Politike

VD-"Zgjedhorja"/ Petrit Vasili: Edhe kur kemi adresuar rekomandimet e OSBE, efekti i tyre ka qenë zero

Gjatë fjalës së tij ai foli për shitblerjen e votës dhe përdorimin e administratës shtetërore në fushatat zgjedhore duke ju ushtruar presion.

17 Qershor 2022, 11:56 Nga k.m.

VD-"Zgjedhorja"/ Petrit Vasili: Edhe kur kemi adresuar rekomandimet e

TIRANË- Nënkryetari i LSI-së Petrit Vasili, njëkohësisht dhe anëtar i Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore tha se në mbledhje nuk duhet të luhet teatër por të merret seriozisht reforma zgjedhore.

Gjatë fjalës së tij ai foli për shitblerjen e votës dhe përdorimin e administratës shtetërore në fushatat zgjedhore duke ju ushtruar presion.

Pikësynimi i vetëm që duhet të kemi është në radhë të parë që kjo reformë të mos jetë tualeti i radhës politik që bëjmë. Insistoj ta them këtë gjë sepse e shkuara që lamë pas, e afërt na tregoi që dhe kur kemi adresuar rekomandimet e OSBE/ODIHR, disa prej tyre dhe të plota zbatimi i tyre dhe efekti i tyre në pritshmëritë për një efekt pozitiv kanë qenë për fat të keq zero dhe në disa raste të tjera ka qenë më keq se ç’ishte më përpara. Ky sigurisht është një paradoks i cili duhet thënë sot. Nuk jemi mbledhur të bëjmë as teatrin e radhës as tualetin e radhës. Është fare e qartë që raportet treguan që s’kemi një institucion vote që ndriçon dhe konsolidohet, por një institucion vote që rrënohet poshtë e më poshtë. Aq sa është fakt që disa fenomene shumë të rënda në teori që shkonin drejt shuarjes së tyre, u rishfaqën si kurrë ndonjëherë, shitblerja e votës dhe shpërdorimi flagrant i administratës në anën tjetër çfarë provoi. Provoi që pas ndryshimeve të 5 qershorit, u adresuan pafundësisht rekomandime që dekurajonin, ndalnin, ndëshkonin shpërdorimin e administrata publike, u gjet në zgjedhjet e fundit që ishte më i rëndi që kishte ndodhur ndonjëherë. Adresimi në njërën anë, pandëshkueshmëria absolute në anën tjetër se ne kemi parë dhe qëndrimet që KQZ i reformuar dhe ky mbajti, ku dhe masat ndëshkimore të marra brenda Komisionit janë zëruar të gjitha më mbrapa duke inkurajuar që kjo punë të vazhdojë se nuk ka ndonjë pengesë, ka sjellë pikërisht krijimin e një qorrsokaku shumë të rëndë politik”, deklaroi Vasili.

Vasili theksoi se misioni i Komisionit duhet të jetë që institucioni i votës të kthehet atje ku është, që vullneti i qytetarëve të mbizotërojë, jo më kodoshllëku i manipulimit politik të radhës. Ai tha se shërimi jo vetëm i demokracisë por i mirëqënies së një vendilind kur qytetarët votojnë tek ata që besojnë.

“Unë mendoj pra që në rast se vihet në këtë tavolinë me vetëdijen që të gjithë bashkë të kontribuojmë që institucioni i votës të kthehet atje ku është, që vullneti i qytetarëve të mbizotërojë, jo më kodoshllëku i manipulimit politik të radhës, atij rrufjanit të madh që ka paranë, atij rrufjanit të madh që bën presionin në administratë e të gjitha, të fitojë. Kjo krijon një Shqipëri të keqe, një Shqipëri që i bën qytetarët të ikin që këtu. Nuk kanë besim sepse fitojnë ata të cilët shqiptarët nuk kanë besim. Të gjithë mund të jenë sarkastikë dhe të thonë ia hodhëm, le të flasin, ne atë që deshëm e rrëmbyem, por nuk është në të mirë të Shqipërisë. Se te vota fillon, shërimi i vetëm, jo thjesht i demokracisë, por i mirëqenies së një vendi lind kur qytetarët votojnë tek ata që besojnë apo u heqin besimin atyre që ua kanë dhënë besimin dhe ua japin apo nuk ua japin e zgjidhin ata. Kështu që thënë në këtë drejtim, unë mendoj që kjo duhet të jetë dhe fryma që duhet të na karakterizojë. Çdo anëtar është i respektuar, çdo opinion duhet dëgjuar, jo sipas madhësisë politike, por soliditetit që jep çdo argument. Nuk mendoj që bipartizani i dy partive ndihmon se po të ndihmonte nuk do ishim në të njëqindtën reformë zgjedhore në tavolinë”, u shpreh Vasili.

petrit vasili reforma zgjedhore 2022

Sondazh

Poll