E rëndë në Maliq/ Vritet polici gjatë operacionit për kapjen e një personi në kërkim, plagoset dhe një tjetër (EMRAT)
Ngjarja në Maliq/ Zbardhen edhe identitetet e efektivëve 4 Qershor, 08:49 E rëndë në Maliq/ Vritet p...
Ngjarja në Maliq/ Zbardhen edhe identitetet e efektivëve 4 Qershor, 08:49 E rëndë në Maliq/ Vritet p...
Pas më shumë se tre orësh, mbyllet protesta para Kryeministrisë/ Qytetarët thirrje: Nesër sërish në...
Tragjedia me dy viktima në Shëngjin, policia jep detaje: Të gjithë shtetas nga Kosova, tre persona në spital 3 Qersho...
“Ka forca në Shqipëri dhe jashtë që janë kundër”/ Rama: Të rreshtohesh me PS, do të thot&eum...
• Ka përfunduar pas tre orësh protesta kombëtare e thirrur nga Partia Demokratike mbrëmjen e sotme. • Qytetarët kanë mbushur sheshin para kryeministrisë të cilët kërkojnë lirimin e kreut demokrat, Sali Berishën dhe krijimin e qeverisë teknike. • Protestuesit mbajnë duar pankarta me mesazhe të ndryshme, "Suksesi i Ramës, gjithë populli emigrant", "Onkologjiku: Atë që s'ta bën kanceri ta bën qeveria", "Hiqi trarët", "Lironi liderin e opozitës", "Siç pikturon, qeveris". • Në nisje të fjalës së kreut demokrat, protestuesit kanë hedhur bomba molotov drej kryeministrisë ndërsa godina u përfshi nga flakët. • Policia ndërhyri menjëherë në fikjen e zjarrit. • Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha përmes një videolidhje po mban fjalën e tij në protestën kombëtare të opozitës para kryeministrisë. Berisha u shpreh se dekada e qeverisjes së Edi Ramës ishte dekada e zbrazjes së Shqipërisë • Kryedemokrati u shpreh më tej se Shqipërisë i kanoset një kërcënim akoma më ekzistencial, sepse 83 përqind e shqiptarëve që kanë mbetur, duan të ikin. • Ai tha se spastrimi etnik i butë i Shqipërisë po ndodh, sepse Edi Rama vendosi në Shqipëri kushtet e llogaritshme për dëbimin e butë masiv të shqiptarëve nga vendi i tyre. • Pas fjalës së Berishë protestuesit u zhvendosën nga kryeministria drejt godinës së bashkisë së Tiranës. • Ky veprim i kapi të papërgatitur policët të cilët vrapuan drejt godinës për të arritur para protestuesve. • Më pas ata hodhën bomba molotov drejt godinës, ku si pasojë shpërtheu në flakë dritarja e institucionit. • Në nisje të protestës ka mbajtur një fjalim edhe regjizori Edmond Budina. • Gjatë fjalës së tij Budina u shpreh se sot protestohet për familjet tona, sepse ky pushtet e ka nëpërkëmbur qytetarin, e ka shkatërruar këtë vend si askush tjetër. • Sipas tij skandalet këtu janë bërë normalitet dhe se në krye të vendit qëndron një hajdut, bashkë me bandën e tij. • Edhe kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka mbajtur fjalën e tij në tubimin e opozitës, ku u shpreh se qytetarët duhet të mblidhen të gjithë për ti vënë vizën këtij regjimi, që po zhbën Shqipërinë, i cili i ka shndërruar fëmijët në analfabetë funksionalë, siç e tregoi testi i PISA. • Qytetarët dhe deputetët e PD e mbyllën tubimin e tyre në selinë blu, ku Flamur Noka tha për mediat se ditën e enjte në orën 11:00 do të mbahet protesta e radhës para bashkisë së Tiranës.
20 artikuj për këtë temë.
TIRANË- Djali kreut të Partisë Demokratike, Shkëlzen Berisha ka qenë i pranishëm në protestën e sotme të opozitës para kryeministrisë. Dajli i kreut të PD-së u shpreh se ishte i pranishëm sot në protestë si demokrat.
I pyetur nëse njësoj si motra e tij Argita dhe ka ambicie që të jetë më aktiv politikisht në PD, Berisha la të kuptohet se partinë e drejtuar nga babai, do të vijojë ta mbështesë si qytetar. Shkëlez Berisha akuzoi po ashtu drejtësinë që, sipas tij, është e kapur nga politika.
