Sport

VD/ Prezantohet Insigne: "Mund të kisha qëndruar në Europë, por doja mirëqenien e familjes time"

“Ka qenë shumë e vështirë të largohesha nga Napoli”,- pranoi Insigne në prezantimin e tij me Toronton.

28 Qershor 2022, 14:49 Nga DOSJA

VD/ Prezantohet Insigne: "Mund të kisha qëndruar në

KANADA - Lorenzo Insigne, ylli i ri italian i Torontos në ligën MLS, ka siguruar në prezantimin e tij për shtypin, se ka vendosur të luajë për klubin kanadez për hir të familjes së tij, jo për paratë dhe se është gati për sfidën.

Insigne, i cili gjatë gjithë kohës ishte i shoqëruar nga familja e tij në prezantimin në ‘BMO Field’, stadiumi ku luan Toronto FC, ka përsëritur disa here, se arsyeja që ka vendosur të largohet nga Europa dhe Napoli është mirëqenia e dy djemve të tij.

"Unë mund të kisha qëndruar në Europë. Unë jam 31 vjeç, kështu që kam ende shumë vite përpara. Por doja të zgjidhja lumturinë dhe mirëqenien e familjes sime,"- shpjegoi Insigne, fjalët e të cilit në italisht u përkthyen nga një përkthyes.

“Ka qenë shumë e vështirë të largohesha nga Napoli”,- tha lojtari italian, duke shtuar se “jeta është e tillë” dhe se pas vetëm disa ditësh në Toronto, ai është i impresionuar nga njerëzit dhe cilësia e jetës që gëzon në metropolin kanadez.

Insigne arriti në Toronto pas 16 vitesh te Napoli. Sipas mediave në Itali dhe Kanada,  ish-kapiteni i napolitanëve do të marrë 8 milionë dollarë në vit pas taksave, çka e bën atë lojtarin më të paguar në historinë e ligës MLS. Për krahasim, suedez Zlatan Ibrahimovic mori 7.2 milionë dollarë për sezonin 2019 me LA Galaxy.

Për më tepër, Insigne është zotuar të luajë katër vjet me Toronto FC. Ndeshja e parë e Insigne me Toronton, ku luajnë edhe lojtarët spanjolë Alejandro Pozuelo dhe Jesús Jiménez, pritet të jetë më 9 korrik kundër San José Earthquakes. Insigne do të luajë me numrin 24, të njëjtin numër që kishte te Napoli, ku shënoi 122 gola gjatë karrierës së tij 16-vjeçare.

Presidenti i Toronto FC, Bill Manning, deklaroi se shpreson që Insigne do ta shtyjë skuadrën kanadeze të fitojë sërish kampionatin MLS, të cilin e ka fituar në vitin 2017. Tani për tani, Manning pranoi se ardhja e sulmuesit italian ka ngjallur interes të madh në Toronto FC dhe në mbarë botën.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll