Sport

“Bundesliga duhet të heqi kushtin ‘50+1’, ose do të kenë probleme ndërkombëtare"

Presidenti i nderit i bavarezëve, Uli Hoeness, ve gishtin në një plagë të futbollit gjerman, e cila sipas tij, pengon në ruajtjen e ritmit dhe rritjen e nivelit në arenën ndërkombëtare

20 Qershor 2022, 07:38 Nga DOSJA
“Bundesliga duhet të heqi kushtin ‘50+1’, ose do të
Uli Hoeness, presidenti i nderit i Bayern Munich

GJERMANI - Duke folur në ‘G14 Plus’, presidenti i nderit i Bayern Munich, Uli Hoeness, tha se ishte i shqetësuar nga hendeku në rritje midis klubeve kryesore europiane dhe atyre gjermane, i bllokuar nga rregulli "50+1". Në lidhje me këtë ai deklaroi: "Nëse Bundesliga, ky nuk është rasti vetëm për Bayern Munich, nuk planifikon të heqë rregullin ‘50+1’, ne do të kemi probleme të mëdha për të qenë në gjendje të mbajmë ritmin në arenën kombëtare në planin afatgjatë."

Çfarë është rregulli ‘50+1’? Ky rregull ka të bëjë me ligjin që është në fuqi në Gjermani që nga viti 1998, i cili përcakton se si çdo klub i kategorisë së parë dhe të dytë duhet t'u përkasë tifozëve.  Investitorët, në thelb, nuk mund të kenë një aksion prej më shumë se 49% të kapitalit. Kështu, që individët private, nuk mund të blejnë klube dhe të investojnë, apo të ndërmarrin masa fitimprurëse, që nuk u shkojnë përshtat dëshirave të tifozëve që kanë maxhorancën në drejtimin e klubeve të futbollit në Gjermani. 

Nëse shikoni emrat e plotë të klubeve, do të shihni se sa prej tyre kanë inicialet “eV” që do të thotë “Eingetragene Vereine”, pra: “shoqata të regjistruara”. Bajerni i Mynihut, për shembull, i takon 75% “Bayern Munich eV” dhe anëtarëve të tij, pra tifozëve. Kompani si Audi, i quajtur “Bayern Munich AG” ka vetëm 8.33% të aksioneve. Pesë ekipe të Bundesligës (Schalke, Mainz, Dusseldorf, Freiburg dhe Union Berlin) janë 100% e tifozëve. 

Përjashtimet nga ky 'kusht' bëjnë Bayer Leverkusen dhe Wolfsburg, të lindura si ekipe kompanish (i pari nga gjigandi farmaceutik Bayer, i dyti nga Volkswagen) dhe për të cilët u krijua një klauzolë e veçantë, që i përjashton nga rregulli '50+1' subjektet që kanë investuar në mënyrë të konsiderueshme dhe të vazhdueshme për mbi 20 vjet, ndaj ata edhe mund të blejnë shumicën e aksioneve.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll