Jashtë protestë, brenda Kuvend/ Deputetët socialistë priten me vezë nga protestuesit, Opozita bojkoton seancën
Muçi përplaset me Bidon në Parlament: Me urdhër të Ballës më je qepur me bukë në trast&...
Muçi përplaset me Bidon në Parlament: Me urdhër të Ballës më je qepur me bukë në trast&...
Protesta para Kuvendit/ Protestuesit për deputetët e opozitës: Opozitë e shitur! 2 Korrik, 09:33 P&e...
Protesat para Kuvendit/ Rama: Me sorrat dhe korbat nuk kemi çfarë bëjmë 2 Korrik, 08:53 "Tirana ës...
Këshilli Kombëtar/ Zbardhet lista, kush janë emrat që do të votohen për anëtarë të Kryesisë s&...
• Seanca plenare ka nisur ditën e sotme në Kuvend me disa minuta vonesë. • Shkak për këtë është bërë protesta e qytetarëve përpara Kuvendit, të cilët kërkojnë dorëheqjen e qeverisë. • Në seancën e sotme, Kuvendi ka parashikuar në rendin e ditës dy interpelanca me ministrat Blendi Gonxhja dhe Toni Gogu, si dhe shqyrtimin e disa projektligjeve të rëndësishme. • Përpjekjet e protestuesve për të rrethuar parlamentin pritet të zhvillohen paralelisht me punimet zyrtare, ku mes të tjerash do të diskutohet edhe për raportin vjetor të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi.
5 artikuj për këtë temë.
TIRANË- Deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, ka replikuar ditën e sotme në Kuvend me deputetin socialist Ardit Bido. Muçi u shpreh në Kuvend se ka lexuar se deputetët socialistë kanë ardhur në punë dy orë më herët, në mënyrë që mos të përballen me protestuesit. Ai shtoi se i vjen turp të vij në punë dhe të dëgjoj protestuesit jashtë duke thirrur njëzëri: "Parlament i shitur".
Deputeti socialist i është përgjigjur duke thënë ardhja më herët është pjesë e rutinës së tyre, jo mënyrë për t'i shpëtuar përballjes me protestuesit. Bido e cilësoi Muçin si tradhëtar, pasi nuk flet për Çamërinë. Pas kësaj ka ardhur edhe replika e deputetit të Lëvizjes Bashkë, i cili tha se Bido i është qepur dhe e ka vënë në shënjestër me urdhër të Taulant Ballës. Ai shtoi se nuk e merr dot seriozisht, pasi i kujton komeditë e viteve 90.
Redi Muçi: Në lajme lexova se kolegët e PS erdhën 2 orë para në punë sot. Mua më vjen turp që të vij në punë dhe të dëgjoj se populli aty jashtë bërtet parlamenti i krimiit. Është e padenjë dhuna që policia po ushtron ndaj tyre. Sot në ditën e 33 të protestës ku numri i tyre ka rënë ju bëni ndarjen sorra dhe flamingo. Jo mo jo ata janë populli i thjeshtë. Ju vazhdoni t’i mbyllni veshët edhe pse populli thërret ‘dorëheqje’. Nëse keni pak dinjitet jepnni dorëheqjen.
Bido: Kemi një parti të establishmentit më të rëndë. Vjen e na thotë që do të turpërohej pse vijmë më herët në punë. Jemi mësuar të vijmë në punë, të punojmë, të nxjerrim lekët me djersën e ballit, të mos shkojmë në zona të mbrojtura. Të mos themi që kemi bërë shkollën te Koto Hoxhi dhe dilnim nga shtëpia që mami i dha leje babit për ta bërë në oborrin e shkollës. Kështu jemi mësuar, jemi mësuar të punojmë. Ti s’ke punuar ndonjëherë, prandaj ta mirëkuptoj habinë tënde. Ti nuk je agjent, nuk e di, s’e vendos dorën në zjarr. Para një jave këtu ishte seancë për Çamërinë, ti s’erdhe, kisha aktivitet në Qafë-Botë, të kam ftuar, ti nuk erdhi. Unë me minoritarët nuk kam asnjë problem se janë pjesë e shëndetshme e kësaj shoqërie, janë shqiptarë patriotë e grekë të pashuar. Kam problem vorio-epirotizmin tënd dhe po të ishe ndryshe do të të hiqja kapelen, por ti nuk flet për Çamërinë. Ti je tradhtar!
Redi Muçi: Shoku Bido, me urdhër të Taulantit që para disa javësh tha se më ka vënë në shënjestër, më është qepur pas me bukë në trastë. Në atë kohë të rrasnin në hetuesi dhe të vërshonin përrenjtë e akuzave. Veçse unë ty o Bido, jo që s’të marr seriozisht, por ti s’më dukesh as si ata maskarenjtë që ishin hetues në kohën e Enverit. Ti mua më kujton vetëm komeditë e viteve 90. Më kujton Ceken që me radiomarrës në dorë dilte nga ferra. Prandaj Bido vazhdo me fushatën e kundërzbulimit dhe asnjë hap pas./Dosja.al
TIRANË- Në kulmin e tensioneve dhe përplasjeve të dhunshme para Parlamentit, ku një efektiv policie mbeti i lënduar pas goditjes me gur, Dritan Goxhaj ka ndërhyrë për të qetësuar turmën.
Goxhaj iu drejtua protestuesve duke kërkuar të shmanget dhuna ndaj uniformave blu, me thirrjen e qartë. Aktvisti ka theksuar se objektivi i tyre është institucioni i Kuvendit dhe jo përballja me forcat e policisë.