“Jam këtu si demokrat për të gjitha padrejtësitë. Unë jam si qytetar për të mbështetur protestën. E kemi takuar doktorin. Është shumë mirë, është i fortë, me moral shumë të lartë. E mban drejtësia e kapur nga politika. Si mund të kesh besim në një drejtësi që mban të burgosur liderin e opozitës, pa asnjë akuzë,” tha ai.
TIRANË- Ka përfunduar pas dy orësh protesta e sotme e opozitës. Deputetët e Partisë Demokratike dhe një pjesë e qytetarëve protestues e kanë përfunduar tubimin te selia blu.
Deputeti Flamur Noka ka mbajtur një deklaratë për mediat para hyrjes në seli ku tha se protesta e mbrëmjes së sotme ishte madhështore dhe historike. Noka tha se sonte shqiptarët e lirë nuk nënshtrohen dhe duan votën e lire.
Deputeti po ashtu bëri me dije se protestat nuk do të ndalen, ndërsa e radhës do të jetë të enjten e ardhshme, në orën 11:00, para bashkisë së Tiranës.
TIRANË- Kryedemokrati Sali Berisha ka mbajtur fjalën e tij në protestën e opozitës para kryeministrisë. Berisha u shpreh se platforma e Çubrilloviçit, i cili sipas tij shkruante teza gjenocidale ndaj shqiptarëve, dhe regjimi i sotëm i Edi Ramës ngjasojnë si dy pika uji.
Ai tha se Çubrilloviçi propozonte një metodë tinëzare, përdorimin e shtetit për t’ua nxirë jetën shqiptarëve, më taksa të larta, me polici të pashpirt, me mbylljen e shkollave, me gjoba dhe arrestime masive, me prishjen e banesave, me shndërrimin e pasurive përrallore në mallkim për qytetarët.
Berisha shtoi se Rama tejkaloi edhe parashikimet e Çubrilloviçit, pasi sipas tij arriti të nxisë emigracionin e kaq shumë shqiptarëve.
PJESË NGA FJALA E BERISHËS:
Të dashur miq, ne shqiptarët jemi një popull i vjetër evropian. Por duhet thënë se kemi pasur dhe kemi armiq racistë ndaj kombit, po aq të egër sa ç’ishin nazistët ndaj hebrenjve. 9 dekada më parë, Çubrilloviç shkruante tezat e tij gjenocidale ndaj shqiptarëve. I bëj thirrje çdo shqiptari t’i hedhë një sy këtij dokumenti famëzi sepse aty do zbuloni një të vërtetë shokuese.
Do shikoni se platforma e Çubrilloviçit dhe regjimi i sotëm i Edi Ramës ngjasojnë si dy pika uji.
Çubrilloviçi propozonte një metodë tinëzare, përdorimin e shtetit për t’ua nxirë jetën shqiptarëve, më taksa të larta, me polici të pashpirt, me mbylljen e shkollave, me gjoba dhe arrestime masive, me prishjen e banesave, me shndërrimin e pasurive përrallore në mallkim për qytetarët. Por më vonë, OKB në nenin 2 konventës kundër gjenocideve, përcakton 5 lloje gjenocidi dhe njëri prej tyre është ai i kalkulimit të kushteve të jetesës që sjellin shkatërrimin e plotë osë të pjesshëm të një popullate.
Thënë këto, çdo shqiptar duhet të pranojë të vërtetën se vjedhjet e pangopura, taksat e larta, shndërrimi i votës në krim dhe krimit në votë, kanabizuimi i vendit, zëvendësimi i shtetit ligjor me narkoshtetit, lirimi i bosëve të krimit, kapja e drejtësisë, lufta ndaj opozitës së vërtetë, uria e fëmijëve shqiptarë, grabitja e ilaçeve, nuk ka qenë keqqeverisje, nuk kanë qenë rastësi, jo dhe jo.
Ato kanë qenë kushte të kalkuluara për nxirjen e jetës së shqiptarëve, me të cilat Edi Rama tejkaloi edhe parashikimet e Çubrilloviçit. Ai arriti të nxisë emigracionin e kaq shumë shqiptarëve sa asnjë pushtues tjetër në histori nuk kishte arritur një gjë të tillë. Ja pse Edi Rama nuk mban asnjë përgjegjësi,nuk shfaq asnjë pengesë apo shenjë dhembshurie. Sepse Edi Rama gjithçka për të e kishte pjesë të axhendës së vet që nisi sapo mori pushtetin në vitin 2013. Sepse Edi Rama ky antishqiptar, e do Shqipërinë pa shqiptarë. Dhe nëse ka ndonjë shqiptar që mashtrohet sot nga Rilindja se sot Shqipëria është në ditët më të mira, u them mos dëgjoni denoncimet e Sali Berishës dhe as ato të medieve ndërkombëtare, por dëgjoni ndërgjegjen dhe memorien tuaj. Kujtoni se si vitin e parë në pushtet ai arrestoi 38 mijë shqiptarë të varfër për çështje civile dhe fill pas kësaj, realizoi kanabizimin e plotë të Shqipërisë me qëllim ndërtimin e narkoshtetit.
TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha përmes një videolidhje po mban fjalën e tij në protestën kombëtare të opozitës para kryeministrisë. Berisha u shpreh se dekada e qeverisjes së Edi Ramës ishte dekada e zbrazjes së Shqipërisë. Ai tha se 47% e fëmijëve shqiptarë janë të kequshqyer, më keq se ata të Ruandës.
Kryedemokrati u shpreh më tej se Shqipërisë i kanoset një kërcënim akoma më ekzistencial, sepse 83 përqind e shqiptarëve që kanë mbetur, duan të ikin. Pra, gjendemi përballë një katastrofe ekzistenciale. Ai tha se spastrimi etnik i butë i Shqipërisë po ndodh, sepse Edi Rama vendosi në Shqipëri kushtet e llogaritshme për dëbimin e butë masiv të shqiptarëve nga vendi i tyre.
PJESË NGA FJALA E BERISHËS:
Të dashur qytetarë dhe qytetare, demokrate e demokratë, misionarë të vërtetës të shpresës dhe të ardhmes së Shqipërisë. Të mbledhur sot në Tiranë, nga të katër anët e vendit, nga të katër anët e dheut, diaspora dhe kudo që janë shqiptarët. Një përshëndetje të përzemërt vëllazërore për të gjithë ju. Të dashur miq, plot dhimbje e sakrifica të pamerituara kanë qenë për opzitën dhe Shqipërinë 11 vitet e fundit të Rilindjes së Edi Ramës.
Asnjë shqiptar përveç hajdutëve dhe trafikantëve të Rilindjes, nuk ka shpëtuar pa marrë plagë në shpirt dhe mendje nga dekada e Edi Ramës, dekada e zbrazjes së Shqipërisë. Këto plagë do mbeten përjetë shenja mbi ata që i pësuan. Për shumë familje, kjo plagë ka qenë një familjar që sot do ishte gjallë nëse korrupsioni i Rilindjes nuk do kishte përlarë ilaçet e tyre.
Kjo plagë do dëmtojë shëndetin e 47 përqind të fëmijëve shqiparë që janë të kequshqyer, më keq se ata të Ruandës. Kjo plagë do dëmtojë 15-vjeçarët që sipas PISA-s, kanë zbritur në fund të botës për mendimin e tyre krijues. Kjo plagë ishte një pronë e grabitur, linçim politik nga puna, një fermë apo biznes i falimentuar, ku kishin investuar mundin dhe djersën e gjithë jetës së tyre. Është ajo plagë që kanë të rinjtë, që me gjithë sakrificat e tyre, nuk mund të sigurojnë as edhe një garsionerë për të filluar jetën e tyre.
Kjo plagë është sa deti për Shqipërinë që sheh veten të boshatisur në 8 vite nga mbi 1 milion bij dhe bija të saj. Ky dërrmim u ka vrarë shpresën, u ka shuar çdo ëndërr për Shqipërinë dhe me të drejtë, si mund të kultivohet shpresa kur nuk siguron dot ilaçet për të shpëtuar fëmijët apo prindin e sëmurë. Kur të duhen 109 vite për të blerë në Tiranë një apartament. Kur nuk siguron dot 3 vakte ushqimi për fëmijën tënd. Prandaj shpëtimi i vetëm mbetet largimi masiv nga Shqipëria.
Por siç thotë populli ynë, e keqja nuk ka fund. Shqipërisë i kanoset një kërcënim akoma më ekzistencial, sepse 83 përqind e shqiptarëve që kanë mbetur, duan të ikin. Pra, gjendemi përballë një katastrofe ekzistenciale. Miqtë e mi, spastrimi etnik i butë i Shqipërisë po ndodh, sepse Edi Rama vendosi në Shqipëri kushtet e llogaritshme për dëbimin e butë masiv të shqiptarëve nga vendi i tyre.
TIRANË- Është tensionuar situata në protestën e opozitës para kryeministrisë.
Protuestuesit kanë hedhur bomba molotov drejt godinës së kryeministrisë, teksa kryetari i Partisë Demokratike ka nisur fjalën.
Policia ka ndërhyrë menjëherë për fikjen e zjarrit.
TIRANË- Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka marrë pjesë mbrëmjen e sotme në protestën e opozitës para kryeministrisë. Meta mbajti një fjalim ku gjatë fjalës së tij u shpreh se është turp për ata opozitarë që nuk vijnë në protestë "për të përmbysur regjimin" që sipas tij kanë hallin e autoritetit të SPAK-ut.
Meta tha se qytetarët duhet të mblidhen të gjithë për ti vënë vizën këtij regjimi, që po zhbën Shqipërinë, i cili i ka shndërruar fëmijët në analfabetë funksionalë, siç e tregoi testi i PISA.
Meta:Turp për ata që përtojnë të vijnë këtu për të përmbysur regjimin më kriminal dhe më antikombëtar që ka njohur kjo tokë. Turp për të gjitha ata këshilltare opozitar që nuk janë me Tedi Blushin, me Klevis Balliun përballë kryehajdutit të Tiranës. Turp për ata që nuk janë përball hajdutëve në bashki. Turp për ata opozitar që kanë hallin e autoritetit të SPAK-ut. Duhet të mblidhemi të gjithë për ti vënë vizën këtij regjimi, që po zhbën Shqipërinë, i cili i ka shndërruar fëmijët në analfabetë funksionalë, siç e tregoi testi i PISA. Që kur u çlirua Kosova, armiqtë tanë ndoqën politikë të mençur dhe nuk arritëm dot në kohë të kuptonim një strategji që lexohet qartë nga kushdo, u përpoqën të marrin kalanë nga brenda me kalin e trojës. Nuk është zoti i kësaj loje, ai është sllav i tyre, në shërbim të interesave të tyre. Ai është armiku më i madh i Kosovës. Nuk ia ka bërë kurrë Vuçiç atë dëm Kosovës siç ja ka bërë Edi Rama për llogari të Vucic. Meqë takova këtu vëllezër nga Gjakova, u bëj thirrje shqiptarëve të Kosovës të bashkohemi të shporrur Ramën.
TIRANË- Mijëra qytetarë janë mbledhur para kryeministrisë në protestën e thirrur nga opozita. Protestuesit mbajnë duar pankarta me mesazhe të ndryshme, "Suksesi i Ramës, gjithë populli emigrant", "Onkologjiku: Atë që s'ta bën kanceri ta bën qeveria", "Hiqi trarët", "Lironi liderin e opozitës", "Siç pikturon qeveris".
Kreu i PD, Sali Berisha do të mbajë fjalën e tij përmes një lidhje me video nga banesa e tij. Gjithashtu edhe emra të ndryshëm nga Shoqëria Civile do të mbajnë fjalën e tyre.
Qytetarët do të protestojnë nën sloganin "O sot, o kurrë" për krijimin e një qeverie teknike dhe lirimin e liderit të opozitës. Nga ana tjetër forca të shumta policie janë në terren, ku disa prej tyre kanë rrethuar edhe godinën e kryeministrisë.
TIRANË- Ka nisur protesta kombëtare e opozitës para Kryeministrisë. Në nisje të protestës ka mbajtur një fjalim edhe regjizori Edmond Budina. Gjatë fjalës së tij Budina u shpreh se sot protestohet për familjet tona, sepse ky pushtet e ka nëpërkëmbur qytetarin, e ka shkatërruar këtë vend si askush tjetër. Sipas tij skandalet këtu janë bërë normalitet dhe se në krye të vendit qëndron një hajdut, bashkë me bandën e tij.
“Ti themi jo kësaj bande mafioze që kemi në pushtet. Ne jemi këtu për të mbrojtur të drejtat tona”, tha Budina.
Ai më tej shtoi se Edi Rama nuk do të japë dorëheqjen, skandalet e tij vazhdojnë njëri pas tjetrit, kujtoni skandalin e Onkologjikut, më çnjerëzorin. Budina tha se kanceri i vërtetë është në godinën e Qeverisë, ai po ia merr frymën këtij vendi.
“Çfarë bën SPAK? Bën ndonjëherë ndonjë shfaqje dhe fut në burg ca cironka, por peshkaqenët janë këtu, që vazhdojnë të vjedhin”, tha Budina.
Në vijim ai u shpreh se PD dhe gjithë opozita nuk janë njësoj me këta hajdutë që po na vjedhin.
“Nuk ka pasur asnjëherë këtë banditizëm, këtë mafie, nuk kemi qenë asnjëherë vendi i fundit i Europës. Këtë e kemi nga këta mafiozë, nga këta të fortë, ndaj edhe ne jemi këtu dhe ti themi Jo. Ka ardhur koha që protestat tona të radikalizohen. Boll më me fjalime, me fjalë të bukura dhe me përkujdeshje. Duhet ti përgjigjemi me të njëjtën monedhë. Protesta po, greva po, madje të mos shkulemi që këtu, deri në rrëzimin e Edi Ramës”, tha ai.
TIRANË- Ka nisur protesta kombëtare e opozitës para kryeministrisë ndërsa forcat e policisë kanë rrethuar godinën. Para nisjes së protestës u raportua se mbi 1200 forca të policisë janë mobilizuar në lidhje me tubimin e sotëm kombëtar.
Gjithashtu janë mobilizuar efektivët e FNSH-së, Shqiponjat të cilët do të jenë në terren për mbarëvajtjen e protestës. Nga pamjet e ndara nga vendi i ngjarjes duken forcat policore të cilat janë rreshtuar njëra pas tjetres në 4 rreshta.

TIRANË- Deputetët e PD dhe protestuesit kanë lënë selinë blu dhe janë nisen drejt kryeministrisë për t'ju bashkuar protestës. Pak minuta më herët para kryeministrisë ka mbërritur edhe presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta.
Kreu i PD, Sali Berisha do të mbajë fjalën e tij përmes një lidhje me video nga banesa e tij. Gjithashtu edhe emra të ndryshëm nga Shoqëria Civile do të mabjnë fjalën e tyre.
Qytetarët do të protestojnë nën sloganin "O sot, o kurrë" për krijimin e një qeverie teknike dhe lirimin e liderit të opozitës. Nga ana tjetër forca të shumta policie janë në terren, ku disa prej tyre kanë rrethuar edhe godinën e kryeministrisë.
TIRANË- Ka nisur protesta e opozitës para kryeministrisë. Presidenti i Partisë së Lirisë i shoqëruar nga deputetë të partisë kanë mbërritur në vendin ku do të mbahet protesta.
Një pjesë e protestuesve janë mbledhur te selia blu, ndërsa pritet që për pak minuta qytetarët dhe deputetët demokratë të nisen drejt sheshit ku po mbahet protesta.
Nga ana tjetër forca të shumta policie janë në terren, ku disa prej tyre kanë rrethuar edhe godinën e kryeministrisë.
Drejtuesit e demokratëve kanë bërë thirrje prej disa ditësh për pjesëmarrje të shtuar të qytetarëve në protestë. Kreu i PD Sali Berisha pak ditë më parë i dërgoi edhe një porosi strukturave, që të bëhet gjithçka që është e mundur në mënyrë që kjo të jetë protesta më e madhe që është mbajtur ndonjëherë në Tiranë.
TIRANË- Për pak minuta pritet të nisë protesta e thirrur nga Partia Demokratike para kryeministrisë. Ndërkohë disa nga protestuesit janë mbledhur para selisë së PD, nga ku bashkë me deputetët demokratë do të nisen te vendi ku do të zhvillohet protesta.
Drejtuesit e demokratëve kanë bërë thirrje prej disa ditësh për pjesëmarrje të shtuar të qytetarëve në protestë. Kreu i PD Sali Berisha pak ditë më parë i dërgoi edhe një porosi strukturave, që të bëhet gjithçka që është e mundur në mënyrë që kjo të jetë protesta më e madhe që është mbajtur ndonjëherë në Tiranë.
TIRANË- Pak minuta na ndan nga protesta kombëtare e opozitës ndërsa forcat e policisë kanë nisur përgatitjet për tubimin. Mbi 1200 forca të policisë duke nisur nga ato të rendit, FNSH, Shqiponjat do të jenë në terren për mbarëvajtjen e protestës.
Nga pamjet e ndara nga vendi i ngjarjes duken makinat e forcave policore të cilat janë rreshtuar njëra pas tjetres dhe efektiët që po përgatiten pranë ambienteve të Kryeministrisë. Mësohet se në vendngjarje do të ketë edhe autobotë me ujë nëse do të ketë nevojë në raste incidentesh. Në terren do të përfshihen edhe agjentët civilë, për të monitoruar mbarëvajtjen e protestës.
TIRANË- Nënkryetari i PD-së Agron Gjekmarkaj ka folur pak para nisjes së protestës që do të mbahet në orën 20:00 para kryeministrisë. Gjekmarkaj tha për News24 se kjo është një protestë kundër çdo padrejtësie që qeveria ka bërë ndaj shqiptarëve.
Gjekmarkaj tha se kjo protestë organizohet edhe për lirimin e kreut të PD-së, Sali Berisha, për të cilin tha se po mbahet me një masë arresti, pa prova dhe fakte, dhe me një proces që nisi me shkelje të Kushtetutës.
“Përtej motiveve, çdokush duhet të hetohet,por çdokush ka të drejtën e një procesi të lirë dhe të ndershëm. Ne jemi kundër padrejtësisë në protestën e sotme, jo kundër drejtësisë”, tha Gjekmarkaj.
