Aktualitet

E pickoi 'Merimanga e Zezë', 50-vjeçari prej 2 ditësh në spital! Në QSUT s'kanë kundërhelm

Hasbi Kalemi, rreth 50 vjeç, ndodhet prej dy ditësh në pritje, edhe pse duhet ta kishte marrë shumë herët kundërhelmin, por një medikament i tillë mungon në QSUT.

27 Qershor 2022, 10:30 Nga k.m.
E pickoi 'Merimanga e Zezë', 50-vjeçari prej 2 ditësh
Foto ilustruese

TIRANË- Skandali duket se nuk ka të ndalur me mjekësinë "falas" që kemi. Një 50-vjeçar rrezikon jetën sepse në Qendrën Spitalore ‘Nënë Tereza’ në Tiranë nuk ka antidot për helmin e Merimangës së Zezë. Hasbi Kalemi, rreth 50 vjeç, ndodhet prej dy ditësh në pritje, edhe pse duhet ta kishte marrë shumë herët kundërhelmin, por një medikament i tillë mungon në QSUT.

Kalemi mësohet se ka qenë në banesën e tij në qendër të Rrogozhinës, kur është pickuar nga insekti helmues. Fillimisht ai ka marrë ndihmë në spitalin e Rrogozhinës më pas është nisur me urgjencë drejt QSUT, ku po merr trajtim në gjendje kritike për jetën. Ndërkohë që nuk ka marrë ende ilaçin më thelbësor.

Është dashur ndërhyrja e Ministrisë së Shëndetësisë për të gjetur kundërhelmin ndaj merimangës së zezë, pasi kanë kontaktuar me disa vende nga rajoni. Mësohet se ditën e nesërme pritet që nga Mali i Zi të vijë edhe kundërhelmi që mund t’i shpëtojë jetën 50-vjeçarit nga Rrogozhina.

Helmi i merimangës së zezë ndikon keq në sistemin nervor të njeriut. Ajo që e bën pickimin e tyre kaq të dhimbshëm është prania e një neurotoksine të quajtur alfalatrotoksinë. Ky “rrëmbyes” nervor shkakton dhimbje të shfrenuar në të gjithë sistemin nervor të viktimës. Megjithatë, është një keqkuptim i përhapur, që një pickim i vetëm nga një merimangë si vejusha e zezë është gjithmonë një dënim me vdekje. Fataliteti është i rrallë te njerëzit e shëndetshëm, ku shumica shërohen me ndihmën mjekësore brenda 24 orëve. Fëmijët e vegjël dhe ata që janë të sëmurë ose të moshuar kanë rrezikun më të lartë.

 

 

hasbi kalemi qsut

Sondazh

Poll