Politike

U pezulluan 3 kompani, Kryemadhi: SPAK u zgjua nga gjumi letargjik, tepër vonë

Monika Kryemadhi thekson se SPAK u zgjua nga gjumi letargjik, ndërsa iu bën thirrje prokurorëve që të mos “joshen prej ofertave që mund t’iu kenë ardhur”.

12 Korrik 2022, 15:13 Nga k.m.
U pezulluan 3 kompani, Kryemadhi: SPAK u zgjua nga gjumi letargjik, tepër
Monika Kryemadhi

TIRANË- Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, reagon pas vendimit të SPAK për të pezulluar disa nga kompanitë që janë përmendur lidhur me skandalin e evazionit fiskal. Në një postim në “Facebook”, Kryemadhi thekson se SPAK u zgjua nga gjumi letargjik, ndërsa iu bën thirrje prokurorëve që të mos “joshen prej ofertave që mund t’iu kenë ardhur”.

Postimi i Kryemadhit:

SPAK u zgjua nga gjumi letargjik, vetëm sot, tepër vonë, kur rolin dhe emrat e kompanive fiktive në skemën e aferës së inceneratorëve, ia kisha analizuar me fakte në kallëzimin e dorëzuar që para 1 viti. Procedimet penale të mësipërme ndodhen në fazën e hetimeve paraprake dhe veprimet hetimore lidhur me këto procedime penale ende nuk kanë përfunduar. Veprimtaria hetimore për këto tre procedime penale është duke u zhvilluar në përputhje me afatet procedurale të hetimit që janë parashikuar në Kodin e Procedurës Penale." - Kjo është përgjigja e fundit e prokurorisë speciale, në datë 8 qershor 2022, ndaj kërkesës time të përsëritur për informacion. Çdo ditë që ikën, 80.000 dollarë nga taksat e qytetarëve paguhen për inceneratorin korruptiv të Tiranës. Shqipëria nuk mund të mjaftohet me disa ish zyrtarë që janë sot prapa hekurave, jo si të dënuar, por në zbatim të masave të sigurisë. Shqiptarët presin drejtësi të vërtetë për çdo zyrtar të korruptuar, pjesë të skemës së inceneratorëve. Ndaj, nuk do rresht së drejtuari thirrjen dashamirëse: Mos merrni mbi shpatulla hallin e Erion Veliaj, Engjëll Agaçit dhe Armando Subashit. As mos u intimidoni, as mos u joshni prej ofertave që mund t’iu kenë ardhur prej tyre. Sepse, për hallin e avokatit të inceneratorëve Erion Veliaj, ekzekutorit Engjëll Agaçi dhe pronarit të skemës korruptive Edi Rama, në vitin 2022 nuk mund të bëni kurban veten, drejtësinë, Shqipërinë.

Si nisi skandali me evazionin fiskal?

Ishte kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi ajo që denoncoi 24 kompani të cilat sipas saj kanë kryer miliona euro evazion fiskal përmes faturave fiktive. Kryemadhi tha se një prej kompanive që në librat e blerjes shihej se furnizohej me fruta, në librin e shitjes faturonte hekur e beton. Për të humbur gjurmët sipas Kryemadhit këto kompani shiteshin tek persona që s’kishin lidhje me to. Një prej tyre ishte edhe rasti i dy të moshuarve Thanas Çani dhe Haxhire Gurakuqi.

monika kryemadhi skandali me evazionin fiskal

Sondazh

Poll