TIRANË- Më pak se një orë na ndan nga protesta kombëtare e opozitës ndërsa forcat e policisë kanë nisur përgatitjet për tubimin. Mësohet se mbi 1200 forca të policisë, duke nisur nga ato të rendit, FNSH, Shqiponjat do të jenë në terren për mbarëvajtjen e protestës.
Nga pamjet e ndara nga vendi i ngjarjes duken makinat e forcave policore të cilat janë rreshtuar njëra pas tjetres. Para nisjes së protestës forcat e policisë do të rreshtohen si në tubimet e kaluara dhe do të ketë edhe një gardh metalik.
Mësohet se në vendngjarje do të ketë edhe autobotë me ujë nëse do të ketë nevojë në raste incidentesh. Në terren do të përfshihen edhe agjentët civilë, për të monitoruar mbarëvajtjen e protestës.
TIRANË- Shefi i organizimit në PD, Klevis Balliu ka folur lidhur me protestën e opozitës, e cila do të mbahet pas tre orësh përpara kryeministrisë.
Balliu tha në një intervistë në News24 se kjo protestë do t’i tregojë të gjithë botës që ne jemi një opozitë që nuk përqafojmë kartelin e “Sinaloas”. Më tej tha se në protestë po ashtu do të kërkohet edhe lirimi i Sali Berishës, liderit të opozitës. Balliu tha se protesta synon largimin e kësaj qeverie, për t’u dhënë mundësi shqiptarëve që të votojnë të lirë.
“Edi Rama është një kryeministër që nga përgjimet del nga karteli i Sinaloas te ai i Avdylajve, ndaj me të nuk mund të ketë zgjedhje të lira. Një qeveri teknike, lirimi i liderit të opozitës, por mbi të gjitha e ardhmja e vendit, pasi po boshatiset Shqipëria, 47 % e fëmijëve janë të kequshqyer”, tha ai.
Balliu u shpreh se çfarë ndodh në protestë është vullnet i qytetarëve, duke theksuar se qytetarët dhe opozita nuk bëjnë dhunë.
“Dhunë bën qeveria, nëse ajo do të bëjë dhunë, natyrisht ne do të dimë si ti përgjigjemi. Qytetarët të na bashkohen në protestë, të vijnë jo për PD-në, por për të ardhmen e fëmijëve të tyre. Jemi në një batak të egër që është krijuar si pasojë e korrupsionit. Qytetarët të vijnë në protestë për të ruajtur fëmijët e tyre, pasi kemi drejtorë shkollash që tregtojnë drogë, dhe mjekë e infermierë që tallen me qytetarët”, tha Balliu.
TIRANA- Avokati i Popullit ka bërë publike një deklaratë ditën e sotme në lidhje me protestën që do të mbahet në mbrëmje na opozita përballë Kryeministrisë. Në deklaratë Avokati i Popullit bën me dije se përmes grupeve në terren do të kryhet monitorimi i protestës.
Po ashtu në deklaratë shtohet se organet e rendit janë të pranishme në protesta për të siguruar që të garantohet ushtrimi i qetë i të drejtës për të protestuar teksa veprimet e dhunshme, thuhet në deklaratë, nuk janë zgjidhje, por përshkallëzojnë konfliktin dhe cënojnë të drejtën e protestuesve paqësorë.
DEKLARATA:
Protestat paqësore janë një e drejtë themelore e njeriut dhe një shprehje thelbësore e demokracisë. Institucioni i Avokati i Popullit bën të ditur se përmes grupeve në terren, do të jetë në monitorim të protestës opozitare që zhvillohet sot në mbrëmje.
Gjithashtu, Avokati i Popullit gjen rastin të theksojë se organet e rendit janë të pranishme në protesta për të siguruar që të garantohet ushtrimi i qetë i të drejtës për të protestuar. Ndërkohë, veprimet e dhunshme, qofshin ato edhe sporadike, nuk janë zgjidhje, por përshkallëzojnë konfliktin dhe cënojnë të drejtën e protestuesve paqësorë që të ushtrojnë të qetë të drejtën e tyre për të shprehur solidaritetin në lidhje me qëllimin e protestës.
Çdo aspekt i shkeljes së të drejtave të njeriut në këtë protestë do të jetë i monitoruar nga grupet tona në terren dhe do të raportohet në përputhje me detyrimet tona ligjore. Së bashku, mund të sigurojmë që kjo protestë të zhvillohet në mënyrë të qetë, duke treguar se si një shoqëri demokratike mund të zgjidhë mosmarrëveshjet me dialog dhe respekt të ndërsjellë.
TIRANA- Sot rreth orës 20:00 do të zhvillohet protesta e thirrur nga Partia Demokratike. Ndërkohë mësohet se në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", pranë Kryeministrisë, ka nisur puna për vendosjen e infrastrukturës. Po ashtu bëhet me dije se është vendosur një pjesë e skenës dhe gardhi metalik rrethues pranë podiumit.
Drejtuesit e demokratëve kanë bërë thirrje prej disa ditësh për pjesëmarrje të shtuar të qytetarëve në protestë, ndërsa kreu i PD Sali Berisha pak ditë më parë i dërgoi edhe një porosi strukturave, që të bëhet gjithçka që është e mundur në mënyrë që kjo të jetë protesta më e madhe që është mbajtur ndonjëherë në Tiranë.

TIRANË- Partia Demokratike vazhdoi thirrjet për pjesëmarrje masive në protestën e sotme në orën 20:00 përpara kryeministrisë. Kreu i Departamentit të Shëndetësisë në PD, Ilir Alimehmeti në një deklaratë për mediat tha se qytetarët duhet të protestojnë për shkak se shëndetësia është në kolaps. Alimehmeti ka theksuar se në Shqipëri mungojnë mjekët, mungon financimi për shëndetësinë, mungojnë ilaçet dhe shërbimet.
Deklarata e Plotë:
1. Që në krye të herës, modeli qeverisës “Rama” erdhi në fuqi me gënjeshtrën e “Shëndetësisë Falas”. E tani çdo qytetar e ka të qartë se sa falas është kjo shëndetësi. Plot 60% e shpenzimeve shëndetësore dalin direkt nga xhepi i qytetarit raporton OBSH-ja në fundin e vitit 2023, niveli më i lartë në Europë, pas 10 vitesh implementimit të “Shëndetësisë Falas”. Sepse në fakt këtë vizion ka modeli i tyre qeverisës.
2. Premtuan që do ta çonin shpenzimin publik të shëndetësisë në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe pas 11 vitesh që e shkruajnë vetë buxhetin kjo vlerë është vetëm 2.78% e PBB.
• Niveli më i ulët i shpenzimit publik në Europë.
• As nivelin 3% nuk e kapin dot, jo më nivelin 5%.
• Jo se nuk munden, por se nuk duan.
• Duan që të jenë qytetarët ata që paguajnë.
• Sepse ky është vizioni i modelit të tyre qeverisës.
3 E këto pak para që kanë vendosur, ku shkojnë? Ku i çon ky model qeverisës? Mbi 455 milionë euro kanë përfunduar deri tani në xhepat e tyre përmes skemës së katër koncesioneve në shëndetësi.
4. Kujtoj miqtë e mi që falë këtij modeli qeverisës, ndërkohë që ju u përballët të vetëm me pandeminë COVID-19 duke paguar nga xhepi çdo shpenzim, testim, ekzaminim e trajtim, jo vetëm që u tallën duke pretenduar se rimbursimi i shpenzimeve ishte vetëm 40 euro për pacient, por pretenduan se ishin edhe menaxhuesit më të mirë të pandemisë në botë.
a. Por grupi ndërkombëtar i punës i udhëhequr nga Universiteti i ëashingtonit tregoi qartë se deri në fundin e vitit 2021 kishin humbur jetën 17.300 shqiptarë, mbi 5-fish më shumë se sa pretendonte Ministria e Shëndetësisë deri atëherë.
b. E ky numër ka kaluar mbi 20.000 deri në fund të pandemisë, duke e bërë Shqipërinë një ndër 10 shtetet me menaxhimin më të keq në botë, falë vizionit të modelit të tyre qeverisës.
5. Për më tej, ky model qeverisës bazohet mbi krijimin e kapaciteteve të kufizuara.
a. Kapacitete të kufizuara burimesh njerëzore. Dhe e dimë shumë mirë se sa mjekë e infermierë janë larguar tashmë nga Shqipëria, duke bërë që të kemi numrin më të ulët të mjekëve për frymë në Europë sipas OBSH-së e të kemi zona pa fund pa mjekë.
b. Kapacitete të kufizuara shërbimesh. Dhe e dimë shumë mirë se si nuk kryhen sistematikisht shërbime të caktuara të spitalet publike që të krijohen hapësirat për shfrytëzime dhe abuzime.
c. Kapacitete të kufizuara mjekimesh. Dhe e dimë shumë mire se si ranë me një të katërtën shpenzimet për rimbursimin e barnave: nga 2.1% e shpenzimeve totale buxhetore në vitin 2013, në 1.6% në vitin 2024.
