Politike

Presidenti/ Rama: Pse t’ja dorëzojmë Opozitës? Të bien dakort me ne ose vendos vota

Rama tha se në të katërtin vendosin vetë pasi i kanë votat e mjaftueshme.

16 Maj 2022, 17:34 Nga DOSJA
Presidenti/ Rama: Pse t’ja dorëzojmë Opozitës? Të bien
Edi Rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama i ka lënë afat Opozitës për të vendosur për çështjen e Presidentit deri në raundin e tretë. Në një deklaratë për mediat, pas djegies së raundit të parë, Rama tha se në të katërtin vendosin vetë pasi i kanë votat e mjaftueshme. I pyetur në lidhje me kushtin e Enkelejd Alibeajt për ta pasur PD-ja propozimin, Rama tha se maxhoranca nuk kishte asnjë arsye pse t'ia dorëzonte Opozitës Kreun e Shtetit. Ai shtoi se ata duhet të bien dakort me PS-në, në të kundërt do të vendosë vota, referuar raundit të katër. 

Pjesë nga prononcimi: 

Edi Rama: Dihet që ne nuk i kemi 84 votat e nevojshme për të kaluar tre raunde, nuk më rezulton që ka një artësi, ide apo vullnet nga ana e palëve të tjera.

Pyetje: Ka një emër?

Edi Rama: Jo nuk ka

Pyetje: PD kërkon që të bëjë propozimet

Edi Rama: Pse për çfarë arsye? Pse duhet të dorëzojme të drejtën për të marrë pjesë në këtë proces? Dhe t’ja kalojë kujt? Kujt se s’po dimë kë kemi në anën tjetër sepse kemi lloj lloj copash, lloj e lloj çikash, nuk ka logjikë, e kemi kaluar këtë proces kur kemi qenë në Opozitë, dy herë, në kohën e drejtimit tim në PS, një herë kur kishim numra të mjaftueshëm për të bllokuar 84-n pavarësisht se si shkuan gjërat dhe njëherë tjetër kur s’i kishim, pra i kishte PD. Ne jemi ulur në tavolinë dhe kemi bërë procedurat, pavarësisht se shumica e asaj kohe zgjodhi një tjetër president, nga radhët e shumicës, ky është roli i Opozitës, që të jetë e hapur të bjerë në dakortësi, në rast se bie dakort, në rast se jo, rrugët ndahen dhe vendos vota. S’e kuptoj këtë, jo po duhet ta vendos vetë.

Kuvendi i Shqipërisë është mbledhur dhe seanca për Presidentin e ri është ezauruar brenda pak minutave pasi nuk kishte asnjë kandidat. Tashmë pritet që Konferenca e Kryetarëve të përcaktojë datën për raundin e dytë, i cili nuk mund të mbahet përtej afatit 7 ditor nga dita e sotme. Mbledhja e Konferencës së Kyetarëve pritet të mbahet nesër. PS ka zgjedhur datën 20 maj për zhvillimin e raundit të dytë, ndërsa PD kërkon datën 23 për të respektur diferencën prej 7 ditësh mes raundeve.

(f.m/dosja.al)

Sondazh

Poll