Aktualitet

SHPJEGIMI LIGJOR-Pse PD nuk e ankimon dot vendimin e sotëm…

25 Mars 2022, 13:41 Nga DOSJA
SHPJEGIMI LIGJOR-Pse PD nuk e ankimon dot vendimin e sotëm…

TIRANË– Beteja e Partisë Demokratike tani ka përfunduar në dyert e Gjykatës së Tiranës, ku palët pretendojnë legjimitetin për drejtimin e selisë blu. Sot, gjyqtari Agron Zhukri ka vendosur që të njohë vendimet dhe Statutin e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike, të thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha. E menjëherë më pas, si Enkelejd Alibeaj dhe figura të tjera të PD-së, që gjithashtu janë edhe njohës të ligjit, kanë dalë kundër duke ngritur pretendime që në fakt nuk qëndrojnë. Përveç përdorjes së akuzave ndaj gjyqtarit, Dosja.al ka bërë një shpjegim më ligjor se përse PD nuk mund ta ankimojë vendimin, por edhe shpjegohet se përse Komisioni i Rithemelimit nuk mund të shkojë brenda ditës dhe të marrë drejtimin e selisë blu. Të paktën, të bazuar në ligj!

MUNGESA E PALËVE

Në një deklaratë për mediat, kryetari i Komanduar i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj pretendon se nuk ka palë dhe se gjyqi i sotëm është i pavlefshëm. Por pse duhet të ketë palë? Në seancën për Kuvendin e 17 korrikut 2021, kishte palë? Kërkesa u depozitua nga anëtarë dhe deputetë të Partisë Demokratike, ndaj cila është logjika? Pse duhet të kishte palë? Me të njëjtën logjikë, edhe vendimi për 17 korrikun s’është legjitim sepse nuk ka pasur palë dhe Lulzim Basha nuk ka qenë gjatë gjithë kësaj kohe kryetari i Partisë Demokratike.

MUNGESA E DOSJES

Gjithashtu po diskutohet edhe për mungesën e një dosjeje, duke iu referuar asaj të vendimit për 17 korrikun të firmosur nga gjyqtarja Blerina Muça. Vendimi u dha më 18 dhjetor, ndërkohë që ende nuk është zbardhur i plotë për t’i lënë mundësinë palëve që ta ankimojnë. Sipas ligjit, vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë mund të ankimohet vetëm brenda 15 ditëve, por duhet që të jetë zbardhur i plotë. Ndaj në fakt, mungesë dokumentesh ka Indrit Sefa dhe PD-ja.
Ankimi që u dërgua dje me shpejtësi pasi doli lajmi se sot do të merrej vendimi për Kuvendin e Berishës, nuk ka një akt themeltar që ankimon. Është bërë e gjitha para afatit! Sipas nenit 454, pika B, paraqitja e ankimimit dhe gjykimit në Apel bëhet pasi ka dalë vendimi i plotë ndaj të cilit bëhet ankimi.

Neni 454

Përmbajtja e ankimit
Në ankim duhet të tregohen:
a) palët ndërgjyqësa;
b) vendimi kundër të cilit bëhet ankimi;
c) shkaqet për të cilat bëhet ankimi;

Po ashtu, sipas nenit 455, në rast se ankimi nuk plotëson kushtet, palët kanë kohë 5 ditë që të ndreqin të metat, në të kundërt ankimi kthehet pas. Kështu që PD nuk mund ta quajë në fakt legjitim ankimimin e bërë kur në fakt, Gjykata nuk është shprehur as për ta, nëse dokumentat janë në rregull dhe në përputhje me ligjin.

Neni 455

Dokumentet që i bashkëngjiten ankimit
(Ndryshuar paragrafi II me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 79)
Bashkë me ankimin duhet të paraqiten:
a) kopje të ankimit dhe të dokumenteve të tjera, aq sa janë personat që marrin pjesë në çështje si palë;
b) Në rast se ankimi nuk plotëson kushtet e mësipërme, si dhe ato të neneve 453 dhe 454 të këtij Kodi, gjykata njofton palën që të ndreqë të metat brenda 5 ditëve, në të kundërt ankimi kthehet. Pra shkurt: kërkesa e PD pritet që të refuzohet sepse ankimimi është nisur pa u zbardhur vendimi! Duket se nxitimi u ka prishur punë në këtë rast…

EDHE RITHEMELIMI PRET…

Njëjtë veprohet edhe me vendimin e sotëm! Vetëm pasi Gjykata ta zbardhë të plotë vendimin e sotëm, atëherë ai do të bëhet i ekzekutueshëm. Duhet të presim të paktën 30 ditë deri në zbardhjen e vendimit që Komisioni i Rithemelimit të kërkojë ndihmën e “Përmbarimit” për të rimarrë selinë blu. Berishën dhe grupin e tij, i pengon vetëm koha pasi vendimi i sotëm është i pamundur që të ankimohet, sidomos nga struktura po të Partisë Demokratike. I vetmi ngërç ligjor që mund të shkaktohet është nëse Gjykata e Tiranës pranon dhe njeh edhe vendimet që ka marrë Kuvendi i mbajtur nga Lulzim Basha një javë më pas, më 18 dhjetor. Një situatë e tillë do të bënte që beteja për PD-në të vazhdonte, por kësaj here në dyert e gjykatave, gjithmonë në pritje të afateve dhe vendimeve…

(k.m/dosja.al)

Ndihmës-Sekretarja e Shtetit takoi Alibeajn, ndërsa Paloka deklaroi se ka firmosur peticionin kundër ambasadores Kim. Çfarë do të thotë kjo për PD?

View Results

kryesore politike

Sondazh

Poll