E, ndërkohë që fondi i rimbursimeve ka rënë me 3.4% të shpenzimit total të FSDKSH, nga 24% në 2019, në 20.6% në vitin 2023, shpenzimet për koncesionet u rritën me 2% të shpenzimit total të FSDKSH, nga 7% në 9%. Pra, qartazi, paratë e rimbursimeve të ilaçeve tuaja po shkojnë në xhepat e tyre.
Sepse ky është vizioni i modelit të tyre qeverisës. Pikërisht ky model qeverisës, që bazohet mbi krijimin e mungesave, ka vendosur koncesionet dhe përfitimet në qendër të vizionit të tyre dhe pacientin në periferi. E për të hedhur hi syve njerëzve që nuk marrin sistematikisht shërbimin shëndetësor prej vitesh me radhë, demonizon personelin shëndetësor, të fundit në listë në shkallë përgjegjësie, pasi rregulli kyç i përgjegjësive është që përgjegjësitë shkojnë për lart. E kjo duhet të na bëjë të shohim qartësisht faktin se kemi aktualisht dy ish-Ministrat e Shëndetësisë të qeverive Rama 1, Rama 2 dhe Rama 3 në SPAK për korrupsion dhe shpërdorim detyre.
E në vend që të kërkojnë falje publike për dështimet e modelit të tyre qeverisës, ka disa ditë që Rama mbledh mjekët dhe në vend që të diskutojë me ta mbi mënyrën e zgjidhjes së kolapsit në shëndetësi dhe riparimin e këtij modeli problematik ai i kërcënon mjekët me masa represive. Ne e njohim mirë këtë model që ka implementuar ai që prej ardhjes në pushtet në 2013 dhe që nuk ka prodhuar asnjëherë zgjidhje. Epo ky model përçmues për jetën dhe shëndetin duhet kundërshtuar miqtë e mi! E drejta e shëndetit duhet mbrojtur! E drejta e jetës duhet mbrojtur! Për këto arsye ju ftoj të gjithëve në protestën e datës 11 korrik! Të protestojmë në emër të shëndetit! Të protestojmë në emër të jetës!
TIRANË- Ditën e sotme në orën 20:00 do të zhvillohet protesta e opozitës para Kryeministrisë. Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka njoftuar lidhur me akset rrugore të cilat do të bllokohen për automjetet që prej orës 18:00.
Akset rrugore që do të bllokohen për automjetet janë: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali”, kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”, rruga “Papa Gjon Pali II”, bulevardi “Zhan D’Ark” dhe bulevardi “Bajram Curri”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”.
Gjithashtu Policia sygjeron përdorimin e rrugëve alternative, si dhe bën thirrje për distancim nga aktet e dhunës.
Njoftimi i Plotë:
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, në zbatim të detyrave të përcaktuara në planin e masave të hartuar nga Policia e Shtetit, ka marrë masat e nevojshme, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë, para, gjatë dhe pas përfundimit të tubimit që do të zhvillohet ditën e sotme, më datë 11.07.2024, në orën 20:00, përpara Kryeministrisë.
Njoftojmë qytetarët se duke filluar nga sot, në orën 18:00, deri në përfundim të tubimit, nuk do të lejohet qarkullimi i automjeteve, në rrugët e poshtëshënuara:
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali”, kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”, rruga “Papa Gjon Pali II”, bulevardi “Zhan D’Ark” dhe bulevardi “Bajram Curri”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”.
Policia kërkon mirëkuptimin e qytetarëve që të shmangin lëvizjen me automjete në këto akse rrugore dhe të përdorin rrugë alternative, për të mos penguar lëvizjen e lirë të pjesëmarrësve në tubim.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë respekton plotësisht të drejtën e qytetarëve për të organizuar dhe për të marrë pjesë në tubime dhe i bën thirrje organizatorëve, drejtuesve, pjesëmarrësve në tubime, dhe perfaqësuesve të subjekteve politike, që të ushtrojnë të drejtën e tyre në perputhje me Kushtetutën dhe legjislancionin në fuqi.
Në këtë kuadër, Policia e Tiranës bën thirrje për të gjithë pjesëmarrësit në tubim, që të distancohen nga çdo akt që cenon sigurinë dhe jetën e tyre, dhe çdo akt dhune ndaj punonjësve të Policisë, përfaqësuesve të mediave apo vetë pjesëmarrësve.
Policia garanton qytetarët se ka marrë të gjitha masat në përmbushje të përgjegjësive institucionale, për garantimin e rendit dhe të sigurisë, para, gjatë dhe pas përfundimit të tubimit, si dhe për garantimin e sigurisë rrugore, në të gjithë territorin e vendit, veçanërisht në sheshet dhe në segmentet rrugore, në të cilat do të zhvillohet tubimi.