LIVE UPDATES
Aktualitet

Më pak politikë e telenovela turke, më shumë seriale me drogë/ Adrenalina e programeve televizive këtë sezon

21 Shtator 2019, 05:21 Nga DOSJA

Shqipëri- Nëse nuk lufton dot me dallgët, të duhet të notosh me to. Televizionet shqiptare, në këtë sezon të ri televiziv, i janë dorëzuar tendencës ndërkombëtare, ku serialet e platformave të rëndësishme si “Netflix”, po marrin vëmendjen kryesore të audiencës.
Serialet turke po humbasin “shkëlqimin” e tyre me një prani më të vogël në ekran, ndërsa lodhja nga politika ka bërë që dozat me të cilën ofrohet kjo e fundit në emisione të jetë më e vogël. Vihet re maturimi i emisioneve kryesore dhe ruajtja e origjinalitetit të tyre, ndërkohë që eksperimentet me emisione të reja kanë qenë më të pakta

Sezoni i ri në televizione ka nisur pjesërisht, teksa arsenali ende nuk është zbrazur i gjithi. Një pjesë e mirë e emisioneve janë duke u përgatitur me detajet e fundit dhe tetori do të shënojë ndoshta nisjen në potencialin e plotë. Këtë vit, ndryshe nga vitet e tjera, vihet re një tendencë globale, së cilës televizionet shqiptare nuk arritën t’i shpëtojnë dot. Presioni i paralajmëruar vite më parë që vjen nga platforma si YouTube dhe Netflix ka bërë që të përshtaten. Por, cila është oferta e këtij sezoni të ri për teleshikuesit, cilat janë disa nga karakteristikat që e përkufizojnë atë dhe sa vlen koha televizive brenda secilit kanal?

Bie pesha e politikës, televizionet ulin “dozën” në sezonin e ri

Politika nuk është më e preferuara e audiencës shqiptare dhe kjo duket se është shoqëruar me një reflektim të televizioneve që kanë ulur dozën që do të ofrojnë në këtë sezon të ri. Emisionet kryesore politike mbeten disa ku “Opinion” në TV KLAN me Blendi Fevziun mbetet ndoshta i vetmi i pandryshuar, duke ruajtur të njëjtat ditë dhe orare si në sezonin e shkuar, ndërsa Top Channel me “Open” të Eni Vasilit transmetohet çdo të hënë dhe të enjte. Ndërkohë, një herë në javë, është “Top Story” në Top Channel, që kryesisht nuk ka fokus politik. Vizion Plus, nga ana tjetër, do të ketë në dy ditë të javës një emision politik ku njëri do të jetë në formatin talk show dhe tjetri disi më soft, por detajet për oraret dhe prezantuesit mbeten të finalizohen.

“Top Channel është televizioni që udhëheq audiencën drejt standardeve më të mira e më të përzgjedhura. Për sa i takon audiencës shqiptare, preferencat anojnë më shumë për programet argëtuese, duke u ndjekur nga programet politike” nënvizon Vjollca Dedei, drejtore e Programacionit në Top Channel. Të njëjtën gjë konfirmon edhe Fatos Risto nga Vizion Plus, duke theksuar se shqiptarët shohin emisione politike të detyruar nga oferta që kanë. “Sondazhet që ne bëjmë rregullisht me teleshikuesit, po na forcojnë bindjen se shqiptarët nuk e preferojnë më si më parë politikën, por e shohin ‘të detyruar’, sepse kjo iu ofrohet nga televizionet në fashën orare më të rëndësishme, atë të prime-time”, – shprehet ai.

Droga, historia e karteleve më të fuqishme, përfundon në dy ekranet kryesore

Gjithçka me drogë, trafikantë, para dhe përfshirje të qeveritarëve të lartë në to tërheq vëmendjen, ndaj dy seriale që pasqyrojnë lindjen dhe rritjen e karteleve më të fuqishme të drogës në botë do të jenë në transmetim në këtë sezon të ri në dy televizionet kryesore në vend. Top Channel njoftoi se tashmë, ka mbyllur kontratën për serialin e famshëm “El Chapo”, një prodhim origjinal i Netflix, “mbështetur në jetën e një ndër bosëve famëkeq të karteleve të drogës. Rritja e tij nga një anëtar i thjeshtë në bosin e kartelit Sinaloa, rënia e tij dhe gjyqi i sapopërfunduar në SHBA. Marrëdhënia e tij me politikën dhe aktoren e famshme Kate Del Castillo”.

