Politike

VD-SKANDALI/ Iu dha ‘fjala’ para 1 viti, Luca nxjerr zbuluar Ramën, prapaskena për Kombinatin e sheqerit në Maliq

Luca shpjegon me detaje se të drejtën për ta administruar truallin dhe godinën në fjalë e ka marrë që para një viti, por nisja e punimeve është penguar.

15 Qershor 2022, 15:18 Nga F.M
VD-SKANDALI/ Iu dha ‘fjala’ para 1 viti, Luca nxjerr zbuluar
Edi Rama dhe Gjergj Luca

KORÇË- Gjergj Luca, biznesmeni dhe pronari i kompanisë më të madhe në vend për përpunimin dhe eksport-importin e Peshkut, ka nxjerrë zbuluar qeverinë e kyeministrit Edi Rama që e ka bërë të përfitojë nga shumë të mira publike. Bëhet fjalë për vendimin e marrë më 11 qershor nga Këshilli i Ministrave që i jep të drejtën Lucës që të marrë në administrim rreth 5 mijë metra katrorë, truall, por edhe ndërtesën e Kombinatit të sheqerit në Maliq për një periudhë 20-vjeçare me vlerën 1 euro.

Në një video të publikuar nga vetë biznesmeni, Luca dëgjohet të thotë se ka dalë gënjeshtar para qytetarëve pasi u kishte premtuar që restorantin në Maliq do ta kishte hapur më 6 maj, por për çështje burokracie për të cilën ia vë fajin Ministrisë së Ekonomisë, të cilës i referohet si ‘administrata jonë e dashur’, nuk e ka bërë dot investimin e nevojshëm.

Luca shpjegon me detaje se të drejtën për ta administruar truallin dhe godinën në fjalë e ka marrë që para një viti, por nisja e punimeve është penguar.

“Unë kam një problem me administratën e shtetin, kam dalë para një viti dhe kam thënë që kjo do të hapet më 6 maj, kam dalë mashtrues. Kjo sepse letrat e mia i kanë lënë një vit në raft. Unë u tërhoqa, por insistimi juaj më ka kthyer këtu. Tani unë po rikthehem sepse më në fund Ministria e Ekonomisë, administrata jonë e nderuar deshi një vit që të hapte këto gërmadha që t’i kthej në jetë e punë,”- thotë Luca duke ngritur pikëpyetje të mëdha në lidhje me vendimin e KM-së. Kjo pasi VKM-ja mban datën 11 qershor të këtij viti.

Si mundet një biznesmen të marrë OK-n nga qeveria e kryeministri Edi Rama pa pasur një vendim të Këshillit të Ministrave? A ka një shpjegim nga qeveria? Si është marrë vendimi para një viti pa pasur një mbledhje ministrash?

Kombinati i sheqerit në Maliq ishte ndërmarrja e parë e madhe e ish-industrisë ushqimore shqiptare dhe një nga veprat e mëdha të planit të parë 5-vjeçar. U ngrit më 1951 dhe përfshinte fabrikën e sheqerit pluhur, atë të tharjes së bërsive, termocentralin dhe ofiçinën mekanike.

“I preferuari” i Ramës, më 30 shtator 2020, ka marrë me koncesion liqenin “Xarrë-Bufi” në Butrint, me atë që quhet “kontrata e plotë vetëm 1 Euro”. Bashkë me firmën “Kleris B” sh.p.k, ai do mbajë me 10 vite Liqenin e Bufit dhe Pritën e Rrëzës, në Sarandë.

gjergj luca edi rama

Sondazh

Poll