Aktualitet

Harta e re gjyqësore/ Avokatët e Durrësit, Kavajës dhe Vlorës vijojnë bojkotin e seancave gjyqësore

Avokatët kërkojnë të mos shkrihet Gjykata e Apelit Durrës si dhe gjykata aktuale e rrethit gjyqësor Kavajë të funksionojë normalisht në formën e degës në varësi të gjykatës së Durrësit.

27 Qershor 2022, 11:26 Nga A.B
Harta e re gjyqësore/ Avokatët e Durrësit, Kavajës dhe
Avokatët

TIRANË- Avokatët e Durrësit, Kavajës dhe Vlorës i janë rikthyer bojkotit të seancave gjyqësore këtë të hënë, ashtu siç dhe e paralajmëruan javën e kaluar. 

Sipas avokatëve të Kavajës, harta e re gjyqësore është një vendim arbitrar dhe cenon interesat e komunitetit, duke rritur kështu dhe kostot te qytetarët dhe dëmtuar aksesin në drejtësi. Ata deklarojnë se harta e re gjyqësore sjell zvarritje të rëndë të proceseve gjyqësore në kohëzgjatje ashtu dhe në marrjen e drejtësisë.

Avokatët kërkojnë të mos shkrihet Gjykata e Apelit Durrës si dhe gjykata aktuale e rrethit gjyqësor Kavajë të funksionojë normalisht në formën e degës në varësi të gjykatës së Durrësit.

Ndërsa në Vlorë, 4 deputetë të Partisë Demokratike, Bujar Leksaj, Ina Zhupa, Arbi Agalliu dhe Fatjon Veizaj, u kanë dalë në mbështetje avokatëve. Ata u shprehën plotësisht kundër zhvendosjes së gjykatave, duke theksuar se është në dëm të qytetarëve. 

Çfarë po ndodh me Hartën e re Gjyqësore?

Dhoma e Avokatisë ka nisur bojkotin e seancave gjyqësore për të gjitha shkallët e gjyqësorit. Shkak është bërë Harta e re gjyqësore. Sipas hartës së re, vendi do të ketë 13 gjykata të shkallës së parë, 2 gjykatë administrative dhe 1 gjykata apeli për të gjithë vendin. Nga gjashtë gjykata administrative të shkallës së parë do të mbeten dy, një në Tiranë dhe një në Lushnjë.

harta e re gjyqesore durres kavaje vlore

Sondazh

Poll