Nga ana tjetër, TV KLAN ka në sezonin e ri një tjetër titull siç është ai i “Narcos”. “‘Narcos’, është një tjetër serial i cili ka premierën botërore televizive në nëntor të 2019. Ai do të vijë ekskluzivisht për publikun shqiptar këtë sezon në TV KLAN. Seriali bazohet në sagën e kartelit të drogës Pablo Escobar me 3 sezone. Pas tij vjen ‘Narcos: Mexico’, me të gjitha sezonet që do të prodhohen” shprehet Albert Dumani, nga TV KLAN.
Lista e serialeve që TV KLAN ka siguruar nga bashkëpunimi me Netflix është e gjatë, duke shënuar, për herë të parë, një distancim pas disa vitesh transmetim intensiv të serialeve turke.

“Zbehet” shkëlqimi i serialeve turke, rikthim i lehtë tek Amerika Latine

Serialet turke, që vitet e fundit kanë qenë në qendër të programacionit të disa prej televizioneve kryesore, duket se po e humbasin shkëlqimin e tyre. Top Channel ka qenë i vetmi që i ka rezistuar tundimit për të futur në programacionin e tij seriale turke.

Por në këtë sezon të ri, falë edhe nostalgjisë dhe suksesit të dikurshëm të telenovelës “E shëmtuara Beti”, rikthen në ekran një prodhim të ri të ngjashëm. “Besoj, të gjithë e mbajnë mend telenovelën e famshme ‘E shëmtuara Beti’, një dramady aq e suksesshme sa shumë shpejt u kthye në një ndër formatet më të shitura e të prodhuara në botë. Këtë herë, është ‘Beti në Nju Jork’, një prodhim i vitit 2019, nga Telemundo / NBC / Universal. Kjo telenovelë fillon transmetimin e saj premierë në datë 23 shtator, nga e hëna në të premte, nga ora 10:00 – 12:00. Çdo ditë, dy episode. Pas kësaj telenovele do të vazhdojmë me një tjetër telenovelë, e prodhuar po nga Telemundo / NBC / Universal, ‘Who is who/Kush është kush’, përsëri një dramady” na shpjegon Dedei nga Top Channel.

TV KLAN, nga ana tjetër, që ka pasur një prani më të gjerë të këtyre serialeve, këtë vit do t’i ketë me tituj disi më të kufizuar. Në TV KLAN do të nisë transmetimin “Ironia e fatit”, çdo martë, të mërkurë dhe të diel me 3 episode premierë. Një dramë rrëqethëse me aktorin idhull Kivanc Tatlitug, ku gjithçka nis me një aksident tragjik automobilistik. Një prodhim i vitit 2019, me 74 episode. “Nga 3 shtatori ka nisur transmetimin një serial brazilian. ‘Një mundësi e dytë’, seriali më i suksesshëm në Brazil, atje i transmetuar në prime-time, me një kastë shumë të mirë dhe dramë interesante”, – shprehet Albert Dumani, drejtor i Programit dhe Blerjeve në TV KLAN.

Vizion Plus, nga ana tjetër, ka zgjedhur të qëndrojë sërish tek serialet turke në përgjigje të interesit të audiencës shqiptare për to. “Për vetë faktin se serialet turke janë kthyer në trendy-n e kohës në Shqipëri dhe mbarë Europën, ‘Lot në Detin e Zi’, bashkë me disa seriale të tjera që mund të ndiqen në Vizion Plus, po marrin një pjesë dominuese edhe në audiencën e Shqipërisë. ‘Familja e Madhe’ është serial kyç. Ai rikthehet në këtë fillim tetori me sezonin e katërt, njëkohësisht me transmetimin në Turqi ku aktualisht ka nisur të prodhohet edhe sezoni i pestë. Është mbyllur kontrata dhe për sezonin e tretë të serialit ‘Molla e ndaluar’, që korri audiencë të lartë në dy sezonet pararendëse. Një tjetër prime-time javor i kushtohet këtij seriali në Vizion Plus. Vjen dhe seriali më i ri ‘Motrat’, i cili po konsiderohet si një tjetër prodhim i ri i suksesshëm me një kastë të jashtëzakonshëm aktorësh”, thotë Risto nga Vizion Plus.

Më i shtrenjtë, më i lirë, programet ku vlen më shumë hapësira televizive

Beteja për më shumë audiencë është gjatë gjithë kohës aktive mes televizioneve, duke e përkthyer shumicën e saj në më shumë të ardhura nga reklamat e biznesit. Ky i fundit në varësi të fushatës, mesazhit që do të transmetojë dhe llojit të produktit, zgjedh edhe fashën më të përshtatshme orare të reklamës. Tradicionalisht, prime-time paguhet më shtrenjtë, ashtu sikurse fakti që emisione të veçantë me popullaritet të lartë kanë tarifa “më të kripura” për hapësirën televizive në dispozicion. Por cila është hapësira më e shtrenjtë dhe më e lirë brenda secilit televizion kryesor në vend.

Në Top Channel, rekordin e tarifës më të lartë të reklamimit e mban “Portokalli”, ku për çdo sekondë para programit paguhet 4410 lekë, ndërsa për ndërprerjet paguhet 8750 lekë për sekondë. Pas tij vjen “Hell’s Kitchen” dhe “Shiko kush luan” me 4000 lekë /sekondë para nisjes së programit dhe 7800 lekë/sekondë në ndërprerjen gjatë transmetimit. Hapësira më e lirë brenda Top Channel është programi “Pop Culture” me një tarifë 650 lekë/sekondë para transmetimit dhe 700 lekë/sekondë gjatë transmetimit.

Referuar çmimeve zyrtare të Televizionit KLAN rezulton që “Opinion”, “Në kurthin e Piter Pan” dhe “Dance with me” të kenë edhe tarifën më të lartë për reklamat ku përpara transmetimit, çdo sekondë paguhet me 3400 lekë dhe në ndërprerjet gjatë transmetimit 6750 lekë. Programi më i lirë është “Aldo Morning Show” me një tarifë 550 lekë/sekondë para transmetimit dhe 950 lekë/sekondë gjatë transmetimit.

Në Vizion Plus, programi me tarifën më të lartë për reklamat është “Dancing with the stars” me 7700 lekë/sekonda për ndërprerjet gjatë transmetimit dhe pas tij vjen “Al Pazar” me 3000 lekë/sekondë para transmetimit dhe 6600 lekë/sekondë në ndërprerjet e transmetimit. Më pas vijnë dy programe të tjera “Nga e para” dhe “Treshat”, me tarifën 3000 lekë/sekondë para transmetimit dhe 6000 lekë/sekondë gjatë transmetimit. Programi me tarifën më të ulët është “Dita nis në ‘7 pa 5’” me një tarifë 300 lekë/sekondë para transmetimit dhe 600 lekë sekondë gjatë transmetimit të emisionit.

Top Channel pasuron programacionin

Vjollca Dedei, Drejtore e Programacionit në Top Channel pohon se në këtë sezon të ri, qëllimi dhe fokusi kryesor është konsolidimi i 31 programeve premierë të Top Channel. Kështu, “Wake Up” ka një shtrirje kohore 07:00 – 10:00. Programi i mëngjesit “Në Shtëpinë Tonë” ka një orar tjetër 12:30 – 15:00, nisur nga “target group” i këtij programi. “Soiree” do të fillojë në orën 21:00 por të mërkurën, për të mundësuar ndjekjen e tij nga të gjithë. “Top Story”, do të jetë çdo të martë, në orën 21:00. Më shumë hapësirë kohore do të ketë për programin “Hipokrati”. Show argëtues e familjar “E Diell”, do të jetë në transmetim gjatë gjithë pasdites, nga ora 15:30 – 19:30, duke sjellë shumë risi.

