Sport

Son i zhgënjyer me zëvendësimin, Conte: “Nuk mendoj vetëm për këtë ndeshje”

14 Maj 2022, 10:36 Nga DOSJA
Son i zhgënjyer me zëvendësimin, Conte: “Nuk mendoj

“Ata shpenzuan shumë energji për këtë ndeshje dhe unë vendosa t'i jap pak pushim,”- deklaroi trajneri i Tottenham pas ndeshjes

ANGLI - Shënues i golit ndaj Arsenalit, sulmuesi Son u zëvendësua në të 72-tën minute në derbin e Londrës Veriore. Teksa dilte nga fusha, ai nuk e fshehu pakënaqësinë e tij ndaj Antonio Contes. Shprehja e ‘zemërimit’ ishte e dukshme në transmetimin televiziv dhe koreano-jugori e konfirmoi atë menjëherë pas fishkëllimës së fundit.

“Natyrisht që gjithmonë dua të luaj, por çfarë mund të them, duhet ta pranoj. Kemi një ndeshje të dielën (kundër Burnleyt) dhe kjo duhet të ketë qenë arsyeja. Nuk jam i mërzitur, por i zhgënjyer. Megjithatë, duhet të mendoj për ndeshjen tjetër”,- tha Son për “Sky Sports”, ndërkohë që është vetëm një gol larg kapjes së Salahut në krye të tabelës së golashënuesve.

Më vonë ishte radha e trajnerit Antonio Contes për të justifikuar zëvendësimit të sulmuesit. “E di që Son donte të vazhdonte të luante, por unë nuk po mendoj vetëm për këtë ndeshje dhe ne duhet t'i kemi të gjithë të përgatitur për ndeshjen e radhës. Ata shpenzuan shumë energji për këtë ndeshje dhe unë vendosa t'i jap pak pushim. Ndërkohë, kemi biseduar tashmë dhe Son më tha se të dielën do të tentonte të shënonte”,- përfundoi ai.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll