Sport

Gjenden lekët e Briken Caljes, Thesari ‘mollë sherri’ te peshëngritja...

“Çështja e kalimit të parave nuk është e federates, por është e thesarit. Ne sot kemi mësuar se për shuma të mëdha, si shpërblimi i Brikeni që shkon në rreth 180 milionë lekë, duhet shoqëruar me një dokumentacion të veçantë”

12 Korrik 2022, 20:01 Nga DOSJA
Gjenden lekët e Briken Caljes, Thesari ‘mollë sherri’ te

TIRANE - Një status mërzie i Briken Caljes në rrjetet sociale ka zbuluar një problematikë për kampionin e botë, i cili më pas është përballur edhe me reagimin e Ministres së Sportit për çështjen e shpërblimeve të tij, që nga institucioni janë lëvruar prej kohësh, duke hapur një debat jo të vogël.

Në një deklaratë për ‘Top Channel’ peshëngritësi nga Shtërmeni tregon se gjithçka filloi pas reagimit të Federatës Shqiptare së Peshngritjes, e cila në statusin e saj në rrjetet sociale iu referua vonesës së shpërblimit që vetë Calja kish nënkuptuar, por jo përmendur publikisht.

“Federata zgjodhi një rrugë tjetër që publikoi të gjtiha dokumentat dhe është shumë e qartë se dokumentat thonë që me 20 prill, që është urdhëri i parë, pasi pagesat janë bërë me dy urdhëra dhe mungon urdhëri i dytë. Kjo çështje duhet të ishte mbyllur mes meje dhe federatës jo në publik,”- shprehet kampioni i peshëngritjes.

Ndërkohë për çështjen e shpërndarjes së shpërblimeve vetë presidenti i saj, Elez Gjoza sqaron: “Brenda muajit qershor Ministria e Arsimit dhe Sportit pas vendimit të Këshillit të Ministrave, i ka kaluar në thesar të gjitha shpërblimet në llogari të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes dhe pas federata ka mundur të bëjë të gjitha pagesat e shpërblimeve, duke filluar nga Evangjeli Veli, Erkand Qerimaj, Krenar Shoraj, së bashku me trajnerët e tyre, Samuel Bishanaku dhe njëkohësisht edhe Briken Calja”.

Ndërkohë që kampioni Calja shprehet: “Kjo është ajo që më bën çudi që duket sikur unë i kam marrë paratë, por realisht deri në momentin që flasim, unë nuk jam paguar dhe kjo është lehtësisht e verifikueshme”.

Megjithatë, me sa duket pagesa e shpërblimit të Briken Caljes ka patur një ngërc. “Çështja e kalimit të parave nuk është e federates, por është e thesarit. Ne sot kemi mësuar se për shuma të mëdha, si shpërblimi i Brikeni që shkon në rreth 180 milionë lekë, duhet shoqëruar me një dokumentacion. Jo të sekretarit të përgjithshëm, por bashkë me urdhërin e tij duhej shoqëruar edhe me urdhërin e ministres, që ne e disponojmë,”- thotë presidenti Gjoza.

Sipas dokumentacioni të që na vë në dispozicion Federata Shqiptare e Peshëngritjes pagesat ndaj Caljes janë bërë fillimisht më 7 korrik dhe ribërë ditën e martë, më 12 korrik për mungesë dokumentacioni.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll