Politike

Albin Kurti e uron Ramën për mandatin e tretë: Le të fillojmë përgatitjet për mbledhjen e dy qeverive. Kryeministri: Sapo

17 Shtator 2021, 13:26 Nga DOSJA
Albin Kurti e uron Ramën për mandatin e tretë: Le të

PRISHTINË– Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i ka dërguar një letër të hapur homologut të tij shqiptar, Edi Rama duke e uruar për mandatin e tij të tretë në krye të qeverisë. Në letrën e tij, Kurti shkruan se Shqipëria mund të llogarisë në çdo kohë mbështetjen e Kosovës, duke shtuar se mandati i tretë është një tjetër mundësi për të realizuar projekte për shqiptarët në të dyja anët e kufirit.

“Unë jam me shpresë se në këtë mandat Shqipëria do të shoh progres të gjithanshëm. Duke ju uruar suksese gjatë mandatit tuaj qeverisës dhe me kënaqësinë që shkëlqesia juaj të vizitojë Kosovën në një kohë të përshtatshme për Ju, e të fillojmë përgatitjet për mbledhjen e përbashkët të të dy qeverive, pranoni përshëndetjet më të sinqerta dhe konsideratën më të lartë,”-shkruan Kurti. Ndërkohë që kryeministri Edi Rama i ka kthyer përgjigje menjëherë ftesës së homologut të tij nga Kosova, Albin Kurti për mbledhjen e dy qeverive. Rama e siguroi se do të vizitonte shumë shpejt Kosovën, sapo të kthehej nga Asambleja e OKB-së në Nju York.

Faleminderit Albin Kurti! Patjetër do ta vizitoj me shumë kënaqësi Kosovën, me t’u kthyer nga Asambleja e OKB! Le t’ia nisim menjëherë me përgatitjen e Mbledhjes së Përbashkët. Uroj megjithë zemër dhe kam besim se do të bëjmë plot punë të mira në dobi të të dy shteteve tona,”-shkruan Edi Rama.

Letra e plotë e Kryeministrit Kurti:

Shkëlqesia Juaj,

Me rastin e zgjedhjes suaj për herë të tretë Kryeministër i Republikës së Shqipërisë pranoni ju lutem urimet më të përzemërta në emrin tim dhe të Qeverisë së Kosovës.

Mandati juaj i tretë vjen në një kohë me plot sfida. Përballja me COVID-19, rimëkëmbja e ngritja ekonomike dhe zhvillimi e konsolidimi i institucioneve demokratike janë vetëm disa nga sfidat të cilat kërkojnë angazhimin tuaj maksimal. Sfida këto në të cilat, Republika e Shqipërisë mund të llogarisë në mbështetjen e pa rezervë të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Ky mandat i tretë është po ashtu mundësi e tretë për të realizuar projekte të cilat kaherë priten nga shqiptarët në të dy anët e kufirit. Rritja e bashkëpunimit ekonomik dhe e shkëmbimit tregtar dhe integrimi i tregut duke hequr barrierat mes shqiptarëve në radhë të parë paraqesin mundësi të shkëlqyer, për realizimin e të cilave qeveria ime dhe unë mbetemi në gatishmëri të plotë.

Unë jam me shpresë se në këtë mandat Shqipëria do të shoh progres të gjithanshëm. Së bashku mund të punojmë në avancimin e parimeve demokratike, në luftimin e krimit dhe korrupsionit, të evazionit fiskal e informalitetit në të dy anët e kufirit dhe të angazhohemi për më shumë drejtësi dhe të drejta e për më shumë barazi e mirëqenie për shqiptarët në gjithë rajonin. Kosova dhe qytetarët e saj i gëzohen tej mase zhvillimit dhe progresit të Shqipërisë të cilën e kanë përherë në mendje dhe zemër.

Në Shqipëri, Kosova dhe shqiptarët kudo në rajon e në botë shohin më shumë se përkrahësin e natyrshëm në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave dhe zhvillimit të gjithmbarshëm të tyre.

Duke ju uruar suksese gjatë mandatit tuaj qeverisës dhe me kënaqësinë që shkëlqesia juaj të vizitojë Kosovën në një kohë të përshtatshme për Ju, e të fillojmë përgatitjet për mbledhjen e përbashkët të të dy qeverive, pranoni përshëndetjet më të sinqerta dhe konsideratën më të lartë.

Albin Kurti

Kryeministër i Republikës së Kosovës

Dje, pas 20 orësh seancë, kryeministri Edi Rama mori votëbesimin për të drejtuar qeverinë edhe për 4 vitet e ardhshme. Nga kutia e votimit, dolën 77 vota pro dhe 53 kundër, ndërkohë që nesër do të bëhet edhe betimi në Presidencë.

(k.m/dosja.al)

Iftar dhe politikë, a u prek Muaji i Ramazanit nga politikanët?

View Results

politike politike albin kurti edi rama qeveria rama 3 albin kurti edi rama qeveria rama 3

Sondazh

Poll