“E kemi me parlamentin! Jo me gurë Policisë së Shtetit!. Jo me djemtë, jo me çunat, jo me policinë!”, u tha Goxhaj./Dosja.al
TIRANË- Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike dënon me forcë sjelljen e mazhorancës në Kuvendin e Shqipërisë, e cila vijon të pengojë opozitën në ushtrimin e funksioneve të saj kushtetuese dhe në përmbushjen e detyrimit për të përfaqësuar interesin e qytetarëve.
Të martën, duke përdorur forcën e kartonave, mazhoranca refuzoi kërkesën për llogaridhënie nga Kryeministri dhe zhvillimin e një debati parlamentar mbi kërkesat legjitime të qytetarëve, të cilët protestojnë prej më shumë se një muaji, si edhe mbi konstatimet dhe rekomandimet e Rezolutës së Parlamentit Europian të miratuar pak ditë më parë.
Në vijim të kësaj qasjeje bllokuese, dje, në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, mazhoranca miratoi kalendarin e punimeve të Kuvendit deri në përfundim të këtij sesioni parlamentar, pa përcaktuar datën e shqyrtimit të katër projektligjeve të depozituara prej rreth një muaji nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike. Bëhet fjalë për:
1. Projektligjin për shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura;
2. Projektligjin për shfuqizimin e ligjit për investimet strategjike;
3. Projektligjin për shfuqizimin e Paketës së Maleve;
4. Projektligjin për shfuqizimin e disa dispozitave të ligjit për trashëgiminë kulturore.
Këto iniciativa ligjore përputhen drejtpërdrejt me kërkesat e qytetarëve që protestojnë dhe me shqetësimet e ngritura në Rezolutën e Parlamentit Europian. Për këtë arsye, ato duhej të ishin përfshirë në rendin e ditës së seancës së sotme, pasi trajtojnë çështje me interes të lartë publik.
Për sa kohë mazhoranca refuzon të përfshijë këto projektligje në rendin e ditës ose të përcaktojë shqyrtimin e tyre brenda këtij sesioni parlamentar, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka vendosur të mos marr pjesë në punimet e Kuvendit në seancën e sotme dhe kërkojmë me forcë përfshirjen në procedurë parlamemtare të katër projektligjeve për diskutim dhe miratim në Kuvend.
Nga ana tjetër, konstatojmë se godina e Parlamentit është rrethuar me qindra punonjës Policie për të penguar qytetarët të protestojnë. Nëse Parlamenti zhvillon punimet nën rrethimin e Policisë së Shtetit, vetëm me qëllim të shuarjes së zërit të qytetarëve, atëherë ai humbet misionin e tij të përfaqësimit të qytetarëve.
Në kushtet kur mazhoranca vijon të refuzojë shqyrtimin e nismave ligjore të opozitës dhe Kryeministri, së bashku me Qeverinë, shmang sistematikisht llogaridhënien për çështje që prekin drejtpërdrejt interesin publik, prania jonë në seancë plenare sot nuk do t'i shërbente mbrojtjes së interesave të qytetarëve, por vetëm do të legjitimonte një proces parlamentar që po zhvillohet në kundërshtim me parimet e demokracisë parlamentare./Dosja.al
TIRANË- Sot në seancë plenare, kryeministri Edi Rama nuk pritet të jetë i pranishëm, pasi axhenda e tij zyrtare parashikon një aktivitet të dedikuar për zhvillimin e startup-eve në orën 11:00
Lidhur me tensionet përpara seancës së sotme plenare, grupet parlamentare kanë udhëzuar deputetët që të paraqiten në ambientet e Kuvendit më herët se zakonisht.
Megjithatë, situata është përshkallëzuar kur protestuesit jashtë godinës kanë shënjestruar automjetin e kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, duke e goditur atë me vezë dhe miell./Dosja.al
TIRANË- Në protestën e 32-të para Kryeministrisë qyetarët bënë thirrje për bllokimin e hyrjes së deputetëve në seancën plenare të sotme.
Në këtë seancë, e cila nis në orën 10:00, Kuvendi ka parashikuar në rendin e ditës dy interpelanca me ministrat Blendi Gonxhja dhe Toni Gogu, si dhe shqyrtimin e disa projektligjeve të rëndësishme.
Përpjekjet e protestuesve për të rrethuar parlamentin pritet të zhvillohen paralelisht me punimet zyrtare, ku mes të tjerash do të diskutohet edhe për raportin vjetor të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi.
Rendi i ditës:
I. Mbledhjen e Kuvendit në seancë plenare në datën 2.7.2026, ora 10:00.
II. Rendi i ditës i seancës plenare është si më poshtë:
1. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 30.6.2026.
2. Njoftime.
3. Interpelancë me Ministrin e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, z. Blendi Gonxhja, kërkuar nga deputetja Ina Zhupa.
4. Seancë pyetje - përgjigje me Ministrin e Drejtësisë, z. Toni Gogu, kërkuar nga deputeti Klevis Balliu.
5. Projektrezolutë "Për vlerësimin e veprimtarisë së Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi për vitin 2025".
6. Projektligji "Për ratifikimin e marrëveshjes së garancisë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), për marrëveshjen e huas, ndërmjet Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, sh.a., (OSHEE Group) dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për "Projektin e nënstacionit të OSHEE-së Tiranë.
7. Projektligji "Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 90/2012, "Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore".
8. Projektligji "Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8391, datë 28.10.1998, "Për Shërbimin Informativ Kombëtar", të ndryshuar".
9. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.
III. Ngarkohen shërbimet e Kuvendit për publikimin e rendit të ditës të seancës plenare, njoftimin e anëtarëve të Kuvendit me anë të mjeteve të komunikimit elektronik, si dhe përgatitjen e dokumentacionit parlamentar që do të shqyrtohet.
IV. Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë. /Dosja.al