Në lidhje me serialet që do të jenë nga e mërkura në të shtunë, ora 23:00, Top Channel ka mbyllur kontratën dhe fillon transmetimin të mërkurën në datë18 shtator, me kompaninë e fuqishme “Sony Pictures” për serialin “Damages/Dëmet”. Është mbyllur kontrata për serialin e famshëm “El Chapo”, një prodhim origjinal i Netflix, mbështetur në jetën e një ndër bosëve famëkeq të karteleve të drogës. “Kemi mbyllur “deal memo” për një serial aq të këndshëm, një “remake” e “Dynasty / Dinastia”, aq i ndjekur nga shqiptarët në kohën e komunizmit. Po punohet për mbylljen e negociatave për serialin e paparë “Black List” një bashkëprodhim i “Sony Pictures” me “NBC/Universal”, dy nga kompanitë më të mëdha të Hollywood-it”, thotë Dedei.

Nga telenovelat vjen “Beti në Nju Jork”, një prodhim i vitit 2019, nga Telemundo / NBC / Universal, nga e hëna në të premte, nga ora 10:00 – 12:00 dhe “Who Is who / Kush është kush”. Do vijojnë “Riviera”, “Baroni i Zi”, “Gomorrah”, etj. Kontrata për formatin “Hell’s Kitchen/ Kuzhina e Djallit” është mbyllur me kohë dhe fillon nga dt.11 tetor, çdo të premte ora 21:00. Dedei shton se Top Channel ka mbyllur “deal memo” për formatin e famshëm “Big Brother Celebrity” dhe ka bërë hulumtimin, përzgjedhjen dhe po negocion për një format që nuk është bërë më parë në Shqipëri, “do të jetë vërtet një “boom” se Top Channel gjithmonë guxon për më të mirën”.

Klan u “largohet” telenovelave turke

Albert Dumani, Drejtori i Programit dhe Blerjeve në TV KLAN jep detajet për këtë sezon, duke njoftuar se tashmë ka një zhvendosje totale nga serialet turke në ato amerikane. Këtë sezon vjen bashkëpunimi i Turian Hyskos me Marina Vjollcën në shown e së shtunës “Klanifornia”. Dumani thekson se këtë vit, emisionet dhe serialet e përditshme, nuk janë më nga e hëna në të premte, por nga e hëna në të shtunë, me “Aldo morning show”, “Rudina” dhe “Sfida e gatimit”, po ashtu edhe serialet “Një mundësi e dytë” dhe “Vrasje të vogla”.

Më 23 shtator, nis edicioni i 6 i “Dance with me” nga Vera Grabocka dhe Alketa Vejsiu me pesë çifte të reja të showbizit shqiptar. “Opinion” nga Blendi Fevziu vazhdon takimin e tij me 4 emisione në javë. “E diela shqiptare” nga Ardit Gjebrea, vijon këtë sezon me rubrika të njohura por edhe surpriza. “Sfida e gatimit” vijon sezonin e dytë me një formulë të re nga Alfio dhe Indriti. “Zonë e lirë” nga Arian Çani vazhdon çdo të premte. “Jo vetëm modë” nga Orinda Huta këtë sezon, vjen çdo të shtunë në 20:05, po ashtu vijojnë dy programe të tjera “Histori shqiptare” nga Alma Cupi dhe “Check-in” nga Albana Nanaj.

Nuk mungojnë as serialet. TV KLAN ka lidhur kontratë me kompaninë Sony Pictures duke blerë të drejtat ekskluzive të serialeve më të ndjekur në platformën gjigante Netflix, për “House of cards”, “Narcos”, “The blacklist”, “Hemlock Grove”, “Relationship status”, “XIII”.
Vijon serialei turk “Ironia e fatit”, ndërsa ka nisur seriali brazilian “Një mundësi e dytë”.

Vizion Plus konkurron me seriale dhe prodhime të vetat

Fatos Risto, Drejtor i Programacionit në Vizion Plus pohon se sezoni televiziv që ka nisur është i ndarë në dy pjesë. Në të parin, që vazhdon deri në ndërrimin e viteve, dominojnë prodhimet e Vizion Plus mbështetur në patenta ndërkombëtare. Rivjen “Nga e Para”, me fokus në dhurimin e shtëpive të reja, për shumë familje në nevojë. Në përgatitjet e fundit është dhe “Këndoje këngën time”, një format ku këngëtarët VIP do të ndërthuren me zërat e rinj, talente në muzikë. “Al Pazar”, vijon me humorin e të shtunës.

