Politike

Xhafaj: Nuk mund ta mbysim SPAK me lloj-lloj çështjesh

Xhafaj deklaroi se SPAK nuk mund të mbytet me lloj-lloj çështje që rrisin perceptimin negativ në raport me atë që bëjnë.

1 Korrik 2022, 12:34 Nga A.B
Xhafaj: Nuk mund ta mbysim SPAK me lloj-lloj çështjesh
Fatmir Xhafaj

TIRANË- Deputeti i Partisë Socialiste, Fatmir Xhafaj deklaroi ditën e sotme se SPAK nuk mund të mbushet me çështje nga më të ndryshmet. Gjatë komisionit të Ligjeve, deputeti vlerësoi punën e bërë nga deputeti Pandeli Majko e se një pjesë që i pëlqeu më shumë gjatë prezantimit, ishte pavarësia e prokurorëve të posaçëm. Po ashtu, ai deklaroi se SPAK nuk mund të mbytet me lloj-lloj çështje që rrisin perceptimin negativ në raport me atë që bëjnë.

“E kam lexuar variantin e shpërndarë të rezolutës së SPAK-ut dhe riformatimin që kishte prezantuar. Dua ta vlerësoj punën e bërë nga kolegu Majko, paraqitjen serioze që i bëri. Ai tha një gjë shumë interesante, kjo është rezoluta e parë që bën Kuvendi për SPAK-un. Kjo mund të mos rrjedhë nga një kërkesë e shprehur në ligj drejtpërdrejt, por është në frymën e kushtetutës dhe dy ligjeve që rregullojnë veprimtarinë e kësaj strukture. Pavarësia e Prokurorisë në tërësi, por në mënyrë të veçantë pavarësia e prokurorëve të posaçëm është fondamentale për suksesin, për realizimin e pritshmërive, për rritjen e besimit të publikut te drejtësia dhe posaçërisht te SPAK. Ndoshta do duhet t’i adresohemi nevojës për një qasje, t’i drejtohemi politikës së të gjitha krahëve, Kuvendit, për të qenë më të përgjegjshëm, për ta kuptuar më mirë rolin dhe përgjegjësinë e dy pushteteve dhe politikës në përgjithësi ndaj këtij pushteti të ri dhe SPAK-ut posaçërisht. Nëse opozita sjell këtu deklaratat e kryeministrit apo të ministrit të Drejtësisë ne duhet të rrinim këtu dhe po të sillnim në vëmendje deklaratat që janë bërë nga krahu i përfaqësuesve ose më saktë atyre që janë ulur në karriget e opozitës do duhej të ishte një rresht i gjatë emrash, me akuza dhe disa shprehje që janë jo demotivim, por janë përpjekje për delegjitimim të punës së tyre. Ne nuk mund ta mbysim SPAK me lloj-lloj çështjesh që të rritet perceptimi negativ në raport me atë që bëjnë. Përgjegjshmëri më të lartë të politikës në raport me institucionet e reja të drejtësisë për të mos ndikuar në intimidimin e tyre, kontrollin e veprimtarisë së tyre. Nëse do arrijmë ta përcjellim këtë frymë në debatin në Kuvend do ishte një hap i parë pozitiv”, u shpreh ish-ministri.

fatmir xhafaj

Sondazh

Poll