LIVE UPDATES
Editorial

Lubonja: Si t’i kuptojmë këta monstra që na qeverisin

2 Shkurt 2021, 19:53 Nga DOSJA
Lubonja: Si t’i kuptojmë këta monstra që na qeverisin

Prej vitesh nuk e kam dëgjuar më shumë sesa pas prishjes së Teatrit përdorimin e fjalës “monstër” nga të njohur e të panjohur. Epidemia e fjalës filloi me indinjatën ndaj paturpësisë dhe arrogancës me të cilën Erjon Veliaj paralajmëroi shembjen e tij në një intervistë në “Syri Tv” ku kishte, minimumi, dy gënjeshtra në çdo fjali.

“Ky është një monstër” – nisa të dëgjoj që të nesërmen – nga njerëz që flisnin me një ndjenjë urrejtje të tillë sa, sikur ta kishin në dorë, do ta shkelnin me këmbë pa pikë mëshire këtë “mashtrues”, “qelbësirë”, “lëpirës” e me radhë. Pas shembjes Veliaj gati u harrua dhe epidemia e fjalës, si një vjellje, si një mallkim, iu qep me një virulencë edhe më të madhe “kryemonstrës”, serial-killerit të trashëgimisë kulturore të Tiranës, Edi Ramës.

Nuk e mohoj që edhe unë u kaplova nga ndjenja të ngjashme që më çuan te përdorimi i kësaj fjale. E kapa veten disa herë duke u përgjigjur se isha më në gjendje të kuptoja një përdhunues apo edhe një vrasës sesa “këto lloj monstrash”.

Ndërkaq, përgjatë përpunimit të zisë për Teatrin, në përpjekjen për të vendosur një lloj paqeje shpirtërore, intuita më tha se pikërisht te paaftësia për t’i kuptuar këta “monstra” qëndronte vuajtja ime dhe e shumë të tjerëve. Në fakt, të thuash “ky është monstër” në thelb do të thotë ta trajtosh të keqen si një gropë të zezë, të pakuptueshme nga inteligjenca njerëzore.

Kështu iu ktheva pak nga pak aplikimit të mësimit të vyer që na jep filozofi që ka vuajtur tërë jetën padrejtësinë e të fuqishmëve, Spinoza, i cili thotë: “Mos i përqesh veprimet e njerëzve, mos u qa, mos i urre ata, por kuptoi” – pa mundur, megjithatë, të mos i kthehem edhe idesë se ndaj “këtyre monstrave” vlen më shumë ajo që do të thoshte për ta Primo Levi: “Nëse t’i kuptosh do të thotë t’i justifikosh, atëherë më mirë të mos i kuptosh fare”.

Sot për sot jam midis këtyre dy qasjeve, çka më duket më e drejtë, sepse jam i bindur se kundër të keqes nuk mund të reagojmë vetëm pasivisht, duke e kuptuar, por edhe aktivisht, duke e luftuar, për çka na duhen energjitë që na japin emocionet, ndër të cilët edhe ata të urrejtjes ndaj të keqes. Por meqenëse këta muaj, në përpunimin e zisë, emocionet na kanë dominuar, – prandaj dhe përdorimi kaq shpesh i fjalës “monstër” – gjykoj se ia vlen t’i kthehemi edhe arsyes me idenë se të kuptosh të keqen është e nevojshme për të ndërtuar instrumente për të vepruar kundër saj.

***

Një vërejtje psikanalitike ndaj përdorimit të fjalës “monstër” kundër dikujt është ajo se ne e bëjmë këtë pasi thellë-thellë refuzojmë të shohim/pranojmë “monstrën” brenda nesh. Dikush do të ndërhynte të më thoshte: si guxon e thua se edhe unë qenkam një monstër si këta! Jo zotëri, këtë mbaje për vete! Në këtë pikë përgjigja ime (edhe ndaj vetes) është: po mirë, a do të mund të ndodhte një krim i tillë vetëm për shkak të një “monstre” si Veliaj dhe një “kryemonstre” si Edi Rama? Mirë se këta qenkan monstra, po ata 60 këshilltarët bashkiakë që firmosën urdhër-vendimin për shembjen e Teatrit, ndër të cilët edhe neurologia e njohur Rakacolli, monstra janë?

Po ata 50 aktorët, me në krye Robert Ndrenikën, që bënë peticion në favor të shembjes? Po ata specialistët e Institutit të Ndërtimit që kanë hartuar akt-ekspertizën e rreme, sipas së cilës Teatri duhej shembur? Po ato dy gratë ministre kulture njëra pas tjetrës. Po ajo gruaja që drejton Institutin e Mbrojtjes së Monumenteve? Kaq të ndryshëm nga ne qenkan këta? Mund ta zgjasja listën duke shtuar ministrin Sandër Lleshi dhe policët e tij, që nxorën me dhunë nga Teatri aktorët në 4 të mëngjesit, biznesmenët si Fusha që qëndrojnë prapa këtyre projekteve, për të mbërritur deri te fadromisti që drejtoi krahun mizor të fadromës kundër godinës historike. Kur mendon gjithë këtë ushtri duket se ose duhet të pranojmë se jetojmë në një vend monstrash e t’i nënshtrohemi këtij fataliteti, ose të kuptojmë fenomenin për ta luftuar.

***

Në këtë pikë le të hap një parantezë rreth kuptimit të fjalës “monstër”.

Veçanërisht pas rënies së komunizmit, që nuk e lejonte kronikën e zezë, ne kemi filluar ta përdorim shpesh këtë fjalë, të ndikuar nga përdorimi i saj – në trajtën “monstre” nga frëngjishtja apo “mostro” nga italishtja, – për individë që kanë kryer krime të pazakonta të tipit të serial-killerave. Pra është një fjalë që përdoret kryesisht për individë. Kurse me fjalën korresponduese (më shqipe) “përbindësh”, ne kemi parasysh edhe një koncept figurativ, si p. sh. një qenie mbinjerëzore nga trajta fizike, të stërmadhe, me shumë këmbë e shumë koka. Kuptohet se arsyetimi që bëra mbi shumësinë e autorëve të prishjes së Teatrit na çon te fjala “përbindësh”. Prandaj më poshtë do të përdor edhe fjalën “monstër”, edhe “përbindësh”.

RINOCERONTIZIMI

Si person i përfshirë në mbrojtjen e Teatrit që kur Edi Rama tentoi për herë të parë shembjen e tij, di të them se asokohe jo vetëm thuajse të gjithë aktorët ishin kundër shembjes, por edhe brenda partisë së tij ai ishte thuajse i vetëm. Sigurisht, ndryshimi i këtij raporti, që çoi deri te shembja, nuk buron ngase ka rënë vlera e Teatrit, pasi monumenteve të kulturës me kalimin e kohës u rritet vlera. As pse ka rënë ndjeshmëria e njerëzve ndaj trashëgimisë, sepse përndryshe “kryemonstra” nuk do të kishte dalë më 2013-ën me premtimin elektoral për ristrukturimin tërësor të Teatrit – në të njëjtën linjë me premtimet e viteve kur u ngjit në pushtet me parullën “Kthim në identitet”.

Po çfarë ka ndodhur atëherë? Si u bë e mundur shembja? Kur më del parasysh kategoria jo e vogël në numër e personave që më herët i kam dëgjuar ta etiketojnë Ramën “monstër” dhe që sot i shoh të rreshtuar në krah të tij, them se për të kuptuar se çfarë ka ndodhur, na ndihmon shumë aftësia që ka letërsia për të shprehur gjëra që nuk arrijmë t’i përkufizojmë, për shkak të kompleksitetit të së vërtetës së tyre. Në këtë rast leximet më çojnë te drama e Ionescos “Rinoceronti” – metaforë e shpërndërrimit të njeriut gjatë diktaturës naziste – ku i shohim njerëzit të shndërrohen në rinocerontë, derisa nuk mbetet më këmbë njeriu përveç protagonistit, i cili edhe ai bërtet në fund të dramës “dua të shndërrohem, dua të shndërrohem!”, por nuk mundet. Kjo metaforë na shtyn të shtrojmë, veç të tjerash, edhe pyetjen se çfarë ndodh te njeriu kur individualisht fillojnë i dalin brirët e rinocerontit dhe, kolektivisht, bëhet gjymtyrë e së keqes, përbindëshit?

Kërkimi i përgjigjes së kësaj pyetjeje na çon te debati mbi librin e Hannah Arendt “Banaliteti i së keqes”. Duke ndjekur “monstrën” Adolpf Eichman në gjyqin e tij të famshëm, Arendt konkludoi se ai nuk ishte “as pervers dhe as sadist”, por “tmerrësisht normal”; se ai kishte vepruar si një burokrat i rëndomtë për t’u ngritur në karrierë. I zhytur në këtë proces ai kishte humbur aftësinë për të krijuar një distancë me urdhrat e dhëna nga eprorët dhe, akoma më keq, për të ndjerë empati ndaj viktimave, sepse kishte reshtur së menduari, së ngrituri vetmevete pyetje mbi të mirën dhe të keqen e akteve të tij.

Sipas kësaj teze, njeriu që resht apo dështon së menduari mund të arrijë të kryejë deri gjenocid. Dhe problemi, sipas Arendt, qëndron në atë se gjatë nazizmit ishin të shumtë gjermanët si Eichman, të cilët edhe ata nuk ishin as perversë dhe as sadiste, por “tmerrësisht normalë”. Por ky “normalitet” – thotë ajo – “është shumë më i tmerrshëm se sa të gjitha krimet e marra së bashku”. Me fjalë të tjera, sipas kësaj teze, e keqja, e tmerrshmja, nuk qëndrojnë tek individët “monstra”, por te një proces rinocerontizimi që në një pikë vjen e na bëhet aq “normal”, saqë mund të na detyrojë të gjakojmë të kthehemi në rinocerontë për të mos u shqyer prej tyre.

Kundërshtarët e tezës së mosmendimit ngulmojnë se Eichman s’ishte aspak njeri që nuk mendonte. Përkundrazi, sipas tyre, ai mendonte në funksion të një projekti që synonte triumfin e një vullneti kriminal. Gjithashtu, ata e qortojnë Arendt se i ka dhënë shumë rëndësi intelektualizmit te njeriu, ndërkohë që ka pasur edhe shumë njerëz të thjeshtë, pa ndonjë aftësi të madhe reflektimi, që kanë refuzuar të kryejnë krime si ato të nazistëve. Pra, se e keqja duhet kërkuar tjetërkund nga mosmendimi – ndoshta në mungesën e besimit te Zoti apo frika e ndëshkimit prej tij p.sh.

Duke përdorur këtë kundërargument te shkatërrimi i Teatrit dikush me të drejtë mund të më thoshte se, nëse flas për një numër të madh shqiptarësh që përdorin fjalën “monstër” për shkatërruesit, kjo nënkupton se nuk është mosmendimi i tyre që i ka penguar ata ta mbrojnë Teatrin, por pushteti i të liqve, dhuna e një pakice që, si e tillë, ndoshta nuk duhen quajtur kope rinocerontësh apo përbindësh. Por përsëri ngrihet pyetja: si arriti kjo pakicë të dominojë shumicën, që praktikisht do të thotë të bëhet shumicë, e të kapë shtetin?

Gjykoj se fenomeni i rinocerontizimit – edhe ai që kemi jetuar në komunizëm, edhe ky që po jetojmë sot – është shumë më kompleks se thjeshtëzimi i tij në ndarjen mekanike midis një pakice monstrash dhe një shumice që u nënshtrohet apo bindet atyre. Me rinocerontizimin duhet të kuptojmë procesin e shkallëshkallshëm të shndërrimit të një pakice monstrash në një shumicë të përbindshme. Duke analizuar mekanizmat që përdor pakica në këtë proces, si dhe duke kërkuar të gjejmë se ku mbarojnë shndërruesit dhe ku fillojnë të shndërruarit; se ku mbaron nënshtrimi dhe ku fillon bashkëpunimi, çfarë i bashkon e çfarë i ndan me njëri-tjetrin, do të gjejmë se përbindëshi është një organizëm i gjallë në lëvizje e ndryshim, i përbërë nga elemente që funksionojnë si pjesë organike e tij, të cilat po t’i analizosh, kanë të përbashkëta në gjithë diversitetin e tyre reshtjen e mendimin.

