Sali Berisha
TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka reaguar sërish pas interesit të gazetarëve për vendimin e SHBA për heqjen e sanksioneve. I pyetur nga gazetarët në lidhje me heqjen e sanksioneve Berisha, deklaroi se vendimi i Departamentit Amerikan të Shtetit për lejimin e hyrjes së tij dhe familjes së tij në SHBA përbën korrigjimin e një padrejtësie të administratës së mëparshme dhe fundin e izolimit politik që, sipas tij, ishte vendosur për arsye politike. Berisha falënderoi administratën e presidentit Donald Trump dhe Sekretarin e Shtetit Marco Rubio për vendimin që i lejon atij dhe familjes së tij të udhëtojnë drejt Shteteve të Bashkuara.
Zoti Berisha, kam dy pyetje. E para lidhur me lajmin që erdhi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për heqjen e sanksionit ndaj jush për lejimin e udhëtimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nga komunikimi që keni pasur me zyrtarët e Shteteve të Bashkuara, SHBA-ja ka hequr edhe akuzat ndaj jush, apo etiketimet në atë kohë si minues demokracie dhe korrupsion madhor, apo është vetëm për pjesën e lejimit të udhëtimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për një arsye specifike?
Sali Berisha: Së pari, dua të falënderoj përzemërsisht edhe një herë administratën e presidentit Trump dhe sekretarin Marco Rubio për korrigjimin e një padrejtësie të administratës së mëparshme, të vendimit të bazuar në lobimin korruptiv të Edi Ramës dhe George Sorosit për ndalimin e hyrjes sime në Shtetet e Bashkuara. Tani, dy gjëra do të theksoj. Departamenti i Shtetit ka dhënë përgjigjen më të qartë se nuk është në listë, është hequr nga lista e atyre që nuk mund të hyjnë në Shtetet e Bashkuara, ai dhe familjarët e tij. Familjarët e tij. Dhe persona të tjerë që s'kanë lidhje me mua. Tani, edhe dje jua theksova. Sali Berisha s'ka qenë kurrë non-grata. Shpallja non-grata bazohet në Konventën e Vjenës. Kurse dizenjimi për mos-hyrje në territorin e Shteteve të Bashkuara ka në bazë një ligj të Kongresit të Shteteve të Bashkuara, pra është ligj i brendshëm. Këtu le të jemi të qartë. Pse është bërë kjo ngatërresë? Është bërë kjo ngatërresë sepse për shumicën e njerëzve e morën të tillë dhe unë nuk kisha ndërmend të angazhohesha në beteja semantike, në një kohë kur unë po angazhohesha në thelbin e çështjes.
Thelbi i çështjes, zotëri, është ai që Departamenti i Shtetit deklaroi: se Sali Berisha mund të hyjë në Shtetet e Bashkuara, dhe ky vendim është marrë për interesat e Shteteve të Bashkuara. Pikë. Së dyti, ky vendim nuk është vetëm për personin, por është dhe për familjen e tij. Çdo interpretim tjetër është i atyre që kërkojnë të ushqehen me mashtrimet e veta. Nuk kam bërë asnjë lloj kërkese, për asnjë lloj rrethane shëndetësore apo tjetër, siç duan të mashtrojnë ata që ushqehen me gënjeshtrat e tyre. Kam bërë kërkesë, në gjykatë kam shkuar. Rast unik në historinë e planetit për këtë çështje, dhe nuk i jam drejtuar instancave shtetërore pas ndryshimit të administratës. Nuk i jam drejtuar, nuk u jam drejtuar para ndryshimit të administratës, ndonëse unë kisha njohje personale, duke filluar nga kreu i asaj administrate tek punonjës të tjerë. Por nuk e kam bërë atë. Jo. Pra, kjo është e vërteta. Çdo interpretim tjetër, lexoni ato sqarime që ka dhënë Departamenti i Shtetit për një seri mediash shqiptare./Dosja.al