Politike

VD-Tradhëti nga Meta? Berisha: S'i druhem aspak, unë dhe ai do rrëzojmë Ramën

Sipas Berishës, ai dhe Meta do të rrëzojnë qeverinë e kryeministrit Edi Rama. 

7 Qershor 2022, 12:46 Nga F.M
VD-Tradhëti nga Meta? Berisha: S'i druhem aspak, unë dhe ai do
Sali Berisha

TIRANË- Ish-kryeministri Sali Berisha është i bindur se nga ana e Presidentit Ilir Meta nuk do të ketë asnjë tradhëti. Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se nuk i druhet asnjë tradhëtie nga Meta, duke shtuar se të dy bashkë do të drejtojnë Opozitën pas 24 korrikut, ditë që i jep fund mandatit të Metës si President. Sipas Berishës, ai dhe Meta do të rrëzojnë qeverinë e kryeministrit Edi Rama. 

Pjesë nga prononcimi: 

Pyetje: Mendoni se po i jep sinjale Ramës për një bashkëpunim Meta me këtë veprim?

Berisha: Jo, nuk mendoj. Normalisht. Gërma e Kushtetutës nuk parashikon mundësinë e firmosjes së dekretit kudo që ndodhet presidenti, fryma është tjetër.

Pyetje: Pasi z.Meta të lërë Presidencën përfundimisht a do të bëni së bashku opozitë?

Berisha: Pa diskutim. S’ka diskutim ajo punë. Ajo është normale. Në qoftë se mund të kemi diferenca në gjëra të tilla, asgjë nuk na pengon ne në betejën tonë kundër Edi Ramës.

Pyetje: Presidenti Meta ditën e djeshme nuk e ka mohuar dhe as e ka pohuar mundësinë e një bashkëpunimi me kryeministrin Edi Rama. A i druheni sërish një tradhtie nga z. Meta?

Berisha: Jo nuk i druhem. Nuk i druhem aspak asnjë tradhëtie.

Berisha e ashpërsoi retorikën me Metën, kur ky i fundit firmosi dekretin në Stamboll dhe liroi Begajn nga detyra që mbante si shefi i shtabit të Forcave të Armatosura. Në këtë mënyrë, Meta i hapi Begajt rrugën për tu bërë President, por Berisha e konsideroi shkelje kushtetuese. Një natë më parë, edhe Kreu i Shtetit mohoi të kishte krisje mes tyre.

Sondazh

Poll