Te të gjithë këta, në mënyrë ndërvepruese, brirët e rinocerontit kanë filluar të mbijnë kur kanë reshtur së menduari apo besuari si individë dhe, po ashtu, bashkimi me tufën u ka paralizuar ballafaqimin e mendimeve apo besimeve individuale që mund të kenë pasur me aktet që kanë filluar të kryejnë duke u bërë pjesë e kësaj tufe. Prandaj, ngulmoj se analiza e dallimit midis njeriut që mendon dhe atij që rresht së menduari, si dhe e mekanizmave konkretë, në një kontekst konkret, që çojnë tek mosmendimi, mbetet fondamentale për të kuptuar fenomenin e rinocerontizimit që shkatërroi Teatrin dhe po shkatërron Shqipërinë.

SHQIPTARËT DHE RINOCERONTIZIMI

Gazetari austriak Joseph Roth, pas një udhëtimi nëpër Shqipëri në vitin 1927, ka shkruar: “Një shqiptar më parë nxjerr pistoletën sesa të thotë mendimin e tij të vërtetë. Tutet se mos muret kanë veshë. […] Kaq rrallë e thonë (shqiptarët) atë që mendojnë saqë me kohën humbasin çdo lloj opinioni të vetin dhe marrin vetëm atë të të tjerëve. Në fund të fundit, për çfarë duhet pasja e një pikëpamjeje që mbetet e pathënë? Kështu, në vend të bindjes politike shfaqet ithtari, në vend të kujdesit për tjetrin, frika ndaj tij. Në këtë vend askush nuk është i sigurt, as qeverisësi as i qeverisuri. Në këtë gjendje nuk mund të ketë asnjë lloj opinioni publik – edhe sikur ky të ishte i lejueshëm”.

Dy janë fjalët kyçe që na jep Roth për të kuptuar shqiptarin që nuk mendon: “idhujtaria” dhe “frika”. Ato, si dy anë të së njëjtës medalje, nënkuptojnë reshtjen e mendimit ose për shkak të adhurimit të autoritetit idhull, ose të frikës së daljes jashtë tufës së idhujtarëve dhe të linçimit prej saj.

Paradoksalisht Roth i ka shkruar këto opinione, kaq të vërteta edhe sot për shqiptarët, në një kohë kur Gjermania dhe pastaj Austria, vende që kanë pjellë kolosë të mendimit, po uzurpoheshin nga një bandë kriminale, që Brehti tek “Arturo Ui” (e luajtur shpesh edhe në Teatrin tonë) e ka quajtur “Trusti i lulelakrës”, që prodhoi “monstrën” dhe “përbindëshin” e aftë të kryejë gjenocid. Kjo tregon se fenomeni i mosmendimit nga “idhujtaria” dhe “frika”, që çon te rinocerontizimi është universal, jo thjesht shqiptar. Por gjykoj se ai ndryshon sipas kohëve dhe vendeve.

Duke iu referuar përvojës sonë, do të shtoja diçka veçanërisht shqiptare në këtë fenomen. Kur shkruan se shqiptarët “e thonë kaq rrallë atë që mendojnë saqë me kohën humbasin çdo lloj opinioni të vetin dhe marrin vetëm atë të të tjerëve”, gazetari Roth nënkupton sikur ata ta kenë pasur më herët një mendim të tyrin. Gjykoj se është më e saktë të thuhet se edhe më herët ata kanë pasur një mendim të diktuar nga një idhull apo frikësues tjetër, të cilin e kanë zëvendësuar me mendimin e një idhulli apo frikësuesi të ri. Kjo ndodh më rëndom te shqiptarët për disa shkaqe historike, edhe më të hershme se komunizmi, ndër të cilët, – pa u zgjatur, por duke theksuar se meritojnë trajtesa të thelluara – do të përmendja:

1. Injoranca, analfabetizmi që ka dominuar ndër shekuj në pjesën më të madhe të popullsisë për shkak të jetës së izoluar në zona periferike e të humbura, ku depërtimi i qytetërimeve ku kanë bërë pjesë ka qenë i dobët.

