Politike

VD-Presidenti/ Dështon raundi i tretë, opozita s'ka më shanse, e zgjedh PS

Tani zyrtarisht kryeministri Edi Rama do të zgjedhë kreun e ri të shtetit, atë që do të pasojë në detyrë presidentin Ilir Meta, pas përfundimit të mandatit.

30 Maj 2022, 07:49 Nga DOSJA
VD-Presidenti/ Dështon raundi i tretë, opozita s'ka më
Lindita Nikolla

TIRANË- Raundi i tretë për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit është ezauruar! Tani zyrtarisht kryeministri Edi Rama do të zgjedhë kreun e ri të shtetit, atë që do të pasojë në detyrë presidentin Ilir Meta, pas përfundimit të mandatit. Pas mbledhjes së Komisionit të Ligjeve, të cilin grupi i Enkelejd Alibeajt e bojkotoi, konfirmua se nuk ishte paraqitur asnjë kandidat, nga asnjë prej palëve. Më pas, votimi u krye në sallën e Kuvendit të Shqipërisë.

Pas seancës që zgjati 4 minuta, palët dolën për të dhënë prononcime për mediat, ku kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla, ftoi sërish opozitën për dialog, që të ndajë më mazhorancën përgjegjësinë e zgjedhjes së kreut të vendit. Megjithatë kjo duket se nuk është e mundur, pasi Enkelejd Alibeaj ka lënë të kuptohet se nuk do të jetë më pjesë e procesit. Për mediat, jashtë Kuvendit, Alibeaj tha se të vetmit që morën pjesë në procesin për zgjedhjen e presidentit deri tani ishte opozita, duke shtuar se nuk donin një president të njëanshëm, por një president mbi palët.

 

Ndërkohë që nesër në orën 10:00 do të mblidhet Kuvendi për të bërë edhe votimin në seancë plenare, por me shumë gjasa nuk do të ketë votim, pasi kryeministri Edi Rama, e zyrtarë të tjerë të qeverisë, nuk ndodhen në Shqipëri. Rama dhe kryediplomatja Olta Xhaçka po zhvillojnë një udhëtim punë në SHBA, ndaj me shumë gjasa do të pritet për kthimin e tyre në sallën e Kuvendit, ku tashmë mund të kalojnë çdo emër.

Tashmë 'barriera' për 84 vota për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit nuk ekziston më dhe në raundin e katërt e të pestin, socialistët kanë të drejtë që të zgjedhin presidentin e vendit, por ende nuk ka bërë publik asnjë emër. Edhe pse në të gjitha daljet e tyre publike kanë paralajmëruar se do t’i japin shqiptarëve një president, sipas tyre, të drejtë e shumë ndryshe nga Ilir Meta. Megjithatë kanë respektivisht edhe nga 2 javë kohë që të dalin në një emër dhe ta votojnë në Kuvend.

Pas përfundimit të afatit ende nuk ka një reagim zyrtar as nga opozita dhe as nga maxhoranca, e cila ka në zarf kandidaturat e saj për kreun e shtetit. Edhe pse ka zgjedhur që gjithçka të jetë "top sekret" e asnjë emër të mos "rrjedhë" në media. E nga ana tjetër, kryedemokrati Sali Berisha dhe mbështetësit e tij e kanë bojkotuar procesin, duke e cilësuar si farsë, pasi sipas tyre, Rama e ka emrin e pasardhësit të Ilir Metës. Ndërsa Enkelejd Alibeaj dhe përfaqësues të tjerë të grupeve parlamentare kanë negociuar me grupin e socialistëve, por kurrë nuk kanë diskutuar për emra.

10 maji është data e konsideruar si nisja e procesit të zgjedhjes së Presidentit të Republikës ndaj maksimumi brenda gjysmës së dytë të qershorit do të kemi një President të ri Republike. Sipas Kushtetutës procesi i zgjedhjes së Presidentit të Republikës në Kuvend nis jo më vonë se 60 ditë para mbarimit të mandatit të Presidentit aktual.

(a.b.k.m/dosja.al)

Sondazh

Poll