Politike

Zyrtare! Presidenti propozohet nga PS, afati i opozitës përfundoi, s'ka kandidatë

Ora 16:00, sot ishte afati i fundit për të depozituar emra, ndërkohë që nesër në orën 10:00 do të mblidhet Kuvendi për të bërë edhe votimin në seancë plenare.

29 Maj 2022, 08:26 Nga DOSJA
Zyrtare! Presidenti propozohet nga PS, afati i opozitës përfundoi,
Konferenca e Kryetareve

TIRANË -Sot është djegur edhe shansi i fundit i opozitës për t'i kërkuar mazhorancës që presidenti i ri i vendit të dalë nga propozimet e tyre. Raundi i tretë është i fundit ku nevojiten të paktën 84 vota për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit pasi në raundin e katërt mazhoranca ka njoftuar se do të japë vete një emër pasi ka të 71 votat e nevojshme. Ora 16:00, sot ishte afati i fundit për të depozituar emra, ndërkohë që nesër në orën 10:00 do të mblidhet Kuvendi për të bërë edhe votimin në seancë plenare.

Tashmë 'barriera' për 84 vota për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit nuk ekziston më dhe në raundin e katërt e të pestin, socialistët kanë të drejtë që të zgjedhin presidentin e vendit, por ende nuk ka bërë publik asnjë emër. Edhe pse në të gjitha daljet e tyre publike kanë paralajmëruar se do t’i japin shqiptarëve një president, sipas tyre, të drejtë e shumë ndryshe nga Ilir Meta. Megjithatë kanë respektivisht edhe nga 2 javë kohë që të dalin në një emër dhe ta votojnë në Kuvend.

Pas përfundimit të afatit ende nuk ka një reagim zyrtar as nga opozita dhe as nga maxhoranca, e cila ka në zarf kandidaturat e saj për kreun e shtetit. Edhe pse ka zgjedhur që gjithçka të jetë "top sekret" e asnjë emër të mos "rrjedhë" në media. E nga ana tjetër, kryedemokrati Sali Berisha dhe mbështetësit e tij e kanë bojkotuar procesin, duke e cilësuar si farsë, pasi sipas tyre, Rama e ka emrin e pasardhësit të Ilir Metës. Ndërsa Enkelejd Alibeaj dhe përfaqësues të tjerë të grupeve parlamentare kanë negociuar me grupin e socialistëve, por kurrë nuk kanë diskutuar për emra.

Meqë 10 maji është data e konsideruar si nisja e procesit të zgjedhjes së Presidentit të Republikës ndaj maksimumi brenda gjysmës së dytë të qershorit do të kemi një President të ri Republike. Sipas Kushtetutës procesi i zgjedhjes së Presidentit të Republikës në Kuvend nis jo më vonë se 60 ditë para mbarimit të mandatit të Presidentit aktual.

Domethënë në rastin konkret maksimumi duhet të ishte data 24 maj, pasi mandati i Metës mbaron më 24 korrik. Me shpejtësi, tani socialistët duhet të propozojnë një emër dhe ta kalojnë me 71 vota. Sipas hapësirave ligjore, data kur mund të kemi një presidenti është 6 qershori.

(k.m.d.a/dosja.al)

Sondazh

Poll