2. Dominimi i strukturës autoritare në familje, shoqëri, politikë ku fjala e të madhit shndërrohet në bindje e nderim kolektiv.

3. Ndikimi i dobët i religjioneve, sa për shkak të jetesës së izoluar në zona periferike e të humbura ku ato mezi kanë depërtuar, aq edhe pse në shekullin XX ndjenjat, mendimi dhe vlerat fetare u dobësuan edhe më nga thirrja nacionaliste “feja e shqiptarit është shqiptaria” (që pastaj gati u asgjësuan nga ideologjia nacional-komuniste e regjimit komunist).

4. Elitat politike, intelektuale, fetare, edhe për shkak të konteksteve historike, nuk kanë qenë në gjendje të zhvillojnë shqiptarin që mendon, dhe aq më pak të krijojnë ndarjen dhe dialogun kritik midis tyre si përfaqësues sferash, vizionesh dhe interesash të ndryshme të jetës materiale e shpirtërore të vendit. Ato janë mjaftuar me importimin nga jashtë të ideve dhe interesave të fuqive të kohës ose pranimin e diktatit të tyre, e janë legjitimuar e imponuar brenda vendit duke ushtruar monopolin e këtyre ideve e interesave “superiore” – së bashku ose duke “pastruar” deri në vrasje njëri-tjetrin për zotërimin e këtij monopoli. (Me këtë nuk dua të them se s’na janë dashur idetë e të tjerëve, por se një gjë është t’i përdorësh ato në mënyrë krijuese dhe kritike për të kuptuar më mirë realitetin tënd, dhe krejt tjetër është të krijosh idhujtarinë e tyre për të sunduar).

Këtyre shkaqeve më të thella historike u duhet shtuar roli i veçantë degradues, për sa i përket mendimit, i diktaturës komuniste. Duke e ekstremizuar idhujtarinë dhe frikën deri në shkatërrimin e çdo lloj bindjeje individuale, diktatura e ekstremizoi paaftësinë e shqiptarëve për të kultivuar mendimet e pikëpamjet e tyre. Ajo krijoi një njeri tek i cili në rastin më të mirë zhvillohej aftësia për të mbajtur në publik maskën e predikuesit të pushtetit prapa së cilës fshihej mendimi autentik, i cili në këto kushte, ose mbetej i pazhvilluar dhe i pafrytshëm, ose edhe vdiste pa lindur mirë. Por në rastet më të përgjithshme, ky mendim nuk lindte dot fare te njeriu i ri, duke i lënë vendin idhujtarit dhe të bindurit që nuk njeh mendim e besim tjetër. Roth, që ka përshkruar shqiptarët e kohës së Mbretërisë, do të thoshte për shqiptarët e regjimit komunist se aq më pak u duhej atyre pasja e një pikëpamjeje që mbetej e pathënë, pasi mbajtja e saj në mendje i bënte të kishin frikë jo vetëm nga të tjerët, por edhe nga vetvetja.

Të strukturuar mendërisht sipas kësaj forma mentis, shqiptarët, me në krye intelektualët e tyre, i pamë pas viteve ‘90 të kthehen thuajse të gjithë nga ateistë në besimtarë dhe nga komunistë në neoliberalë, pa i vënë fare në diskutim besimet apo “bindjet” që kishin pasur dhe propaganduar më herët dhe as ato që po përqafonin. I pamë të krijojnë idhujtarinë e frikën ndaj shefave të rinj të partive të reja, ashtu sikurse edhe ndaj fuqive perëndimore që zunë shumë shpejt vendin e vëllezërve të mëdhenj lindorë. I pamë edhe ta pësojnë nga kjo paaftësi mendimi kritik – kur investuan në piramidat financiare, rënia e të cilave shkaktoi një tragjedi kombëtare – por pa nxjerrë dot mësime.

Prandaj, gjykoj se sot është më e saktë të flitet për një rinocerontizim të ri, për një kope të re mosmenduesish, me karakteristika të ngjashme, por edhe të ndryshme me paraardhëset.

