Sport

Luiza Gega tregon arritjen historike: "S'kam kohë për pushime dhe plazhe, më gëzojnë rezultatet"

“Në finish madje pata një shpërthim emocional, si të kisha arritur një medalje, por vendi i pestë në Botë për mua është wow.... Isha e para nga vajzat europiane, përpara kampiones olimpike, përpara atleteve amerikane, jam shumë e kënaqur”.

21 Korrik 2022, 19:56 Nga DOSJA

Luiza Gega tregon arritjen historike: "S'kam kohë për

TIRANE - Luiza Gega renditet mes 5 atleteve më të shpejta në botës, si akush më parë në historinë e atletikës shqiptare, në garën e 3000 metrave me pengesa, në Botërorin që po zhvillohet në Oregon të Shteteve të Bashkuara.

Pak orë, pas përfundimit të kësaj gare, që i dha mundësinë të përmirësojë historinë e atletikës shqiptare, gjë që po e bën aktivitet pas aktiviteti, Luiza Gega tregon për ‘Top Channel’ përjetimin e kësaj gare të madhe për të.

“Luftova deri në fund, u mundova të jem në fokus deri në fund, në 200 metra isha në vendin e dhjetë dhe pata frikë mos dështoja, pasi i ruajta forcat për 100 metrat e fundit, por kur pashë që po i kaloja vajzat, kuptova se kisha ende fuqi. Në finish madje pata një shpërthim emocional si të kisha arritur një medalje, por vendi i pestë në Botë për mua është wow.... Isha e para nga vajzat europiane, përpara kampiones olimpike, përpara atleteve amerikane, jam shumë e kënaqur”.

Ky ka qenë një vit perfekt për Luiza Gegën, medaljet e saj, sa në Ballkaniada, ashtu edhe në Lojërat e Mesdhet, ku u kurorëzuan kampione, dhe tani në këtë vend të pestë në Botëror.

“Nuk është se më është shtruar rruga me tapet të kuq për të patur këto rezuktate, çdo gjë e ka një çmim, unë nuk po arrij të bëjë një jetë normale, si mund të bëjë çdo vajzë, pra nuk mund të shijoj shumë gjëra, por që jam e lumtur që shijoj këtë emocion”.

Luiza Gega tregon arritjen historike: "S'kam kohë për

Ndërkohë Taulant Stërmasi, trajneri i saj është pjesë e binomit më të suksesshëm të altetikë shqiptare.

“Si Luiza nuk ka patur kurrë Shqipëria atlete. Luiza është e vetmja sportiste shqiptare, që merr pjesë në katër finale Botërori, dy në salla të mbyllura dhe dy në të hapura, gjithashtu është renditur më parë në ‘Top 8’ dhe tani në ‘Top 5’. Aktualisht sot Shqipëria renditet në vendin e 100-të në botë për shtete, falë Luiza Gegës.

Megjithatë, Stërmasi zbulon një detaj, që sipas tij e ka penguar Luizën të bënte edhe më mirë se kaq.

“Neve vetëm se na mbetën valixhet në Tiranë, 2-3% e performancës sportive të Luizës ra, sepse aty kemi patur materialet e fizioterapisë në bagazhet që mbetën rrugëve, që do të thotë nuk kishim mundësi që Luiza të ishte më e freskët, për atë që luftohet më tepër. Nëse nuk shohim këto detaje, dhe unë nuk sakrifikoj kaq shumë së bashku me Luizën, e kemi të pamundur të jemi në Botëror, jo më të jesh në finale dhe pas finales mes 5 më të mirave të Botës.

Ndërkohë në këtë sezon pushimesh, të gjtihë mendojnë kur pushon Luiza?

“Sa i përket pjesës së pushimeve nuk mendoj se do të më kënaqte asgjë më shumë se sa kjo që bëj dhe sidomos kur arrin rezultate. Nuk është se me ngel pishman asgjë dhe nuk më tundon fare pjesa që njerëzit e tjerë nxjerrin foto nga pushimet, ku ndodhen apo ushqimet, etj., etj... kjo që bëj më përmbush”.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll