Aktualitet

Nano kërkesë krerëve të Policisë: Dërgojini në befasi për testin e drogës efektivët që dyshoni

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gledis Nano është ndalur edhe te ecuria e testit të drogës për punonjësit e Policisë.

30 Maj 2022, 14:15 Nga DOSJA
Nano kërkesë krerëve të Policisë: Dërgojini
Gledis Nano

TIRANË- Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano, paraditen e sotme, zhvilloi një takim me drejtuesit e strukturave të Policisë, në qendër dhe në bazë, ku mes të tjerash ka kërkuar që të mos ulet ritmi në luftën ndaj krimit, por të rritet akoma më shumë forca goditëse.

“Të bëhet punë policore profesionale, që grupet apo elementet e veçuara kriminale të mos gjejnë qetësi dhe terren të përshtatshëm për të zhvilluar aktivitetin e tyre,”- ishte porosia e qartë e drejtorit të Policisë. Po ashtu, Nano ka kërkuar që të vijojë kontrolli i territorit nga toka dhe nga ajri, ndërsa për ato zona “që do të raportohen të pastra", por më pas nga monitorimi ajror do evidentohen bimë narkotike të mbjella, përgjegjësia do të bjerë direkt mbi drejtuesit e strukturave policore.

“Të bashkëpunohet me OSHEE-në, me qytetarët dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese, me qëllim që të evidentohen, në rast se ka, ambientet e përshtatura për kultivim të bimëve narkotike me anë të pajisjeve që furnizohen me energji elektrike. Të zhvillohen kontrolle në të gjitha ato ambiente për të cilat ka dyshime dhe të çohet para përgjegjësisë çdo punonjës i administratës, që mund të jetë i implikuar, në rast se evidentohen raste të tilla.

Jemi në nisje të sezonit turistik, prandaj duhet një angazhim maksimal nga Policia Kufitare, Policia e Rendit, Policia Rrugore dhe Policia Kriminale. Duhet të merren masa për muzikën e lartë, që është shqetësim për banorët, si dhe të ushtrohen kontrolle në të gjithë vijën bregdetare, për të marrë informacione për personelin që punon në lokale, hotele dhe subjekte të tjera, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë së turistëve dhe pushuesve.

Policia Rrugore duhet të vijojë punën, më të njëjtin intensitet si gjatë këtij muaji, gjatë të cilit, çdo javë janë pezulluar 500-600 leje drejtimi, më qëllim që kjo punë të japë rezultat në rritjen e parametrave të sigurisë rrugore dhe jo të krijojë te qytetarët përshtypjen sikur Policia Rrugore punon me fushata”.

Nano është ndalur edhe te ecuria e testit të drogës për punonjësit e Policisë.

“Çdo titullar i strukturave vendore të grumbullojë informacion dhe të dërgojë në mënyrë të befasishme për të kryer testin e drogës ata punonjës që dyshohet se mund të përdorin lëndë narkotike. Ky është një proces që do të jetë në vijimësi dhe nuk do të mbarojë kurrë, ndaj vlerësojeni me shumë seriozitet,”- ka kërkuar Nano, ndërkohë që deri më tani testi do të ripërsëritet vetëm për 45 punonjës të Policisë. Në fund, Nano ka kërkuar nga të pranishmit në mbledhje, që të evidentojnë rastet e konflikteve ndërmjet punonjësve të Policisë dhe t’u japin zgjidhje shteruese, në rast se ka raste të tilla.

(k.m/dosja.al)

Sondazh

Poll