Mëngjesi i çdo dite është informues, me “7 pa 5”. Po ashtu dhe “Vizioni i Pasdites” dhe “Next”. Kurse për pjesën e dytë të sezonit, nga janari deri në fillim të verës, do të ofrojmë për shikuesit edhe dy programe të reja nën patenta ndërkombëtare, thotë Risto. Risto i konsideron serialet një pikë të fortë të audiencës, kryesisht ato turke. Në prime-time ka tre tituj: “Lot në Detin e Zi”, “Familja e Madhe”, “Molla e ndaluar”. Vjen dhe seriali më i ri “Motrat”. Risto pohon se po finalizohen kontratat me “Universal Pictures” dhe “Lion Gates”, për të kthyer vëmendjen te filmat e shtëpive më të mëdha kinematografike në botë.

“Dixhitalizimi, RTSH vjen si platformë, tashmë me 12 kanale”

Nga 1 tetori, transmetimet analoge për Tiranën, Durrësin dhe Vlorën do të mbyllen në funksion të atij që njihet si dixhitalizimi. Drejtori i Programacionit në Radiotelevizionin Shqiptar, Rezart Aga, shprehet se, edhe fokusi në vetvete nuk ka qenë pasurimi i programacionit për TVSH-në, por plotësimi dhe ofrimi i një platforme me 12 kanale për teleshikuesit.

“Ajo që ka ndodhur me dixhitalizimin dhe me gjithë këtë proces, është që Televizioni Publik vjen këtë sezon me 12 kanale. Risia më e madhe e TVSH-së nuk është programi, por 12 kanalet ku njerëzit i ndjekin ato pa pagesë. Në fund të shtatorit, të gjithë platformat do të dalin në transmetim dixhital ashtu sikurse është njoftuar nga AMA. Në këto kushte, ne donim që TVSH të ofrojë kanalet shqip të dedikuara, ku mund të përmend atë 2 dhe 3, atë të fëmijëve, atë të Parlamentit, apo një kanal dedikuar muzikës. Investimi ka qenë tërësor, për të ofruar një platformë ku secili të gjejë atë që kërkon. Gjithsesi, pjesën e programacionit nuk e kemi lënë mënjanë në kanalin tonë të parë. Kemi vendosur të bëjmë një Gala të madhe të filmit shqiptar. Do të vazhdojmë me gjyshet milionere, por me një rishikim të tij. Është një show për sportin kombinuar me argëtim. Në këtë gamë ka disa prurje të reja. Po kështu ka seriale të rëndësishme”, – shprehet Aga.

Sipas tij, lidhur me reklamat ka gjithnjë interes, edhe për specifikën që ka TVSH, që mbulon 90% të hapësirës. “Ne kemi mbulimin më të madh të çdo lloj hapësire të mundshme. Pra ne kemi një audiencë absolute. Çështja e marketingut dhe reklamave ka të bëjë dhe me pjesën e grupit të interesit. Por interesi është në rritje”, – nënvizon Aga.

 

News 24, më pak politikë më shumë fokus te qytetari

Anduena Manushi, drejtore Programacioni e televizionit News24 pohon se në këtë sezon televiziv është shtuar lista e emisioneve që do t’u ofrohen teleshikuesve, duke pasur në fokus qytetarin. Blerja më e madhe është emisioni “Real Story” i Sokol Ballës, i cili s’do ketë në qendër vetëm temat politike, por dhe të tjera tematika. Do të jetë në transmetim, nga e hëna në të enjte, nga ora 21:00-23:00.
Një emision i ri do të jetë dhe “Alert”, i realizuar nga gazetari Granit Sokolaj, në fushën e sigurisë ushqimore, çdo të mërkurë, në orën 20:00 – 20:45.

News24 do të bashkëpunojë me revistën “Monitor” në një rubrikë ku do të trajtohen çështjet ekonomike më të rëndësishme. Vazhdon bashkëpunimi me gazetarin Bashkim Hoxha dhe emisionin e tij “Koha për t’u zgjuar”. Vijojnë pa shumë ndryshime, emisionet “Vila24”, “Me zemër të hapur”, “Klinika24”, “Kjo javë”, “Shqiptarët për shqiptarët”,. Emisioni “Sport News Plus” i Daljana Sejdisë do të ketë ndryshime gjithashtu, si në skenografi dhe në përmbajtje. Ndërsa rubrika e përditshme sportive “Sport News” me Enxhi Bibën vazhdon normalisht. Vazhdojnë normalisht dhe emisionet “Chic” të Fjodora Fjorës, “Disko Lajme” dhe “Diplomaticus” të Erion Kaçorrit, “Na ishte njëherë muzika” të Gjergj Lekës.

