Miroslav Lajçak dhe Aleksandër Vuçiç
SERBI- Emisari sllovak për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak, ka zbardhur takimin e zhvilluar paraditen e sotme në Beograd me presidentin serb Aleksandër Vuçiç. Në një postim në rrjete sociale, ai bën me dije se në fokus të bisedimeve ishte takimi i radhës i nivelit të lartë që BE synon ta mbajë në shtator, në përpjekje për uljen e tensioneve dhe për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në 4 komunat veriore të Kosovës. Gjithashtu Lajçak ka treguar se kanë folur edhe për zbatimin e Marrëveshjeve të Dialogut.
"Në Beograd sot kam pasur diskutime thelbësore me Aleksandër Vuçiç për Takimin e radhës të nivelit të lartë në shtator, përpjekjet për uljen e tensioneve dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja lokale në veri të Kosovës, si dhe zbatimin e të gjitha Marrëveshjeve të Dialogut", shkruan ai.
Dialogu është ndërprerë për shkak të tensioneve në veri të vendit, që u rikthyen me futjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në objektet komunale në katër komunat e asaj preje. Prej atëherë ka pasur një angazhim ndërkombëtar për zgjidhjen e krizës dhe uljen e tensioneve.