Politike

Koncesioni i bazave të ushtrisë, Xhaferaj thërret në interpelancë Niko Peleshin

Sipas investigimeve të bëra nga mediat, baza detare ekzistuese e Pashalimanit u rrudh me 85 % të sipërfaqes me anë të një truku korruptiv të vitit 2016, ndërsa baza ndihmëse e Sarandës shkoi drejt shfarosjes pasi u dha me koncension.

29 Maj 2022, 14:56 Nga DOSJA
Koncesioni i bazave të ushtrisë, Xhaferaj thërret në
Ferdinand Xhaferaj

TIRANË- Deputeti i Partisë Demokratike, Ferdinand Xheferaj ka thirrur në interpelancë ministrin e Mbrojtjes, Niko Peleshi nesër në seancën plenare. Mësohet se interpelanca ka të bëjë me dhënien me qira dhe koncesion të pronave të bazave të ushtrisë dhe të objekteve të tjera. 

Prej kohësh në media ka pasur akuza lidhur me veprimtarinë e paraardhëses së Peleshit, Olta Xhaçkës. Sipas investigimeve të bëra nga mediat, baza detare ekzistuese e Pashalimanit u rrudh me 85 % të sipërfaqes me anë të një truku korruptiv të vitit 2016, ndërsa baza ndihmëse e Sarandës shkoi drejt shfarosjes pasi u dha me koncension.

Të akuzuar janë zyrtarë të lartë mes të cilëve edhe ish-ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, që gjatë vlerësimit të pronave të forcave detare më 2016-ën, firmosën copëzimin e tyre, duke lënë një pjesë të majme jashtë planit të përhapjes. Kleçka e përdorur ishte lënia e tyre pa koordinata gjeografike. Si pasojë forcat detare humbën 80 prona të lakmuara me një sipërfaqe prej rreth 480 hektarësh.

Zëvendëskomandanti i liruar i Forcës Detare, Artur Meçollari, më 31 mars 2021 ka paditur pranë Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit Dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ish-ministren e Mbrojtjes, Olta Xhaçka. Pas disa ditësh, më 6 prill 2021, Artur Meçollari ka depozituar pranë SPAK edhe një tjetër padi për shpërdorim detyre në adresë të Gjeneral Major Bajram Begajt, me detyrë shef i Shtabit të Përgjithshëm të FA, Gjeneral Brigade Ilir Xhebexhisë, me detyrë komandant i Forcës Detare dhe kolonel Altin Kurtit, me detyrë komandant i Policisë Ushtarake. Sipas padisë, drejtuesit më të lartë të Forcave të Armatosura janë përgjegjës për ndërtimin e paligjshëm, të kryer në brendësi të territorit të Bazës së Shëngjinit.

Më 29 korrik 2021, SPAK i konfirmoi autorit të këtij shkrimi se kishte nisur hetimet për të dyja këto padi, ndërsa më 14 shtator 2021 i pohoi se nuk kishte ende persona nën hetim.

(k.m/dosja.al)

 

Sondazh

Poll