 

“RTV Ora, vjen si gjeneraliste

Nga 16 shtatori, Ora News, ka nisur transmetimet si një televizion me orientim gjeneralist. Brisida Shehaj, Drejtore Programacioni në Radio Televizionin Ora, nënvizon se, krahas lajmeve, programacioni do të pasurohet me elemente të tjera që kanë në fokus argëtimin, informimin, talk shown, spektaklin, serialet televizive, telenovelat, programe aktualiteti, politikë, ekonomi, kulturë, arti, sport.

Programi “Ora Juaj”, që ka në epiqendër kryesisht kryefamiljarët, të cilët hasin problematika të përditshme dhe që kërkojnë ndihmë për zgjidhje.
Emisionet politike, “360 gradë”, “Tempora”, “Arena”, “Boom”, “Ekopolitika” do të jenë pjesë e rëndësishme e programacionit. Emisionet showbizz që nuk do të mungojnë, synojnë të tërheqin ata shikues që janë të interesuar, ndaj këtij formati kryesisht të rinjtë, por jo vetëm. Nuk do të mbeten pas as fëmijët në rubrikat e posaçme për ta në fundjavë. Filmat do të jenë të vendosura në orare kyçe.

Gara e RTV Ora do të vijojë dhe në kanalin tjetër “Ora News”, të orientuar në lajme. Do të mbeten në ekran programe të rëndësishme si “Ditë e re”, “BOOM”, “360 Gradë”, “Tempora”, “Arena”, “Ekopolitikë”, “Late Night Show”, “Mos i fol shoferit” dhe “Why Not”, “Ju flet Moska”.
RTV Ora në gjeneralist do të ketë dhe risi, ku në vijim do t’i bashkohen dhe formate të reja, siç janë: “Kafsho”, “Ora Sport”, thotë Shehaj.

Marrë nga Monitor 

J.V/Dosja.al

Tirana është boshatisur për ditët e pushimit. Cilën nga ritet e shenjta po ndiqni:

View Results

aktualitet aktualitet adrenalina e programeve televizive serialet turke në televizone adrenalina e programeve televizive serialet turke në televizone

Sondazh

Poll

Pas më shumë se katër orësh, qytetarët vijojnë protestën rrugëve të Kryeqytetit

Pas më shumë se katër orësh, qytetarët vijojnë protestën rrugëve të Kryeqytetit

Gjesti i veçantë i protestuesit, u dhuron lule efektivëve në shenjë solidariteti për policin e vrarë

Pas tre orësh protestë, turma vijon qëndresën: Dorëheqje!

Prej më shumë se tre orësh para Kryeministrisë, protestuesit ndezin flakadanë

"Kush s'kërcen nuk është shqiptar o hej"/ PAMJE me dron nga protesta madhështore për Zvërnecin

Thirrja e qytetarit të Rrjollit: Hajde rini, merre situatën në dorë dhe drejto vendin

Me flamuj dhe pankarta në duar, qytetarët e Durrësit sërish protestë për projektin në Zvërnec

Tentoi të futej në Kryeministri, protestuesja bën simbolin e shqiponjës

"Ne i duam parqet, lodrat, natyrën"/ Vogëlushi në protestë thirrje: Mbrojini për ne!

Protesta kundër projektit në Zvërnec/ Brohoret turma: Edi Rama o tradhtar, duhet lidhur me litar

Protesta për Zvërnecin, qytetarë mbajnë 1 minutë heshtje për efektivin e vrarë në krye të detyrës

"Ruani qetësinë, Ramën ta zhdukim me të mirë"/ Tensione në protestën kundër projektit në Zvërnec

PAMJE nga protesta madhështore kundër projektit në Zvërnec/ Oshëtin bulevardi: O pallosh o zagar

