Politike

100 vite marrëdhënie Shqipëri-SHBA, Pompeo në Tiranë! Alibeaj kundër Berishës: Mbetje e komunizmit

Ish sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ndodhet në vendin tonë në kuadër të marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-SHBA. Në eventin e mbajtur sot, Enkelejd Alibeaj dha një mesazh të qartë për Berishën duke e cilësuar "mbetje të mentalitetit të diktaturës komuniste".

16 Maj 2022, 12:59 Nga DOSJA
100 vite marrëdhënie Shqipëri-SHBA, Pompeo në Tiranë!
Pamje nga ceremonia e sotme

TIRANË- Ish-sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo është i ftuari i nderit në ceremoninë e 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuar të Amerikës. Gjatë fjalës së tij, Pompeo tha se përkushtimi për të mbajtur njëjtë këto marrëdhënie vijon të jetë i njëjtë, ndaj dhe uroi që miqësia të ketë edhe 100 vite të tjera.

Pas tij, për marrëdhëniet diplomatike midis Shqipërisë dhe SHBA foli edhe ambasadorja amerikane Yuri Kim, por mesazhin më të fortë në prani të amerikanëve e dha Enkelejd Alibeaj. Ky i fundit dha një mesazh të qartë për ish-kryeministrin Sali Berisha, i cili është shpallur “non grata”, duke e cilësuar si mbetje të mentalitetit të diktaturës komuniste.

Duke folur në takimin e organizuar për 100 vjetorin e marrëdhënieve Shqipëri-SHBA, Alibeaj tha se ka njerëz që duan t’i tregojnë rrugën Amerikës, edhe pse vetë kanë humbur busullën, por edhe pse nuk e ka përmendur me emër, ka lënë të kuptohet se gjithë fjala e tij i drejtohej liderit historik të Partisë Demokratike. Një fjalë të shkurtër mbajti edhe Taulant Balla, i cili foli për rëndësinë e mbështetjes amerikane, duke e cilësuar si partnerin strategjik të Shqipërisë që përbën themelin e politikës së jashtme.

Një tjetër detaj që u vu re ishte fakti që në eventin e sotëm, ishin të ftuar demokratë e socialistë, por mungonin anëtarët e Komisionit të Rithemelimit. Ndoshta nuk ishin ftuar, por asnjë nuk ndodhej në sallë, përveç deputetëve që kanë dalë hapur kundër ish-kryeministrit Sali Berisha.

Ky i fundit, pas shpalljes “non grata” nga DASH, ka nisur fushatën për të marrë drejtimin e Partisë Demokratike ndërsa nuk heziton të sulmojë edhe ambasadoren amerikane në Shqipëri, Yuri Kim. Sipas tij, vendimi kundër tij është marrë si pasojë e lobimeve, duke shtuar se shpreson që me ndryshimin e administratës në Amerikë, do të tërhiqet edhe vendimi ndaj tij. Ndërkohë që ka nisur edhe një proces gjyqësor në Francë me sekretarin amerikan të shtetit, Antony Blinken.

(k.m/dosja.al)

Sondazh

Poll