1 vit nga zgjedhjet e 25 prillit si e shikoni gjendjen e vendit:

View Results

editorial editorial fatos lubonja fatos lubonja

Sondazh

Poll
Editorial 1 Shkurt 2021, 14:10

Përse Tirana është përcaktuese e zgjedhjeve

Tirana ka vendosur gjithnjë cila është forca politike që do të qeverisë Shqipërinë. Përtej sondazheve, hamendjeve dhe kalkulimeve, ka një rregullsi që nuk është...

Editorial 31 Janar 2021, 11:04

Votoni me fytyrë jo me flamur! 

Një shprehje thotë: “I varfëri punon, i pasuri e shfrytëzon, ushtari i mbron të dy, taksapaguesi paguan për të tre, dembeli pushon për të katër, pijaneci pi për...

Editorial 27 Janar 2021, 08:44

Vaksina, risku i të qenit pro perëndimor

1- E pashë tek një mik bullgar një statistikë lidhur me vaksinimin kundër COVID-it në nivel evropian. Në krye të listës ishte Britania e Madhe, e cila po vazhdo...

Editorial 26 Janar 2021, 12:02

Si e gjen Rama suksesin pas çdo skandali

Çdo skandal i hapur është një mundësi për shpalosje krenarie në botën e Edi Ramës. Kur Shqipëria përmbytet, ai e quan turp për mediat, që tregojnë invest...

Editorial 26 Janar 2021, 17:57

Nën thundrën e pushtetit…

Përgjimet e fundit të antimafies italiane (si dikur ato të Habilajve) ku paratë e mafies investohen në kullat e Tiranës, më shumë se të qenit një lavatriç...

Editorial 25 Janar 2021, 12:15

Mos dëgjoni përgjimet, besoni sondazhet

Ky mandat i dytë i rilindjes po mbyllet ashtu sikurse filloi: me përgjime që vërtetojnë atë që në fakt dihet botërisht.  Skandali i lidhjes së Saimir Tahirit me...

Editorial 20 Janar 2021, 07:15

Jeta jonë nuk është një hije që ecën!

Life’s but a walking shadow, a poor playerThat struts and frets his hour upon the stage,And then is heard no more. It is a taleTold by an idiot, full of sound a...

Editorial 17 Janar 2021, 20:35

Paga minimale pak më tej

Në vazhdim të diskutimit për pagën minimale po përpiqem të sqaroj pak më tej rritjen e nivelit të pagës minimale në botë.Fillimisht më duhet të shpreh edhe një ...

VIDEO-VIRALE/ Po fliste në Rrugën e Salës, demokrati 'kapet mat' nga gruaja

VIDEO-VIRALE/ Po fliste në Rrugën e Salës, demokrati 'kapet mat' nga gruaja

"Injoranca nuk është argument" Nuk i pëlqeu pyetja, Rama prek në faqe gazetaren Ambrozia Meta

Del VIDEOJA, Elia godet Princ Lekën: Familja ime të ka mbajtur me bukë

VIDEO/ Noka i jep Spiropalit pankartën, Ministrja ofrohet ta mbaj para fytyrës

Publikohen pamjet nga brenda bazës ajrore të Kuçovës, Komandanti: E gatshme për stërvitjen e trupave

Tempulli 2/ Me kanabis gati për shitje dhe shuma parash, arrestohen 4 të rinj në Tiranë

Dalin pamjet nga kasollja ku u vra 50-vjeçari në Durrës

Kontrabandonin ilaçe dhe telefona, arrestohen dy persona në Tiranë, sekuestrohen 47 iPhone

I vunë flakën eskavatorit me vlerë 150 mijë euro, arrestohen 2 autorët e ngjarjes

Reshjet e shiut dhe borës në vend, policia: Moderoni shpejtësinë e mos kryeni parakalime të gabuara

Kampioni Alvin Karaqi mes lotësh: Për besë u ndjeva si Gjergj Kastrioti kur mora flamurin

'Dokumentar horror'/ Berisha publikon pamjet: Do ju paraqes terrorin që Bajrajt ushtruan më 14 maj

Krimi në Bulqizë/ Fqinji: Po hante bukë në banesë kur erdhën dy makina!

