Aktualitet

SPAK e ka marrë të pandehur, KPA pezullon nga detyra gjyqtarin Ardian Hajdari

8 Shkurt 2022, 11:56 Nga DOSJA
SPAK e ka marrë të pandehur, KPA pezullon nga detyra gjyqtarin Ardian

TIRANË – Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka vendosur të pezullojë nga detyra anëtarin e saj Ardian Hajdari me funksion gjyqtar. Vendimi është marrë pasi Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e ka marrë të pandehur Hajdarin. Në mbledhjen e sotme të gjyqtarëve të KPA u vendos pezullimi i tij nga detyra, i cili merr fuqi menjëherë.

NJOFTIMI I KPA
Pas vënies në dijeni për marrjen në cilësinë e të pandehurit të gjyqtarit Ardian Hajdari nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit u zhvillua më datë 07.02.2022, Mbledhja e Gjyqtarëve, e cila me vendimin nr.13, datë 07.02.2022, në mbështetje të nenit C, pika 3 e Aneksit të Kushtetutës, të nenit 128, pika 3, germa “b”, të nenit 179, pika 7, si dhe të nenit 179/b, pikat 5 dhe 6 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, vendosi:

1. Pezullimin nga detyra të gjyqtarit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, z. Ardian Hajdari.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

Historia e Ardian Hajdarit
Hajdari është kallëzuar penalisht për akuzat e fshehjes së të ardhurave dhe deklarimit të rremë të pasurisë në qershor 2020. Padia ndaj tij është ngritur nga ish-prokurorët dhe ish-gjyqtarët Antoneta Sevdari, Elsion Sadiku dhe Ervin Metalla.

Sipas tyre, ndryshe nga sa ka deklaruar para Komisionit Ad Hoc të Kuvendit, Hajdari në CV-në e tij, ka deklaruar se ka ushtruar profesionin e avokatit nga viti 2002-2004 dhe nga viti 2006 e në vazhdim. Pra, për 13 vite pasi u përvoja tjetër profesionale si jurist në Hidrocentralin e Komanit dhe Bashkinë e Vaut të Dejës nuk përfshihet në grupin e profesioneve të parashikuara në ligj.

Denoncuesit pretendojnë se Hajdari ka gënjyer dhe ka deklaruar të dhëna të pavërteta në Kuvend kur ka thënë se ka ushtruar profesionin e avokatit për 17 vite, në një kohë kur ai nuk mund të punonte jurist në administratë dhe njëkohësisht të ushtronte profesionin e avokatit.

Denoncuesit e kanë kallëzuar dhe për “fshehjen e të ardhurave”, pasi ai është regjistruar për herë të parë në organet tatimore për të ushtruar profesionin e avokatit, në prill të 2007-ës.

Më herët, sipas të njëjtëve ai nuk ka qenë i regjistruar në organet tatimore para kësaj periudhe dhe nuk ka paguar sigurimet shoqërore për ushtrimin e profesionit të avokatit. Gjithashtu Hajdari është paditur për veprën penale, “refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.

(d.v/dosja.al)

 

Ndihmës-Sekretarja e Shtetit takoi Alibeajn, ndërsa Paloka deklaroi se ka firmosur peticionin kundër ambasadores Kim. Çfarë do të thotë kjo për PD?

View Results

aktualitet aktualitet kpa spak kpa spak

Sondazh

Poll