Bota

Ligji për abortin, kompanitë amerikane ofrojnë ndihmë për punonjësit që duan të ndjekin procedurën në një shtet tjetër

Miliona gra që së shpejti mund të kërkojnë të kalojnë kufijtë shtetërorë për procedurën, do të ndihmohen nga punëdhënësit të cilët i kanë shtuar paketave të "kujdesit kritik shëndetësor" dhe shpenzimet për abortin.

27 Qershor 2022, 13:11 Nga d.a.
Ligji për abortin, kompanitë amerikane ofrojnë ndihmë
Protesta kunder abortit ne SHBA

SHBA- Shumë gjigantë të korporatave amerikane kanë lëvizur me shpejtësi për të ofruar mbështetje dhe ndihmë financiare për punonjësit që kërkojnë aborte në shtetet që kanë nxjerrë jashtë ligjit procedurën pas vendimit të gjykatës supreme amerikane të premten për të përmbysur vendimin e saj historik 'Roe v Wade.'

Sipas Guardian, miliona gra që së shpejti mund të kërkojnë të kalojnë kufijtë shtetërorë për procedurën, do të ndihmohen nga punëdhënësit të cilët i kanë shtuar paketave të "kujdesit kritik shëndetësor" dhe shpenzimet për abortin.

Masat reflektojnë, në disa raste, përgjegjësinë e ngritur që bizneset ndiejnë tani për t'iu përgjigjur presionit nga investitorët, klientët dhe punonjësit në një kohë kur vlerat e korporatave nuk përputhen me legjislaturat e shteteve në të cilat ata ose punonjësit e tyre janë të bazuar.

Shumë banka dhe firma teknologjike kanë njoftuar se do të mbulojnë shpenzimet e udhëtimit për punëtorët amerikanë që kanë nevojë për abort, si pjesë e përfitimeve të tyre mjekësore. Pasi ndryshimi u njoftua të premten, Banka e Amerikës dhe Goldman Sachs iu bashkuan Citigroup dhe JPMorgan Chase në ofrimin e përfitimeve të udhëtimit.

"Ne do të vazhdojmë të ofrojmë përfitime që mbështesin zgjedhjet e planifikimit familjar të kolegëve tanë kudo që na lejohet ligjërisht ta bëjmë këtë," shkroi në një memo punonjësve të premten, kreu i burimeve njerëzore të Citi, Sara Wechter.

Firmat e teknologjisë, gjithashtu, kanë lëvizur për të përmbushur nevojat e punonjësve. Microsoft zgjati mbështetjen e tij financiare për "kujdesin kritik shëndetësor" pasi u zbulua fillimisht draft versioni i opinionit të gjykatës supreme që përmbysi Roe. Apple ka thënë se paketa ekzistuese e përfitimeve i lejon punonjësit të udhëtojnë jashtë shtetit për kujdes mjekësor dhe kompania mëmë e Facebook, Meta ka thënë se do të ofrojë rimbursim të shpenzimeve të udhëtimit "në masën e lejuar me ligj".

Në argëtim, Disney, Condé Nast, Warner Bros Discovery dhe Netflix janë ndër ata që kanë thënë se do të ofrojnë rimbursime për udhëtimet. Ndërsa kompanitë e mëdha mund të zbusin vendimin e gjykatës supreme, masat mund të mos adresojnë shqetësimet e punonjësve në firmat që vitet e fundit janë vendosur në shtete me taksa të ulëta që ose kanë miratuar kufizime ose në thelb kanë ndaluar aksesin në abortin.

Por shumë kompani të mëdha kanë qëndruar të heshtura, duke përfshirë McDonald's, PepsiCo, Coca-Cola, General Motors dhe Walmart me bazë në Arkansas, punëdhënësi më i madh në SHBA me dhjetëra dyqane në shtetet që kanë miratuar ndalimin e abortit.

“roe v wade” ligji per abortin ne shba sara wechter

Sondazh

Poll