Dosja "Gjici"/ Zv.kryetari i bashkisë së Kukësit shkon në SPAK

Newsroom 11 |XAMA: LAJMI I FUNDIT FAKE QË PASHË, ISHTE PËR MUA

Newsroom 11 |XAMA: KËSHILLË QYTETARËVE- MOS LEXONI VETËM NJË BURIM

Newsroom 11 | XAMA: GAZETARËT NUK SHKRUAJNË ME EMËR, KJO S'ËSHTË ETIKE

Xama në Newsroom: Lajmet e rreme përhapin panik! Më akuzuan se kisha marrë para për një shkrim

Muka në Newsroom: Në Shqipëri ka portale gjobaxhie, u bëjnë shantazh njerëzve

Xama në Newsroom: Fake News shpërndahet më shumë në Facebook e Tik Tok! Gazetarët të shkruajnë emrin

Newsroom 11 |Kush prodhon lajme të rreme në Shqipëri

Newsroom 10 |SENJA: NE S'REAGOJMË NDAJ GJUHËS SË URREJTJES

Newsroom 10 |HAZIZAJ: 'ÇOHU ENVER', PJESË E GJUHËS SË URREJTJES

Newsroom 10 | HAZIZAJ KEMI MARRËVESHJE PËR TË MBROJTUR 'VIKTIMAT'

Newsroom 10 |HAZIZAJ: GJUHA E URREJTJES KA SHKAKTUAR DHE KRIME

Newsroom 10 |GAZETARI: GJUHA E URREJTJES, PJESË E SHOQËRISË

Newsroom 10 |HAZIZAJ: GJUHA E URREJTJES, E FRIKSHME NË SHQIPËRI

Vidhnin në banesa duke përdorur çelësa të klonuar, vihet në pranga 1 person,nje tjeter në kërkim

Newsroom 10 |GJUHA E URREJTJES PËRDORET NGA POLITIKA, AMA TË KONTROLLOJË GJUHËN E URREJTJES

Newsroom 10 | HAZIZAJ: STEREOTIPET NXISIN GJUHËN E URREJTJES

Newsroom 10 | HAZIZAJ: GJUHA E URREJTJES LUFTOHET ME EDUKIM

Newsroom 10 | Gjuha e urrejtjes në media, si dhe kush e shpërndan?

Ndryshimet në PS/ Gjiknuri: S'është fundi, por fillimi i diçkaje të re.

Inceneratorët/ S’kam dhënë asnjë kontratë pa garë, ato janë publike!

Ndihet 'i shitur' nga Rama? Gjiknuri: Nuk ndjej braktisje, kam komunikim me të prej 20 vitesh

Klosi: Kemi primare reformimin e partisë, PS synon mandatin e katërt

U shkarkua si Sekretar i Përgjithshëm, Gjiknuri: PS edhe kur fiton, refekton!

Digjet shtëpia në Shkodër, në banesë ndodhej një i moshuar, përfundon në spital

Vazhdon përplasja në PD! Basha kërkon mbledhjen e Komisionit të Etikës për të, Bardhi: Shenjë humbje

Vrasja e Jetmirës/ Autori u dënua me 28 vite burg, nëna e viktimës: Duhet dënim përjetë!

Newsroom 9 | Kallanxhi: Threads? S`besoj se do zgjasë shumë

Newsroom 9 | Eksperti i IT: Mos merrni për bazë asgjë thuhet në rrjet

Newsroom 9 | Gazetarja: po ndodhin vrasje nga tik tok

Newsroom 9 | Eksperti i IT: Fake News dallohet vetëm po të jemi kritikë

Newsroom 9 | Kallanxhi: Shqiptarët besojnë gjithçka shohin në rrjet

Newsroom 9 | Eksperti i IT, Tomi Kallanxhi: Tik Tok ka "fake news" sepse s'ka censurë

Newsroom 9 | Gazetarja: Shqipëria do kohë të përshtatet me Tik Tok

Newsroom 9| Eksperti i IT: Çdo rrjet është i përkohshëm, duhet të kujdesemi për vlerat

A mund të mbyllet TikTok për Shqipërinë? Flet për Newsroom eksperi i IT

Fëmija mbyllet brenda në shtëpi, nëna e alarmuar njofton zjarrfikësit, NDËRHYRJA nga ballkoni