gjitha këto e kanë transformuar qytetin në një vend bashkëkohor, me potencial madhor, me një numër të madh turistësh”, tha ai. 

Ndërsa Kryebashkiaku Veliaj tha se ndihet i nderuar për "Çelësin e Qytetit të Prishtinës" dhe u shpreh krenar për arritjet e Kosovës. 

“Ndihem shumë i privilegjuar dhe i përulur për “Çelësin e Prishtinës”. E konsideroj një shtëpi të dytë, më bëhet zemra mal për çdo sukses dhe për çdo progres. Besoj se kush drejton dhe merret me politikë ka si mision të bashkojë dhe afrojë njerëzit, për t’i sheshuar ndasitë. Patjetër, politika është e rëndësishme, të gjithë duam të marrim vota, por jo vota me çdo çmim dhe jo vota me çdo instrument të populizmit. Besoj se ne të dy e kemi mision, si kryetarë të qyteteve tona, të japim shembullin e parë të vëllazërisë, të miqësisë, dhe t’ju kujtojmë njerëzve tanë se ka shumë gjëra që na bashkojnë. Mund të ketë edhe ndasi - në demokraci biem dakord të mos biem dakord - ama gjërat që na bashkojnë janë të jashtëzakonshme. Jemi një gjak, jemi një gjuhë, ndaj besoj se kjo është politika afatgjatë”, theksoi Veliaj. 

erion veliaj celesi i prishtines

Sondazh

Poll