Politike

Afera/ PD: 5.5 mln euro qarkulluan me firmë të falsifikuar, SPAK të hetojë

Belind Këlliçi bëri thirrje Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, që të hetojë të gjithë skemën e evazionit fiskal. 

12 Korrik 2022, 12:45 Nga k.m.
Afera/ PD: 5.5 mln euro qarkulluan me firmë të falsifikuar, SPAK
Belind Këlliçi

TIRANË- Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi ka hedhur të tjera kauza kundër qeverisë së Edi Ramës. Në një deklaratë për shtyp, Këlliçi është rikthyer tek afera korruptive e inceneratorëve, duke thënë se 5.5 milionë euro qarkulluan me firmë të falsifikuar pas vdekjes të së ndjerës Gjysme Sermi. Ai bëri thirrje Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, që të hetojë të gjithë skemën e evazionit fiskal. 

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, DEPUTETI BELIND KËLLIÇI

Sipas traditës, shqiptari e ka zakon që, pas vdekjes së të afërmit, i shlyen çdo borxh që mund t'i ketë mbetur të ndjerit Për t’ia lënë pa barrë dhe pa gjynahe kalimin në jetën e pasosur. Qeveria e Edi Ramës, e kthyer në “qeveri të vdekjes”, punon për të kundërtën. Pasi rriti borxhin publik, duke zhytur në kamata të gjallët, nuk lë në paqe as të vdekurit.

Kështu, edhe me Gjyste Sermin e ndjerë, të vdekur para dy vitesh, në emrin e së cilës figurojnë disa borxhe dhe padi në gjykatë. E gjitha kjo si pasojë e makinacioneve të njerëzve të lidhur me aferën e inceneratorëve, në përpjekje për të fshehur dhe pastruar miliona eurot e skandalit të shekullit.

Firma e Gjyste Sermit është falsifikuar dhe përdorur në veprime antiligjore, dy herë kur ishte në prag të vdekjes, dhe tri herë pas vdekjes. Në emrin e saj, post mortem, qarkulluan 5.5 milionë euro.

Në QKB janë bërë disa veprime nën firmën e saj, edhe pse statusi në gjendjen civile e shënonte si ‘e vdekur’. Kjo është një histori makabre keqpërdorimi të emrit, nderit dhe varrit të një shqiptareje. Zhbërja dhe turpërimi i një tradite të lashtë.

Partia Demokratike i dënon ashpërsisht përdhosësit, mashtruesit kronikë dhe hajdutët serialë të pasurisë publike. Ata kanë emra dhe portrete të ndryshëm, por që të gjithë gjallojnë nën hijen e Edi Ramës, ministrave dhe bandës së inceneratorëve.

I bëjmë thirrje SPAK të dalë nga letargjia, të ndjekë paranë, dhe gjurma e tyre do ta çojë te porositësit e skemës. Në emër të dinjitetit dhe të ligjit duhen ndalur sa më parë ata, babëzia e të cilëve nuk ndalet para asgjëje. Ka ardhur koha që t’i themi “boll vodhe, IK!” kësaj qeverie të vdekjes.

Si nisi skandali me evazionin fiskal?

Ishte kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi ajo që denoncoi 24 kompani të cilat sipas saj kanë kryer miliona euro evazion fiskal përmes faturave fiktive. Kryemadhi tha se një prej kompanive që në librat e blerjes shihej se furnizohej me fruta, në librin e shitjes faturonte hekur e beton. Për të humbur gjurmët sipas Kryemadhit këto kompani shiteshin tek persona që s’kishin lidhje me to. Një prej tyre ishte edhe rasti i dy të moshuarve Thanas Çani dhe Haxhire Gurakuqi.

belind këlliçi skandali me evazionin fiskal

Sondazh

Poll