Politike

VD-"Zgjedhorja"/ Mediu vjen me propozim: Sistem proporcional kombëtar me lista të hapura

Fatmir Mediu tha se ajo çka i mungon këtij parlamenti është kushtetutshmëria, ndaj dhe kërkoi që në kodin zgjedhor të ketë lista të hapura. 

17 Qershor 2022, 11:38 Nga DOSJA
VD-"Zgjedhorja"/ Mediu vjen me propozim: Sistem proporcional
Fatmir Mediu

TIRANË- Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, anëtar i Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore propozon sistemi proporcional kombëtar me lista të hapura. Në fjalën e tij gjatë mbledhjes së Komisionit, Mediu tha se ajo çka i mungon këtij parlamenti është kushtetutshmëria, ndaj dhe kërkoi që në kodin zgjedhor të ketë lista të hapura. Gjithashtu, në fjalën e tij, Mediu përmendi edhe çështjen e votës së diasporës. 

"Duhet patjetër që të gjejmë praktiakat më të mira. Ajo çka i mungon këtij parlamenti është kushtetushmëria. Mendoj që ky është momenti i parë që duhet të jetë reflektimi ynë, kthimi i parlamentit te qytetarët. Një republikë parlamentare iu jep të drejtën qytetarëve për të deleguar me votë njeriun e tyre në parlament. E dyta, garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme nuk është thjesht një çështje e shkrimit të procedurave apo kërkesave që kërkon OSBE/ODIHR, por është respektimi i tyre dhe ne e dimë se kush janë problemet gjatë procesit zgjedhor. Duhet të gjejmë praktikat më të mira për ta shmangur që ligjin dhe vendimmarrjen për zgjedhjet në Shqipëri ta bëjnë grupet kriminale, apo paratë e krimit. E treta, mendoj që një rëndësi jashtëzakonisht të madhe në funksionimin politik dhe demokracinë e këtij vendi, në pluralizmin politik ka sistemi zgjedhor. Sistemi aktual është një vrastar i pluralizmit politik. Ka tentuar gjithmonë për të eliminuar pluralizmin, për t’iu hequr dhe mundësin e organizimit dhe funksionimit normal politik dhe të partive të mëdha. Ka ardhur koha që t’i referohemi sistemeve që janë më funksionale, më produktive, më me pak konflikte, me zgjedhje që i kanë nxjerrë përfundimet shpejt dhe kanë sjellë qeverisje më të stabilizuar që bazohet në radhë të parë te zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Sistemi proporcional kombëtar me lista të hapura i jep mundësinë çdo subjekti të konkurrojë bazuar në atë që ka dhe as në marrëveshje dhe asnjë shpërfillje të interesave politike të grupeve të caktuara. Pika e katërt, është serioziteti që duhet të marrim për të mbështetur KQZ-në për votimin e diasporës, mundësinë e përfaqësimit të diasporës. Nuk është thjesht a do kenë mundësi për të votuar ku janë, por a do kenë mundësi për t’u përfaqësuar,"-tha Fatmir Mediu.

fatmir mediu reforma zgjedhore 2022

Sondazh

Poll