Mijëra protestues në shesh thirrje ndaj kryeministrit Rama: Duam dorëheqje

Protesta për Zvërnecin, babai i Martin Canit i bashkohet protestuesve në shesh

Mijëra qytetarë në Bulevard/ Thirrje kundër Ramës dhe Berishës: U ka ardhur fundi, në burg

Balla nga Kuvendi: Greqia u ka borxh shqiptarëve marrëveshjen për pensionet

Dita e 5-të e protestës për Zvërnecin/ Nis marshimi drejt bulevardit: Revolucion

Balla ‘thumbon’ Berishën: U trembe nga protestuesit që erdhën te selia e PD-së dhe ndryshove qëndrim

"Na keni ça k***"/ Noizy shpërthen keq ndaj protestuesve: Nuk po e shet njeri Shqipërinë!

'Zvërneci'/ Berisha: Ju jeni mafie si në Beograd. Të gjitha dokumentet ju i shumëzoni me zero

Berisha: Pse e fshihni kreun e Meduzës. Tokat në Zvërnec i ka rrëmbyer Pjerini nga Lezha dhe Agaçi

Reperi Gashi mbështet protestat për Zvërnecin: Fëmijët tanë nuk janë mysafir në tokën e tyre

Këngëtarja Bebe Rexha vlerësohet me cmimin “Female Icon Award 2026”

Banorët dhe pushuesit përballen me fenomenin e pazakontë në Ksamil

"Ktheni ligjin për investimet strategjike" Bozdo në Kuvend: Betonizuat bregdetin e jugut...

Përplasje e ashpër mes Strazimirit e Muçit: Të rinjtë po protestojnë kundër jush, mbani përgjegjësi

"Marksist-leninist i vogël'! Përplasje e ashpër mes Strazimirit e Muçit:

Ngjarja e rëndë në Maliq/ Autori transportohet drejt Tiranës, familjarët: Çfarë i bëre?!

Berisha: Xhelati Rama u vë protestuesve paqësorë, topat e ujit që gjuajtën edhe foshnjën në karrocë

Berisha-Piro Vengut: Dezertove nga ushtria dhe mashtrove se je pasardhës i Marko Boçarit

Fshihej në një zonë të pyllëzuar, ja vendi ku u gjet autori i ngjarjes në Maliq

"Rama do organizojnë antimiting në Vlorë", Balla i përgjigjet Berishës: Kemi festën e PS!

Bido i kthehet opozitës: Ku ishit ju më 30 maj që nuk folët për Zvërvecin?

“Keni paralajmëruar anti-miting në Vlorë”, Berisha thirrje Ramës: Anuloje, është praktikë fashiste

Deputeti i “Lëvizjes Bashkë”: Rendi i ditës së sotme është kërkesa për dorëheqjen e qeverisë

U plagos në operacionin për kapjen e një personi në kërkim, mbërrin te Trauma polici

Vrasja e efektivit të Policisë në Korçë, Kuvendi nis me një minutë heshtje

Vrau një efektiv dhe plagosi një tjetër, mbërrin në spital autori

Reshjet përmbytin rrugët e Shëngjinit, vështirësi në qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve

Qytetarët nisen sërish drejt kryeministrisë, me flamurin kuq e zi dhe brohorima vazhdojnë protestën

Protestuesit marshojnë drejt zonës së Bllokut, qytetarët e tjerë nuk iu bashkohen #dosja #protesta

Protesta nuk ka të ndalur, qyetarët bllokojnë rrugën te Ura e Tajvanit, thirrje në kor policëve

Nga Sheshi tek Banka, qytetarët bllokojnë rrugën: Edi Rama ka mbaru

Qytetarët nuk ndalen në protestë/ Bllokojnë rrugën te selia e PS-së, ulen në gjunjë

Vazhdon protesta për Zvërnëcin/ Protestuesit ngren nga kafet qytetarët te Opera

E mbuluar me flamurin kuq e zi, e reja shfaqet me foshnjën në krah gjatë protestës

"Edi Rama jep dorëheqjen/E reja nga protesta:Ka ardhur koha të shkosh me Berishën te Veliaj dhe Meta

Qytetarët protestë në Vlorë për Zvërnecin, me pankarta në duar marshojnë drejt Sheshit të Flamurit

Dy orë protestë, bulevardi plot qytetarë ndriçohet nga blicat e telefonave: Jep dorëheqje